Sa liri na duhet… ?
Gëzim TUSHI
Me sa duket nuk qenka e lehtë në shoqërinë shqiptare të ditëve tona që të sigurohet raporti i duhur midis “lirisë dhe përgjegjësisë”. Sa më shumë moderne bëhet shoqëria jonë në disa tregues, aq më tepër përballet me problemin e zbatimit të natyrshëm në jetën sociale dhe individuale, të “parimit të lirisë”. Kanë kaluar dy dekada që njerëzit jetojnë në liri, por më së shumti e shfaqur si ndjenjë kaotike, anormale. Çështja e raportit të kuptimit social dhe individual të lirisë, është një nga problemet më të koklavitura për shoqërinë shqiptare, nga që për të ka kuptime e keqkuptime të ndryshme, interpretime të sforcuara dogmatike e sempliste. Perceptimi dhe interpretimi i gabuar i lirisë, është sipas mendimit tim, “rrënja” kryesore, shkaku më influent, që ndikon në shfaqjen e problematikave sociale, me të cilat përballen njerëzit dhe shoqëria jonë aktualisht. Ngjarjet që ndodhin përditë, tendencat për shkeljen e ligjit, shenjat e anarkisë sociale, veprimet kriminale, shkelja e rregullave të qytetërimit dhe të qarkullimit, braktisja e shkollës, dëmtimi i familjes, braktisja e fëmijëve, të moshuarve, dhunimet dhe përdhunimet, janë disa dukuri shqetësuese, të cilat e kanë bazën kryesore tek perceptimi voluntarist, arbitrar dhe subjektivist i “lirisë”, i kësaj arritjeje të madhe të shoqërisë shqiptare, në kohën moderne.
Në studimet dhe analizat e shoqërisë shqiptare, si sociolog, por dhe si nëpunës i çështjeve sociale, më është krijuar bindja se në sjelljen e tërësore të individëve, grupeve sociale, ka shenja të padyshimta, të sigurta se ende nuk e kemi të qartë “masën e lirisë”, apo të shprehur në formë më të qartë, faktin se “sa liri na duhet për të qenë të lire”. Në praktikën e jetës duken qëndrime që e variojnë në mënyrë subjektive “masën e lirisë”, duke filluar nga konceptimet liberaliste, deri tek konfondimi i saj me një lloj anarkie sociale, që shfaqet në mënyrë evidente në jetën tonë. Liria nuk është vetëm koncept filozofik dhe politik, por ajo është në realitetin tone, një “mekanizëm” dhe një realitet, që duhet çmuar jo vetëm në dimensionin e perceptimit teorik, por dhe në fushën e aplikimit empirik. Ne jemi përballë qëndrimeve të njëanshme, kontradiktore të konceptit dhe mekanizmit të lirisë. Në perceptimin publik, duket se liria, po jep produkt të ndryshëm për njerëz të ndryshëm. Liria në Shqipëri duket se nuk “punon” për të gjithë njësoj. Në këtë kontekst, qëndrimet dhe perceptimet sociale dhe individuale, herë herë janë të ndryshme, në mos krejt të kundërta. Fenomenet sociale që ndeshen në shoqërinë tonë lidhur me raportet e njeriut me lirinë, për ne janë të reja, të cilat bota moderne i ka njohur dhe i ka interpretuar politikisht, filozofikisht, duke i zgjidhur kontradiktat empirike të saj. Problemi i lirisë së njeriut në shoqëri (masa e lirisë) është politikisht dhe filozofikisht i vjetër, pavarësisht se edhe në ditët tona, shfaqet në formën e debatit të raportit midis “bindjes” dhe “shtrëngimit”. Ajo duket qartë në konceptet dhe dilemat që shqetësojnë jetën e përditshme të njerëzve tanë: Pse të mos jem i lirë, pse duhet t’i bindem shtetit, apo të varem nga dikush tjetër, pse të mos jetoj ashtu si më pëlqen, kush ka të drejtë të më detyrojë dhe cila është masa e këtij detyrimi, etj ?
Në mesin e shekullit të kaluar Erik Frommi, ka shtruar një problem që është aktual edhe sot, të cilën ai e quajti në formë të shkëlqyer metaforike si “frikë nga liria”. Sipas tij, njeriu modern duke e patur frikë lirinë, është munduar të “arratiset” prej saj, megjithëse që në kohën e vet filozofët Hegel dhe Burke kanë patur mendimin, se të arratisesh prej shoqërisë është e pamundur dhe irracionale. Nuk besoj se nuk është aktuale edhe për ditët tona, pyetja e tij ekzistenciale, se a “është liria një barrë tepër e rëndë dhe një përgjegjësi tepër e madhe” për njeriun ? Politologu i shquar Xhovani Sartori, mendon me të drejtë, se frikë nga liria kanë vetëm ata që parapëlqejnë dhe tundohen nga konceptet dhe praktikat totalitariste (që ne shqiptarët i provuam për gjysmë shekulli), ose ata që janë të sëmurë nga prirja për t’u manipuluar. Kjo ndjenjë e fundit është shqetësuese dhe kërcënuese për çdo shoqëri moderne. Shoqëria jonë është shumë e ndjeshme tashmë ndaj lirisë në të gjithë kuptimet dhe nënkuptimet e saj, si liri politike, ekonomike, vetjake, nga që kemi bërë një kapërcim ekstremal, nga një shoqëri totalitarisht e kontrolluar, në një shoqëri totalisht të lirë. Nuk duhet harruar se dy dekada më parë jetonim në një shoqëri, që ishte tejet armiqësore me liritë dhe të drejtat e njeriut. Në totalitarizëm shteti mendonte se qytetarëve duhet “t’u lëmë aq liri, sa janë në gjendje të përdorojnë ata, aq sa janë në gjendje të përballojnë dhe të konsumojnë”.
Në shoqërinë tone në tërësi, në sjelljet individuale të njerëzve ka koncepte, shfaqe dhe praktika që flasin për keqkuptim të përmbajtjes, thelbit dhe formave të lirisë, konfondime midis lirisë sociale dhe individuale, midis lirisë pozitive dhe negative, ose lirisë së brendshme dhe lirisë së jashtme, midis lirisë vetjake dhe përgjegjësisë sociale. Këto nuk janë çështje teorike dhe etike, por probleme të rëndësishme ekzistenciale të qytetërimit, të ndërtimit të “shoqërisë funksionuese”. Sipas mendimit tim, në këto raporte delikate për lirinë e njeriut dhe ndërtimin e shoqërisë ka konfondime, që janë tejet të të rrezikshme. Nuk është rastësi që shoqëria jonë nga moskuptimi i drejtë i raporteve të lirisë në shikimin më polivalent të saj, po vuan nga shenja të dukshme të anarkisë sociale dhe morale, që po e bëjnë të rrezikuar dhe problematik qytetërimin tonë. Në këtë situate, kanë rolet dhe përgjegjësitë e tyre, qytetari dhe shoqëria civile nga njëra anë, por dhe shteti nga ana tjetër. Në mentalitetin e shoqërisë tone, të individëve që jetojnë në këtë realitet, është dërrmuar ideja e shtetit me role morale dhe sociale, i shtetit të organizuar,që na sjell në mëndje shtetin e dikurshëm totalitar, si simbol i shkelësit dhe dhunuesit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Është vërtetë e çuditshme për ne shqiptarët, që kemi hyrë në shoqërinë moderne, jo duke njohur dhe zbatuar rregullat sociale dhe morale të lirisë dhe demokracisë, por duke mësuar intuitivisht “gjysmë të vërtetat” e demokracisë, e cila më së shumti sipas mendimit tim, shfaqet në mentalitetin e ditës, sipas të cilit “sa më aktive të jetë qeveria, aq pak liri ka për shtetasit”. Padyshim, tashmë në rrugën e demokracisë shoqëria jonë i ka disponibël të gjithë format e demokracisë, bashkë me të gjithë rreziqet që sjellin interpretimet e sforcuara dhe kuptimet e njëanshme të saj. Duket qartë se shoqëria jonë po parapëlqen maksimalen e konceptimit liberal të lirisë, sipas të cilës “sa më e madhe të jetë hapësira e mosndërhyrjes, aq më e madhe është liria e individit”. Nuk ka shoqëri që nuk kufizon me ligj “liritë e njeriut”. Kjo është normale për çdo shoqëri moderne.
Nga sa është e dukshme një nga dukuritë negative të sjelljes sociale të njerëzve në shoqërinë tone, ka të bëjë jo vetëm me mungesën e perceptimit të “masës së lirisë”, por dhe të “kufirit ndarës” midis sferës së jetës private dhe rregullit, lirisë personale dhe ligjeve publike që rregullojnë marrëdhëniet midis njerëzve në shoqërinë tonë. Në përcaktimin dhe funksionimin e kësaj “vije ndarëse” është e keqja e shoqërisë shqiptare sot, këtu duhet përqendruar debati dhe diskutimi publik në familje, shkollë, komunitet dhe media. Vetëm duke larguar këtë keqkuptim social, do të mundemi pastaj, të sigurojmë një shoqëri të lirë dhe funksionuese, në të cilën zhvillimi ekonomik, prosperiteti individual dhe paqja sociale, të bashkëjetojnë më një hapësirë të jetës private, që gjithnjë e më shumë zgjerohet, në të cilën natyrisht, që nuk është më nevoja të ndërhyjë shteti...
28 Shkurt 2008