Tre në pranga Mashtrimi 500-milionësh me karburantet,
Tiranë Një skemë gati perfekte mashtrimi është zbuluar nga Prokuroria e Fierit pas një hetimi 7-mujor, i cili përfundoi me arrestimin e tre personave dhe hetimin e të paktën 11 të tjerëve. Pas skandalit me naftën virxhin, skema e mashtrimit që u zbardh dje nga policia në bashkëpunim me prokurorinë, mund të konsiderohet si një nga më të mëdhatë, e cila dyshohet se u ka sjellë ideuesve të saj të paktën 500 milionë lekë të ardhura në një muaj. Në qendër të skemës mashtruese ka qenë një kompani fantazmë, e cila zyrtarisht kishte si pronar një të pa punë nga Burreli, emri i të cilit është përdorur për hapjen e kompanisë, që më pas do të rezultonte me një bilanc të frikshëm ekonomik. Sipas hetimit 7-mujor të Prokurorisë së Fierit, rezulton se ideuesit e skemës mashtruese janë: Besnik Murataj, me profesion inspektor në Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale, pranë Autoritetit Portual Durrës; Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist; dhe Dylejman Qerimi. me profesion shofer. Të tre këta persona kanë përfunduar dje në prangat e policisë, pasi Gjykata e Fierit kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa nën hetim në gjendje të lire janë edhe 13 persona të tjerë, që dyshohet se kanë qenë pjesë e kësaj skeme mashtruese. Nëpërmjet aktivitetit të saj kompania fantazmë me pronar fiktiv Selman Doçin, dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 15 milionë lekë të reja, duke iu shmangur taksave, tatimeve dhe pagesës së akcizës për tregtinë e naftës.
Skema e mashtrimit
Sipas hetimeve të prokurorisë, rezulton se në muajin prill të vitit 2010 Besnik Murataj, në bashkëpunim me Ervis Sinanajn dhe Dylejman Qerimin, kanë krijuar një shoqëri fantazmë me emrin “Mobil Albania”, të cilën e kanë regjistruar në QKR në emër të shtetasit Selman Doçi. Shoqëria në fjalë, ndër të tjera, kishte si objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobilieve, mallrave të ndryshëm industrialë, si dhe karburanteve. Hetimet kanë mundur të mbledhin të dhëna të mjaftueshme për të treguar se nëpërmjet kësaj shoqërie të arrestuarit kanë mundur të fusin në qarkullim shumën e 500 milionë lekëve, të përfituar nga tregtimi i karburantit. Të tre këta persona fillimisht kanë mundur të gjejnë një person të papunë dhe në vështirësi ekonomike, shtetasin Selman Doçi, me banim në rrethin e Matit, të cilit i kanë përdorur emrin si pronar të shoqërisë. Zyrtarisht prokuroria tha se tre të arrestuarit i kanë premtuar Doçit se në shkëmbim të krijimit të kësaj shoqërie, do t’i krijonin atij një shoqëri tjetër të vetën, ku fitimet do t’i kishte të gjitha për vete, dhe, përpos kësaj, kundrejt ardhjes që ky i fundit do të bënte në Fier për të plotësuar dokumentacionin, do t’i paguanin atij një rrogë mujore prej 100 000 lekësh.
Tregtia e naftës
Nëpërmjet njohjeve, Bensik Murataj ka arritur të sigurojë një kontratë me kompaninë “Strem Oil”, me anë të së cilës mund të blinte naftë bruto me qëllim tregtimin e saj. Sipas faturave të shitjes, rezulton se shoqëria “Mobil Albania” ka kryer blerje të naftës bruto te shoqëria “Stream Oil Gas”, l.td, në shumën totale prej 31 milionë lekë të reja. “Kjo shoqëri (Mobil Albania) ka bërë blerje të naftës bruto gjatë muajve Maj – Gusht të vitit 2010 në shumën prej 33 milionë e 965 mijë lekë të reja, që i korrespondon sasisë prej 1 milion e 476 mijë e 743 kilogram naftë bruto. Çmimi i blerjes së naftës referuar aktit të konstatimit është 23 lekë/kg”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Kjo sasi nafte është shitur nga të arrestuarit te kompani apo fabrika të ndryshme që përdorin si lëndë të parë naftën bruto ose solarin. Blerësit kryesor sipas verifikimeve rezultojnë të jenë furrat e bukës apo fabrika të tjera që operojnë kryesisht në zonën e Fierit. Nga tregtimi i kësaj sasie nafte, të arrestuarit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë pasur përfitime të konsiderueshme financiare, të cilat janë shtuar nga mospagimi i taksave dhe tatimeve për këtë aktivitet tregtar. Po ashtu, rezulton se gjatë këtij aktiviteti ideuesit e skemës mashtruese kanë deklaruar sasi më të vogla nafte nga sa kanë tregtuar realisht, duke tentuar kështu të ulin masën e detyrimeve që kanë ndaj Tatim-Taksave. “Shoqëria Mobil Albania” ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të detyrueshme për t’u paguar. Kështu nuk rezulton të jetë paguar akciza e pagueshme për sasinë e shitur prej 1 476 743 litra lëndë djegëse. Kjo shoqëri nuk ka paguar as TVSh-në, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15 986 415 lekë”- tha prokuroria.
Pastrimi i parave
Pas gjithë këtij aktiviteti që bazohej në krijimin e kompanisë fantazmë dhe shmangien e detyrimeve ndaj shtetit, të dyshuarit kanë menduar edhe mënyrën sesi do të legalizonin të ardhurat e fituara. Sipas hetimit, rezulton se një prej shoferëve të arrestuar, Dylejman Qerimi, ka shërbyer si ndërmjetës kryesor për të lidhur shtetasin Besnik Murataj me shtetasin Selman Doçi. Po ashtu, hetimi ka përcaktuar edhe rolin e Ervis Sinanajt, me profesion ekonomist. I gjithë dokumentacioni i nevojshëm për këtë aktivitet, sipas prokurorisë, rezulton se është përpiluar nga shtetasi Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore. “Të gjitha transaksionet bankare janë kryer nga shtetasi Ervis Sinanaj, ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman Doçi. Shtetasi Ervis Sinanaj veprimet bankare i ka kryer në BNT, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir Sinanaj”- thuhet në dosjen e Prokurorisë së Fierit. Sipas saj, të arrestuarit dyshohen si përgjegjës për konsumimin e disa veprave penale, të tilla si “pastrim të produkteve të veprës penale” në bashkëpunim, “mashtrimit”, dhe “falsifikimit të dokumenteve”.