Kundërthënie të qëndrimeve politike në zgjedhjet lokale të 8 majit
Pa pretenduar në absolutizëm, dhe duke theksuar faktin se këto zgjedhje u ndoqën me interes dhe realizëm nga shqiptarët, e për më tepër pjesëmarrja e kënaqshme e tyre në këto zgjedhje rrëzon tezën e zhgënjimit nga klasa politike, e duke forcuar tek shumëkush bindjen se maturia politike është një shumë përvojash, pra një proces, mund të përmendim disa aspekte deri diku kundërthënëse që u vunë re në zgjedhjet lokale 2011, zgjedhje që ishin qartazi një progres dhe një emancipim i mëtejshëm i klasës politike dhe gjithë shoqërisë shqiptare.
Kundërthënia I - Fitore politike me fushatë jopolitike
Në kandidimet per kryetar bashkie, Partia Demokratike pati si qëllim bindjen e elektoratit se ajo eshte partia që gjendet me prane tyre, e permbledhur kjo edhe ne sloganin e kësaj fushate. Nga ana tjetër kandidimi i disa ministrave të suksesshëm apo deputetëve për kryetar bashkie ishte një argument i drejtpërdrejtë në mbështetje të këtij fakti. Nuk është hera e parë që kjo parti “dhuron” figura të rëndësishme të saj në emër të një funksioni më të gjerë, duke vërtetuar se nuk mbështetet në pseudo-propagandë.
Natyrisht kandidimi më i spikatur ishte kandidimi i zotit Basha, në Tiranë, kandidim që dihej nga socialistët që shumë muaj më parë, ndaj ata ndërmorën një sërë aksionesh për të përbaltur figurën e tij, fakt që tregon se ata i kishte kapur paniku i humbjes së bashkisë së kryeqytetit.
Pra qëndrimi jopolitik me figura thellësisht politike, ka hedhur poshtë së pari 21 Janarin dhe votimi spektakolar ndaj Bashës ka sfumuar strategjinë e aksionit politik të opozitës, apo ëndrrën e saj për votim plebishitar kundër “regjimit të Saliut”. Nisur nga platforma elektorale dhe slogani, në pamje të parë mund të mendohej se kandidatët do të vinin nga shoqëria civile.
Por kandidimi i ministrave ishte dhe një test për maxhorancën aktuale, në mes të mandatit. Fitorja politike u arrit me fushatë jopolitike nga PD. Ndërsa PS realizoi humbje politike me fushatë politike.
Kundërthënia II - Përpjekjet për të sfumuar partitë e vogla i forcuan ato
Një aspekt tjetër është dhe qëndrimi ndaj partive të vogla. Ligji elektoral “dënon” partitë e vogla, kjo nisur dhe nga fakti se Partia Socialiste donte të ndëshkonte LSI. Por nga ana tjetër kalkulimet e të gjitha formave thonë se ligji elektoral favorizon atë koalicion që ndërton më shumë aleanca..
Pra zgjidhja e kontradiksionit të dytë, nga ana e Partisë Demokratike, ishte se nga njëra anë nënshkroi ligjin elektoral aktual bipartiak, nga ana tjetër ia doli të ndërtojë aleancën më të gjerë. Pra ky ligj dikton marrëveshjen dhe jo absolutizmin, siç u predikua dhe predikohet nga PS. Kontradiksioni i dytë u zgjidh siç duhet nga PD, por jo nga PS.
Kundërthënia III - Kapja e zones votuese “gri” për shtim votash ka sjellë rrjedhje votash
Figura jothellësisht politike, që duhet të merrnin më shumë vota me projektet jopolitike morrën më pak duke sjellë –Jo rimarrje nga PD e disa bashkive të mëdha, nën drejtimin e PS. Kandidimi i figurave jothellësisht të spikatura politike të PD për disa bashki, duhet të sillte shumë më shumë vota meqenëse kishim të bënim me projektin politik për qytetarin
Në disa qarqe të Shqipërisë, kandidati u paraqit me profil jopolitik, ndërsa lufta politike lokale ka qenë mjaft e ashpër, dhe ndonjë zonë ka qenë me epërsi socialiste. Në këtë rast kandidimi ka synuar të kapë “zonën gri”, por mesa duket për shkak të ekstremizimit politik, kapja e zonës gri është shoqëruar me rrjedhjen e votave djathtas vetëm për kryetarin, por jo për partinë, duke sjellë një dominancë të sigurt të Partisë Demokratike për qarqe dhe këshilla bashkiake, por humbjen apo mosmarrjen e drejtimit të disa bashkive në qytete kryesore. Këtë kundërthënie nuk mundi do ta zgjidhë Partia Demokratike, ndaj kjo shkoi në favor të Partisë Socialiste.
Kundërthënia IV - Qëndrimi ekstrem që do të forconte PS-në dhe do ta sillte në pushtet, në realitet e largoi atë nga pushteti
Qëndrimi ekstrem, dhe nxitja e tensioneve nxit zhvendosjen e elektoratit ndaj qendrës, gjallëron partitë e vogla, ndaj nuk mund të jetë strategji e një partie të madhe opozitare, po qëndrim afatshkurtër. Qëllimi i PS-së ka qenë mbajtja e qeverisjes aktuale nën një stres konstant destruktiv dhe shpesh bazuar në artifica. Kjo mund të sjellë harxhim të panevojshëm energjie të qeverisjes, dhe shpresën për gabime “të dukshme” të qeverisë, ashtu si individi i mbajtur nën stress&provokim permanent mund të gabojë. Por ky qëndrim ekstrem, me qëllim lodhjen e qeverisë, si qëllim në vetvete, lehtësisht i lexueshëm, fyen inteligjencën e shqiptarëve, aq më tepër të faktorit ndërkombëtar. Nga ana tjetër ky qëndrim nuk shton elektoratin, fakt ky i provuar në politikën shqiptare. Pra strategjia e tensionit nuk i favorizon partitë e mëdha, sepse qëndrimet tensionuese të nxitura nga njëra palë, shoqërohen me dikotominë PD-PS, e për rrjedhojë duke mos pasqyruar realitetin e zgjedhësve, kjo strategji tensioni çlirohet me zhvendosjen e elektoratit ndaj qendrës dhe partive të vogla. Kjo është arsyeja pse Partia Socialiste mbështetet aq fort me deklarata ekstremiste të eksponentëve të partive të vogla që mbështesin pa skrupuj atë. Pra, këtë kontradiksion Partia Socialiste nuk e ka zgjidhur ende dhe nuk e zgjidhi.
Atëherë si shpjegohet ky qëndrim ekstrem? Shtrëngimi i radhëve, për të ruajtur të vetët (duke besuar se ata janë të mjaftueshëm) ka qenë një synim, duke pasur frikë nga rrjedhja drejt LSI. Pra një shtim i votave drejt LSI, moskapja e qendrës dhe elektoratit të lëkundur, do të thotë se Partia Socialiste nuk e zgjidhi dot këtë kundërthënie.
Për më tepër nuk duhet ta besojmë se ka ende njerëz që synojnë pushtetin bazuar në një destabilizim apo revolucion në Shqipërinë pluraliste, sepse ata tashmë e morën me votë plebishitare përgjigjen.
Nisur nga ky profil kundërthëniesh në zgjedhjet lokale 2011, arrijmë në këto përfundime:
Qëndrimi aktual i PS e mban atë larg pushtetit, sepse numri i votuesve të vendosur dhe aleancat nuk janë aq sa mund ta sjellin atë në pushtet, për më tepër mund të sjellin rrjedhje të votave. Pra zgjedhjet e 2009 kanë pasur rezultat real.
Qytetarët konfirmuan se puna e qeverisë ka qenë reale dhe progressive, pra vendi ka stabilitet, dhe mbështetja që ata i dhanë i jep kësaj qeverie edhe më tepër legjitimitet, pa ndalur reformat.
Qeverisja e PD me një parti të majtë(LSI) duke i dhënë asaj jo pak pushtet në emër të një vizioni siç është integrimi në BE, e vendosin PD hapa para drejt një maturie politike, që garanton progres dhe e bëjnë Sali Berishën pse jo “Ataturkun” e Shqipërisë, të cilit i duhet që me një opozitë që mund të mos njohë zgjedhjet e 2013, të finalizojë ëndrrën e tij dhe projektin historik të shqiptarëve: Futjen në BE dhe kthimin e Shqipërisë nga një vend në zhvillim në një vend të zhvilluar, duke fituar një mandat të tretë, 2013-2017.