Bojkot te Hysi

Hysi assesi nuk po e gjen qetësinë. As emërimi i Afrim Tovërlanit në krye të shtabit teknik, shkaku i krizës së rezultateve, nuk e ka këndellur kampionin aktual të Kosovës.
Futbollistët e kësaj skuadre të enjten e kanë bojkotuar seancën stërvitore në shenjë pakënaqësie, për shkak se kryesia e klubit nuk i ka kryer të gjitha obligimet ndaj tyre.
Lajmin e kanë konfirmuar disa burime të gazetës Express brenda klubit bardh e zi. Sipas tyre, udhëheqësit e klubit i kanë lutur futbollistët që të dilnin në stërvitje, duke u premtuar se borxhet ndaj tyre do t’i shlyejnë qysh të hënën. Por, megjithatë, futbollistët kishin bërë të veten – bojkotuan seancën stërvitore.
“Një pagë na kanë mbetur borxh. Kanë kaluar dy javë dhe nuk na kanë dhënë pagat për muajin e fundit, kështu po bëhen dy muaj që nuk jemi paguar. Andaj sot (e enjte) vendosëm të gjithë futbollistët që mos të dalim në stërvitje. Faktikisht, qysh të mërkurën kemi dashur t’i bojkotojmë stërvitjet, por falë trajnerit të ri, Afrim Tovërlanit, vendosëm të stërvitim me kusht që obligimet të kryhen të enjten. Por, meqenëse as të enjten nuk i kryen obligimet, vendosëm të bojkotojmë”, ka thënë një burim brenda kampionit në fuqi.
Madje, sipas burimeve, futbollistët kanë paralajmëruar se as në ditët në vijmë nuk do të paraqiten në seancat stërvitore, para se klubi t’i kryejë obligimet ndaj tyre.
Ndërkohë, gjithnjë sipas këtyre burimeve, të enjten në Merdarë nuk është parë fare as trajneri Afrim Tovërlani, të cilit ky post iu besua të dielën. Mirëpo, ende nuk dihen arsyet e kësaj mungese të strategut kosovar, i cili deri më tani i ka zhvilluar dy seanca stërvitore.
Në anën tjetër, gazeta Express të enjten ka provuar të kontaktojë me disa zyrtarë të Hysit, përfshirë edhe pronarin Hysen Sadiku. Por, asnjëri nga ta nuk e ka hapur telefonin.
Kjo telashe në Merdarë vjen menjëherë pas krizës së rezultateve nëpër të cilën po kalon Hysi. Andaj, me shpresë që ta tejkalojnë këtë krizë të rezultateve, udhëheqësit e kësaj skuadre të dielën e kishin emëruar trajner të ri Afrim Tovërlanin. Pas tetë xhirove të zhvilluara, Hysi pozicionohet në vendin e pestë të renditjes tabelore me 11 pikë të tubuara.