E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeshtri i metaforës

Poeti suedez Tomas Transtromer fitoi çmimin Nobel për letërsi për vitin 2011. Krahas tij, favoritë të këtij viti u konsideruan edhe shkrimtarët e Lindjes së Mesme, poeti sirian Adonis dhe shkrimtarja algjeriane Assia Djebar.

Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2011 iu dha, të enjten, poetit suedez Tomas Transtromer, veprat surrealiste rreth mistereve të mendjes njerëzore të të cilit i dhanë atij njohje si një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm skandinavë të dekadave të fundit.

Të karakterizuara nga një shëmbëlltyrë e fuqishme, poemat e Transtromer kryesisht janë të ndërtuara rreth përvojave të tij dhe të mbushura me dashurinë e tij për muzikën dhe natyrën. Poemat e tij të mëvonshme janë më të errëta, ku shqyrtohen çështjet ekzistenciale të jetës, vdekjes dhe sëmundjes.

Transtromer konsiderohet mjeshtër i metaforës, duke thurur imazhe të fuqishme në poemat e tij pa zbukurime të tepruara. Në citatin e shpërblimit thuhet se përmbledhjet e tij ‘karakterizohen nga kursimi’.

Akademia Suedeze tha se e ka shpërblyer poetin 80 vjeçar “sepse, nëpërmes imazheve të tejdukshme, të përmbledhura, ai na jep qasje të freskët ndaj realitetit”.

Në vitin 1990, Transtromer vuajti nga një sulm, që e la atë gjysmë të paralizuar dhe kryesisht të paaftë për të folur, por ai vazhdoi të shkruajë dhe botoi përmbledhjet “The Sorrow Gondola” në vitin 1996 dhe në vitin 2004, përmbledhjen me poema "The Great Enigma".

Transtromer ka qenë favorit shumëvjeçar për shpërblimin në vlerë prej 1o milionë krona suedeze (1.5 milion dollarë) dhe në vitet e fundit gazetarët suedezë kanë pritur para apartamentit të tij në Stockholm atë ditë kur është shpallur çmimi Nobel për letërsi.

“Ai është i gëzuar së tepërmi”, u tha gazetarëve Anna Tillgren, zëdhënëse e botuesit të Transtromer ‘Bonniers’. Ajo tha se Transtromer ia ka dalë të nxjerrë dy fjalë pasi ka mësuar rreth çmimit Nobel: “Shumë mirë”.

“Ai shkruan rreth çështjeve të mëdha. Ai shkruan rreth vdekjes, shkruan rreth historisë dhe kujtesës si dhe rreth natyrës”, tha Peter Englund, sekretar permanent i Akademisë Suedeze, e cila e jep çmimin.

Transtromer është suedezi i parë që e merr çmimin për letërsi qëkur Eyvind Johnson dhe Harry Martinson e ndanë atë në vitin 1974. Englund tha se akademia në veçanti është e kujdesshme rreth shpërblimit të shkrimtarëve suedezë nga frika se mos shihen si të njëanshëm.

“Mendoj se kemi qenë të kujdesshëm dhe nuk kemi nxituar”, tha Englund pasi u shpall fituesi.

Kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt tha se shpërblimi e bëri ‘të lumtur dhe krenar’ dhe ai shpreson se do të tërheqë vëmendjen botërore ndaj letërsisë suedeze.

Akademia suedeze gjithashtu është kritikuar për të qenit shumë eurocentrike, duke injoruar shkrimtarët e pjesëve të tjera të botës. Shtatë prej dhjetë fituesve të fundit kanë qenë europianë.

Derisa kritikët janë të impresionuar nga bukuria e veprave të tij, disa e kanë kritikuar për mungesë të përshkrimit social, aq shpesh i gjetur në veprat e fituesve të tjerë të Nobelit, përfshirë laureatin e vitit të kaluar Mario Vargas Llosa nga Peru.

Modest dhe pa pretendime, Transtromer gjithmonë u ka ikur debateve politike dhe ka qëndruar, aq sa ka mundur, larg syrit publik.

“Mendoj se, para se gjithash, babai mendon se kjo është e mrekullueshme për lexuesit e tij”, tha për çmimin vajza e tij, Paula Transtromer. “Kjo është më e rëndësishmja për të”.

Në mesin e veprave më të njohura të poetit Transtromer përfshihen "Windows and Stones", e botuar në vitin 1966, në të cilën ai përshkruan tema nga udhëtimet e tij të shumta dhe vepra tjetër "Baltics", e botuar në vitin 1974.

Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë dhe kanë ndikuar te poetët tjerë nëpër botë, në veçanti në Amerikën Veriore.

Që nga vitet pesëdhjeta, Transtromer ka pasur një miqësi të afërt me poetin amerikan Robert Bly, i cili i përktheu në gjuhën angleze shumicën e veprave të tij. Në vitin 2001, shtëpia botuese suedeze e Transtromer-it ‘Bonniers’ e botoi në një libër korrespondencën ndërmjet dy shkrimtarëve, e cila u titullua "Air Mail".

Në fillim të këtij viti, shtëpia botuese ‘Bonniers’ e lëshoi në qarkullim përmbledhjen e veprave të tij ndërmjet viteve 1954 dhe 2004, për të festuar ditëlindjen e tetëdhjetë të autorit.

I lindur në Stockholm në vitin 1931, Transtromer u rrit i vetëm bashkë me nënën e tij mësuese pasi ajo u shkurorëzua nga babai i tij gazetar. Ai filloi të shkruajë poezi derisa studionte në shkollën Sodra Latin në Stockholm dhe debutoi me përmbledhjen “Seventeen Poems” (Shtatëmbëdhjetë poema) në moshën 23 vjeçare.

Ai studioi letërsinë, historinë, poetikën, historinë e religjionit dhe psikologjinë në Universitetin e Stokholmit dhe më vonë e ndau kohën e tij ndërmjet poezisë dhe punës së tij si psikolog.

Përgatiti: Alfred Beka

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›