Mjeti i paidentifikuar vret shoferin e urbanit
Aksidenti ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 05:00, kur viktima po shkonte në punë
TIRANE- Një autoveturë e paidentifikuar aksidenton me vdekje në qendër të kryeqytetit shoferin e autobuzit të një linje urbane që shkonte të merrte autobuzin për të nisur punën ndërsa më pas largohet nga vendngjarja.
Policia dyshon se aksidenti është kryer nga një autoveturë e markës "Audi", drejtuesi i së cilës mund të ketë qenë i dehur. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 05:00, në bulevadin "Dëshmoërt e Kombit", pranë bllokut të ministrive, fare pranë asaj të Brendshme.
I aksidentuari është identifikuar nga policia nëpërmjet lejes së tij të drejtimit ndërsa të afërmit e familjes së tij i kanë pohuar policisë se ai ishte shofer autobuzi në një prej linjave urbane në Tiranë dhe po shkonte të merrte autobuzin për të nisur punë.
Fuat Mehmeti, 62 vjeç, banues në rrugën "Myslym Shyri", mbeti i vdekur kur një automjet i paidentifikuar e goditi atë në kohën që viktima po kalonte nga krahu i poshtëm i rrugës për në drejtim të godinës së Ministrisë së Brendshme. Nga përplasja me mjetin ende të paidentifikuar, shoferi i autobuzëve të një prej linjave urbane në vend mbeti i vdekur në vend për shkak të plagëve të rënda të marra në trup, në kokë dhe në gjumtyrë.
Pas përplasjes së shoferit të urbanit, drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur, duke përfituar dhe nga errësira dhe mungesa e njerëzve, që ende nuk kishin nisur të lëviznin. Në pak sekonda ai është zhdukur, ndërsa i aksidentuari ka mbetur i shtrirë në asfalt dhe për disa sekonda thuajse nuk ka pasur njeri që ta ndihmojë.
Kur personi i parë që është afruar për ta ndihmuar, ai kishte ndërruar jetë. Ndërkaq policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për të. Nga këqyrja e kryer nga policia dhe specialistë të policisë rrugore është vënë re mungesa e gjurmëve të frenimit, të mjetit që ka shkaktuar aksidentin.
Ky fakt i ka bërë hetuesit e policisë rrugore të dyshojnë se drejtuesi i mjetit që ka kryer këtë aksident ka qenë i dehur.
Për të identifikuar mjetin e aksidentit dhe drejtuesin që shkaktoi vdekjen e Mehmetit, policia ka ka marrë dëshmitë e punonjësve të policisë të disa prej ministrive që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, si dhe të policit të Bashkisë. Nga deklarimet e tyre është mësuar se mjeti që ka aksidentuar me vdekje të moshuarin, dyshohet se ka qenë një automjet i markës "Audi".
Ndërkaq policia kishte ngritur pika kontrolli dhe postblloqe të ndryshme me qëllim verifikimin e të gjithë automjeteve të markës "Audi" që mund të konstatoheshin në qarkullim gjatë kësaj kohe.