Mjekut të ekzekutuar kolegët i kërkuan të linte Shqipërinë pas kërcënimeve të vrasësit
DURRES/ OERD ULQINI
Mjeku Fatmir Thaçi nuk kishte frikë nga vrasësi i tij, për faktin e thjeshtë se e kishte ndërgjegjen dhe moralin krejtësisht të pastër.
Kolegët e tij kanë komentuar dje sjelljen e shefit të radiologjisë, i cili disa herë ishte kërcënuar prej Ali Lorjas në mënyrë publike.
“Ai ishte një mjek në gjendje të mirë ekonomike dhe zotëronte mundësitë për t’u larguar jashtë shtetit ku dhe kur të donte. Kështu mund të parandalohej kjo vrasje e paralajmëruar. Kjo mund të ishte edhe një zgjedhje e mirë për të ulur tensionet”, shprehen mjekët e spitalit të Durrësit, një ditë pas krimit makabër në ambientet ku ata punojnë. Por këtyre këshillave për largim nga Shqipëria që i jepnin kolegët e punës, doktori 55-vjeçar nuk u vinte veshin, përderisa asgjë e pahijshme nuk kishte ndodhur mes tij dhe infermieres, njëkohësisht gruaja e tregtarit Lorja. Kanë qenë vetë kolegët ata, të cilët kishin parë kërcënimet e mëparshme të Lorjes ndaj Thaçit, duke e këshilluar këtë të fundit që të gjente një zgjidhje për të shmangur pasojat e atyre kërcënimeve të frikshme. Duke pasur bindjen në vetvete se gjithçka ishte trillim dhe thashethemnajë pa bazë, doktor Thaçi shpresonte që edhe Ali Lorja të mos u besonte zërave dashakeqës. Kërcënimet e shpeshta me jetë që i kishte marrë nga ish-miku i tij Ali Lorja, ishin bërë shpesh objekt bisede si në familje ashtu edhe në spital. Por si familjarëve ashtu edhe kolegëve mjeku i ndjerë u kishte thënë se: “Nuk kam bërë asgjë, ndaj nuk kam pse të kem frikë!”. Shpeshherë ai u kishte thënë kolegëve, që ishin të shqetësuar për të se kishte mundësi të shkonte ku të donte në Amerikë apo Australi, por nuk kishte asnjë motiv për t’u larguar, pasi asgjë nga ato që fliteshin nuk ishin të vërteta. Radiologu Thaçi e përsëriste shpesh refrenin se “nderi im është që të punoj këtu në spital, ndërgjegjen e kam të pastër dhe nuk kam bërë asgjë, për të cilën duhet të kem frikë”. Kështu ndodhi deri në orën 9 e 30 minuta të së premtes, kur Ali Lorja merr vendimin për të ekzekutuar ish-mikun e tij, në ambientet e zyrës ku punonte prej vitesh. Thaçi njihej në të gjithë qytetin e Durrësit për korrektesë dhe për një specialist të zotin në profesionin e tij. Duke ngjallur kështu simpatinë e shumë pacientëve që i drejtoheshin për kryerjen e ekzaminimeve të ndryshme. Ndonëse ai u akuzua nga autori si përgjegjës për humbjen e jetës së të shoqes, vetë mjeku Thaçi asnjëherë nuk e pranoi. Ashtu siç rrëfeu vetë Lorja në komisariatin e policisë, pak minuta pas krimit, ish-miku i tij e kishte shprehur disa herë që nuk duhej të merreshin me fjalë të kota. Por, pavarësisht kësaj, askush nuk mundi të parandalonte krimin.
Vdekja e infermieres
Ngjarja e ndodhur më 8 korrik të këtij viti ka qenë paralajmërimi i pasojave që do të rridhnin. Këtë pohim bëri dhe Ali Lorja, i shoqi i viktimës, Liljana Lorja, në momentin e dorëzimit në polici. Sipas tij, e shoqja i kishte dhënë fund jetës nga fjalët që qarkullonin në ambientet e spitalit e jashtë tij për një lidhje me mjekun. Katër muaj më parë ajo konsumoi një sasi lënde fostoksine, pavarësisht se në asnjë moment nuk kishte pranuar se fjalët ishin të vërteta.
Alarmi në spital
Edhe gjatë ditës së djeshme, situata në spitalin e Durrësit ishte e nderë. Fillimisht homazhet e kryera për mjekun e ndjerë, Fatmir Thaçi e më pas rikthimi në kujtesë i momenteve të tmerrit kanë shoqëruar dhe 24-orëshin pas vrasjes. Për pacientët e shtruar në spital dhe bluzat e bardha, britmat e gjaku që mbuloi korridorin e spitalit do të jenë gjithmonë në mendjet e tyre. Kjo ishte ngjarja më e rëndë e ndodhur në ambientet e spitalit.
Homazh në heshtje e lot për mjekun Fatmir Thaçi
DURRES/ OERD ULQINI
Mijëra njerëz i kanë dhënë lamtumirën mjekut radiolog të Durrësit, 55-vjeçarit Fatmir Thaçi.
Ceremonia mortore ka kulmuar me homazhet në Spitalin e Rajonal të qytetit, aty ku dora e Thaçit kreu mijëra ekzaminime radiologjie dhe skopie. Familjarë, miq, ish-pacientë, krerë të lartë vendorë si dhe një numër i madh qytetarësh kanë vendosur kurore dhe buqeta me lule, në nderim të doktorit, që u ekzekutua në mënyrë barbare në vendin e tij të punës. Ngjarja shokoi së pari bluzat e bardha. Të gjithë mjekët e Spitalit të Durrësit, por edhe kolegë të tij nga Tirana dhe qytetet e tjera i kishin sytë e mbushur me lot. “Ai ishte jo vetëm një mjek, por së pari një njeri model”. Këto ishin fjalët që shqiptonte çdo koleg i tij. Shefi i kirurgjisë së Durrësit, Besim Elezi, më sytë e përlotur pohoi dje se “Fatmiri ishte njeri i mrekullueshëm. Mjekët janë të dërguarit e zotit në tokë për të shpëtuar jetë njerëzish. Elementët kriminalë ngrenë armët e mallkuara kundër tyre personave. Shteti duhet të na mbrojë dhe të veprojë drejtësia. Jam shumë i prekur për atë që ka ndodhur”. Pasi i kanë kryer ritet mortore në shtëpi, trupi i doktor Fatmir Thaçit ka qëndruar për afro 30 minuta në sallën e Administratës së Spitalit. Në këtë mënyrë edhe kolegët e tij, të cilët në ato momente ishin me shërbim roje 24 orësh në spital, nuk kanë munguar në ceremoninë e tij të lamtumirës. Ata kanë kryer homazhe njëri pas tjetrit për t’u rikthyer sërish në vendet e punës. Në një ceremoni, ku ajo që fliste më shumë ishte dhimbja kanë qenë të pranishëm prefekti i Durrësit Klodian Pajuni, kreu i këshillit të Qarkut Seit Kërtusha si dhe kryebashkiaku Vangjush Dako. Në këtë mënyrë edhe pushteti më i lartë lokal i qytetit ka vlerësuar doktorin, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në radhë të parë si njeri e më pas si mjek. Në orën 12:30, me një mot të vranët dhe me shi të imët, trupi i pajetë i doktor Thaçit ka prekur përfundimisht tokën. Ai është varrosur, i shoqëruar nga një kortezh i madh njerëzish. Për drejtorin e Spitalit të Durrësit Neritan Myderrizi, vrasja e mjekut në sy të pacientëve, teksa ushtronte profesionin e tij fisnik është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në atë institucion. Të gjithë mjekët e ndjejnë veten të pasigurt dhe kërkojnë që kjo ngjarje të mos neglizhohet nga policia, por përkundrazi të shërbejë si një mësim, për të forcuar sigurinë në spitalet shqiptare. Pas kryerjes së homazheve, spitali i Durrësit është kthyer në “rutinë”, por me një qetësi të brishtë, me ankthin se çdo gjë mund të ndodhë, pavarësisht detyrës fisnike të mjekëve. Ashtu siç pati fatin tragjik mjeku radiolog, Fatmir Thaçi, një prej më të njohurve në Durrës. Prej ditës së djeshme, zyra e doktorit të famshëm ka mbetur e mbyllur, ndërsa shenjat e gjakut nuk ishin fshirë akoma plotësisht. Tre plumba pistolete në kokë i morën jetën papritur mjekut, ndërsa po priste pacientët e tij në sallën e radiologjisë. Pa e ditur se “pacienti” i parë do të ishte pikërisht vrasësi i tij.
Mjeku i urgjencës: Të na mbrojë policia
Mjekët nuk kanë besim tek rojet e policisë private, të cilëve u është besuar ruajtja dhe survejimi i Spitalit të Durrësit. Shumë raste dhune kanë ndodhur në atë spital, sidomos në urgjencën e tij ku në vite numërohen rrahje banale e deri tek kërcënimi për jetën. Vrasja e Fatmir Thaçi kulmoi në këtë dhunë, ndaj bluzat e bardha kërkojnë edhe praninë e policisë së shtetit në atë spital. “Shpeshherë njerëz të dhunshëm apo të pirë vijnë në urgjencë duke na ushtruar presione nga më të ndryshmet. Ne duhet të jemi të qetë të ushtrojmë profesionin tonë human, ndaj duam praninë e një patrulle të mirëfilltë policore këtu”, tha mjeku i urgjencës së Durrësit, Arjan Tivari. Me lot në për kolegun e vrarë aq tragjikisht doktor Tivari shprehet se “humbja e parakohshme e Fatmir Thaçit ka tronditur thellë në zemër të gjithë kolegët si dhe një qytet të tërë, të cilit i ndjeri i shërbeu me përkushtim”. o.u
Gjermeni: Dhuna mbi mjekët, qeveria vetëm retorikë boshe
Partia Socialiste akuzoi sërish qeverinë për mungesën e sigurisë në spitale, edhe pse rastet e kërcënimit të jetës së mjekëve përsëriten. Deputetja socialiste e qarkut të Tiranës, Eglantina Gjermeni, tha dje se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. “Opinioni publik në Shqipëri u trondit edhe njëherë nga ngjarja e ndodhur dje në Spitalin e Durrësit, vrasja e mjekut Fatmir Thaçi në ambientet spitalore ku ai kryente detyrën. Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për mungesën e sigurisë së jetës së qytetarëve në këtë vend, ku askush nuk është i mbrojtur në punë, në shkolla apo në rrugë”, u shpreh Gjermeni. Sipas saj, mjekët edhe këtë radhë u gjendën të pambrojtur ndaj sulmeve të individëve të armatosur. “Nuk është hera e parë që ndodh një akt i tillë, përkundrazi është e disata herë që bluzave të bardha u cenohet dinjiteti e profesionalizmi dhe arrihet deri aty sa ju merret edhe jeta. Kronika e djeshme e spitalit të Durrësit është kronika e një ngjarjeje të paralajmëruar. Disa herë kanë ndodhur ngjarje të tilla në ambientet e institucioneve, shumë herë është thënë se do merren masa, por gjithçka ka mbetur në kuadrin e deklaratave të ministrave të qeverisë, dhe asnjë nismë nuk është marrë në këtë drejtim”, u shpreh Gjermeni. Partia Socialiste akuzoi qeverinë se ka falimentuar në sektorin e shëndetësisë, ndërsa siguria e jetës së tyre në punë tregon përbaltjen e bluzave të bardha. “Dhuna e përsëritur mbi mjekët është shprehja më e qartë e falimentimit të sistemit dhe përbaltjes së bluzave të bardha nga pushteti i paaftë për të kryer reformat në këtë sektor. Partia Socialiste, jo vetëm dënon këtë akt kriminal, por kërkon marrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda, dhe nuk mjaftohet vetëm me deklaratat e qeveritarëve”, u shpreh deputetja socialiste.
Autori në qeli, vetëm e motra e viziton një ditë pas krimit
DURRES - Ali Lorja, i izoluar në qelitë e Durrësit që prej paradites së të premtes, ka pasur vizitor të vetëm motrën e tij. Nga burime të komisariatit mësohet se e motra e 46-vjeçarit i ka dërguar të vëllait rroba për t’u ndërruar. Ai përfundoi në komisariatin e Durrësit pak minuta pasi kreu krimin në ambientet e spitalit të qytetit. Ashtu i gjakosur, në duar e rroba, ai u fut në oborrin e policisë, pak metra larg spitalit, duke rrëfyer atë që kishte ngjarë dhe faktin se ishte vetë ai autori. Lorja është izoluar në një nga dhomat e paraburgimit deri në momentin kur Gjykata e Durrësit të vendosë për fatin e tij. Gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur seanca pyetjesh për 46-vjeçarin, autorin e krimit ndaj mjekut Fatmir Thaçi, me detyrë shef i radiologjisë në spitalin e Durrësit. Mësohet se tashmë grupi hetimor e ka të zbardhur si ngjarje, pasi vetë autori rrëfeu krimin dhe arsyet që e shtynë drejt tij menjëherë pasi ekzekutoi me tre plumba në kokë 55-vjeçarin. Në vendin e ngjarjes u gjet dhe arma e krimit, e tipit pistoletë, që vetë autori e lëshoi në zyrën ku dhe la të vdekur doktorin Thaçi. E motra e Ali Lorjes duket i vetmi person i afërt tashmë me të, pas humbjes së të shoqes e më pas të atit, ndërsa djemtë janë adoleshentë.