E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjetet e torturës të gjalla në pavionin e genocidit komunist

Dëshmi dhe materiale të reja për periudhën e diktaturës vijnë në Muzeun Historik Kombëtar


Në Muzeun Historik Kombëtar do të rikthehet pavioni i shumë përfolur i genocidit komunist. Pavioni do të shtrihet në një hapësirë prej 500 metrash katrorë dhe mendohet të pasqyrojë disa nga ngjarjet më kulmore gjatë periudhës së diktaturës. Por përveç stendave fotografike, pavijonit nuk do ti mungojnë objektet e kohës. Objekte të përdorura nga të burgosur, që nga mjetet e torturës, tek sendet vetjake. Gjithashtu nuk do të mungojnë as video-projektorët,

 përmes të cilëve do të shfaqen materiale dokumentare. Punimet mendohen të përfundojnë brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara fillimit të sezonit turistik. Drejtori i muzeut z. Luan Malltezi tregon se ndërtimi i këtij pavioni është në vijim të punës që po bëhet dhe për pasurimin e shumë pavioneve të tjerë në këtë muze.Ky është një muze, dhe pavioni do të rihapet edhe njëherë, por në dallim nga pavioni i vjetër ky është i rinovuar dhe ka foto më të shumta. Për të ndërtuar këtë është ngritur një grup pune me specialistë të Muzeut Kombëtar dhe nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, por dhe ka përfaqësues dhe nga të persekutuarit politik. Është punuar për disa kohë dhe ky pavion ka karakter kronologjik. Ne presim të kemi financime nga Ministria e Kulturës për të hapur këtë pavion, pohon drejtori Malltezi. Më tej ai tregon se mbyllja e pavionit të parë u bë për shkak të zhvendosjes së tij. Kur kam ardhur në këtë muze ky pavion ishte mbyllur, pasi do të zhvendosej, sigurisht që me rinovimin e tij do të futen dhe materialet të tjera. Do të jetë një vlerësim dhe më i gjerë i periudhës që fillon  nga viti 1943 deri më rënien e diktaturës komuniste. Ne jemi në bisedime me MTKRS në mënyrë që të marrim fonde dhe të kalojmë në zbatim, tani jemi në fazën kur ne kemi përfunduar paketën e plotë. Pavioni do të ketë kronika dhe filma dokumentarë, do të ketë dhe terror komunist dhe këtu kemi parasysh proceset gjyqësore politike, gjyqet ndaj grupeve opozitare, gjyqi ndaj deputeteve, goditja e klerit, spastrimet në ushtri, izolimi i Shqipërisë, rastet në kufi, kampet e internimit, kampet me punë të detyruar, etj , vijon drejtori Malltezi. Ndërkohë që në Muzeun Historik Kombëtar janë disa projekte, për të cilat po punohet në drejtim të pasurimit të tij muzeut. Aktualisht jemi të angazhuar në ngritjen e pavionit të etnografisë që është punuar në bashkëpunim me etnografët. Mendojmë që këtë vit, të kalojmë në realizimin e tij. Kjo sigurisht do ti japë një pamje tjetër muzeut. Pavioni i etnografisë shkon nga gjysma e dytë e shekullit të XIX me pamje dhe objekte të zhvillimit të jetës shoqërore të qytetit dhe të fshatit. Ky pavion zë 1800 m2, tregon drejtori i muzeut. Ky pavion mendohet të hapet para se të fillojë sezoni turistik, në mënyrë që ai të jetë gati me fillimin e tij kur dhe vizitorët janë më të shumtë në muze.   

Koleksionet e muzeut
Muzeu Historik Kombëtar është krijuar në Tiranë më 28 Tetor 1981 është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Muzeu Historik Kombëtar (MHK) ka në fondin e tij 3600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, pjesa më interesante e të cilave u përkasin periudhave që nga Paleolititi deri në Antikitetin e vonë (shek. IV e.s); këto janë ekspozuar brenda Pavionit të Arkeologjisë, që numëron në vetvete mbi 400 objekte. Ndër koleksionet më me vlerë të këtij seksioni janë ato që evidentojnë periudhën arkaike dhe periudhën protourbane ilire të kulturës Shqiptare. Në pavionin e Periudhës Mesjetare, me më shumë se 300 objekte, realizohet dokumentimi i procesit historik të vijimësisë Iliro-Shqiptare. Koleksioni i objekteve të periudhës Mesjetare përfshin: emblema heraldike të princërve shqiptarë, kolona të katedraleve të shkatërruara, relieve dhe ikona të ikonografëve më të mëdhenj shqiptarë si Onufri (Shek. XVI), David Selenica dhe Kostandin Shpataraku i shek. XIII. Një objekt tepër i çmuar është epitafi i Glavenicës, punuar me ar nga një princ Shqiptar i shek. XIV, Gjergj Araniti. Koleksionit të kësaj periudhe i është shtuar dhe pavioni i ri i ikonave qe ka në përmbajtjen e vet një ikonostas nga Elbasani dhe 50 ikona të marra nga koleksioni i Institutit të Monumenteve të Kulturës e të mbledhura nga objekte e kultit gjatë 50 vjetëve të fundit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pavionet e tjera përmbajnë dokumente e dëshmi të periudhave të tjera si p.sh. të rezistencës kombëtare shqiptare, të Pavarësisë dhe themelimit të shtetit Shqiptar.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›