Shehi: Nuk dalim në protestën e PS, Rama vendosi me Berishën
Aristir Lumezi
Kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi shprehet se nuk do t’i bashkohet PS në protestën e saj për hapjen e kutive të votimit.
Sipas tij, me këtë protestë PS po i ankohet vetvetes, pasi Rama dhe Berisha i përgatitën zgjedhjet ashtu siç ata i deshën, që nga kodi e deri te komisionerët.
Zoti Shehi, Partia Socialiste ka lajmëruar një protestë popullore në kryeqytet, në mbështetje së kërkesës që i ka bërë maxhorancës për të hetuar disa kuti votimi të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ju do t’i bashkoheni protestës së PS-së?
Ne i bashkohemi principeve po të rishikohet Kodi Zgjedhor. Të shkojmë ne nëpër tribuna se janë vjedhur votat e socialistëve, del jashtë definicionit tonë. Socialistët janë një pjesë e këtij procesi, sepse Rama bashkë me Berishën e konturuan vetë këtë estradë që ndodhi më 28 qershor, vetë e bënë Kodin Zgjedhor, komisionerët e tyre i patën në komisionet e të gjitha niveleve.
Ju thoni se kjo protestë është e pakuptimtë?
Jo, për ata kjo protestë ka kuptim, për ne nuk ka kuptim, sepse ne nuk kemi qenë pjesë e këtij procesi. Por me këtë protestë socialistët po ankohen për veten e tyre, pasi administrimin e të gjithë procesit zgjedhor e kishte ndarë gjysmë për gjysmë me PD-në. Në këtë mënyrë për ne nuk ka kuptim t’i bashkohemi një çështjeje për të cilën as nuk dhamë pëlqimin dhe as na pyetën për Kodin Zgjedhor. E përsëris, që ne mund t’i bashkohemi principeve për të rishikuar Kodin Zgjedhor, mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për të mos lejuar përsëritjen e fenomeneve të vërejtura në këto zgjedhje.
Qeveria miratoi një projektligj për heqjen e makinave dhe shoferëve për deputetët dhe një kategori zyrtarësh të dikastereve. Cili është mendimi juaj?
Ky është një veprim i pastër populist. Kjo s’ka lidhje fare me bërjen e shtetit. Nëse do të ishte në dorën time, unë do t’i shtoja rrogën dhe trajtimin drejtorëve të ministrive, jo vetëm do t’u lija makinën, por dhe do t’u shtoja të ardhurat në mënyrë që të rrisja dinjitetin e një nëpunësi shteti. Ndryshe nuk i japin dinjitet nëpunësve të shtetit. Më thoni ju, si do të shkojë një biznesmen me 10 mijë euro në xhep dhe të flasë me një drejtor ministrie për çështje biznesi të tij, ndërsa vetë drejtori nuk ka makinë që të lëvizë. Do ta blejë dhe do ta vjedhë shtetin shqiptar, kjo është mënyra më e mirë për ta korruptuar shtetin shqiptar. Zoti Berisha më mirë të tregohet i ndershëm me koncesionet, me hajdutlliqet, me korrupsionet që ndodhin dhe jo t’i heqë edhe atë pak dinjitet që i ka mbetur administratës shqiptare. Po e hoqi dhe këtë, shteti do përfundojë tek llumi, nëpunësit e ministrive do të puqen me hajdutët dhe matrapazët e biznesit privat dhe ta çojnë në zero këtë shtet.
Po për rastin e heqjes së makinave dhe shoferëve të deputetëve, mendoni se atyre u hiqen disa shërbime të fryra që kanë pasur?
E njëjta gjë është dhe me deputetët. Ju mendoni se një deputet ka ngelur për atë makinën dhe shoferin që do t’ia heqë Berisha?! Jo, ai makinën e do nga shteti shqiptar që të ketë një minimum dinjiteti. Nëse bëhet fjalë për pare xhepi, siç dhe ka vendosur qeveria, gjysma e deputetëve janë në gjendje të blejnë nga një parlament për vete.