“Mobil Albania”, kompania që “prodhoi” 500 milionë në një muaj
Tiranë Si për të mos e marrë seriozisht çështjen që në fillesat e saj, ideatorët e skemës së mashtrimit kanë zgjedhur datën 1 prill (dita e gënjeshtrave) për të krijuar kompaninë “Mobil Albania”. Sipas dokumenteve të kësaj shoqërie në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se po në këtë datë ka udhëtuar nga Dibra drejt qytetit të Fierit edhe shtetasi Selman Doçi, i cili më pas do të ishte aksioneri i vetëm dhe përfaqësuesi ligjor i shoqërisë. Dokumentet tregojnë se më 1 prill të vitit 2010 Doçi ka firmosur aktin e themelimit të kompanisë “Mobil Albania”, e cila teorikisht mund të kishte aktivitet tregtar në një gamë të gjerë shërbimesh. Sipas akt-themelimit rezulton se shoqëria në fjalë ishte e legjitimuar të kryente tregti me shumicë e pakicë, import-eksport dhe prodhimit të mobilieve, mallrave të ndryshme industriale, mobilie zyrash, prodhim e tregtim materialesh ndërtimi, punime druri, mobilie dyer, dritare, vetrata duralumini, materiale plastike e tjerë. Gjithashtu në fund të objektit të veprimtarisë hartuesit e statusit kanë vënë si veprimtari të mundshme edhe tregtimin e karburanteve dhe hidrokarbureve me pakicë, si dhe vajrave lubrifikantë. Sipas hetimit, aktiviteti real i kompanisë ka qenë ai i tregtimit të karburanteve me shumicë, madje duke iu shmangur detyrimeve tatimore. Mosshlyerja e detyrimeve ndaj shtetit ka çuar prokurorinë dhe policinë në zbulimin e gjithë skemës së mashtrimit. Sipas të dhënave të hetimit, bëhet me dije se, pasi kanë përfituar shumën e konsiderueshme të parave, krijuesit e kompanisë kanë depozituar pranë QKR-së një kërkesë për mbylljen e shoqërisë në fjalë. Ky veprim nuk është kryer, pasi kompania i detyrohej shtetit rreth 150 milionë lekë tatime dhe taksa, pagesë kjo që i është faturuar aksionerit të vetëm dhe përfaqësuesit ligjor të kompanisë, Selman Doçit. Pasi ka mësuar këtë fakt, Doçi ka treguar në polici se ai është paguar për krijimin e kompanisë në shumën e 2 milionë lekëve dhe i është premtuar një rrogë mujore rreth 20 mijë lekë të reja. Pas dëshmisë së “pronarit” të kompanisë policia ka nisur hetimet dhe në bashkëpunim me prokurorinë kanë mundur të zbardhin gjithë skemën e përdorur nga tre personat që dje përfunduan në pranga.