E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani letër Gjykatës: Mos pezulloni Ahmetin

 

Tiranë- Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të mos pezullojë shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti. Kërkesa është bërë përmes një letre të ministrit, cilësuar prej vetë atij, si kërkesë me cilësinë e punëdhënësit. Ndërkohë që nga ana e gjykatës kjo është cilësuar si një akt i paprecedentë dhe deri në ndërhyrje në punën e saj. Në letrën e tij, dërguar Gjykatës ai shprehet se nuk ka prova që të implikojnë në këtë çështje kryeinspektorin, Ahmeti. “Zonja gjyqtare, pa ndërhyrë në objektivitetin dhe paanësinë e gjykatës, e shikojmë me vend, t;ju bëjmë me dije se dy rastet e pretenduara nga organi i akuzës për keqtrajtimin e dy shtetasve, nuk janë motive ligjor që kërkohet pezullimi nga detyra e punonjësit të policisë, Krenar Ahmeti”- thuhet në letër. Në të, ministri ka dhënë një tjetër variant të rasteve, ku sipas tij, të dhunuarit janë punonjësit e policisë. Në fund të letrës, Nishani pranon se largimi i Ahmetit nga detyra do të ndikonte rëndë në efektivitetin e strukturës së policisë që ai drejton. Ahmeti akuzohet për shpërdorim detyre, pas ndalimit të dy shtetasve, të cilët kanë ngritur padi ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›