Dyshime për pastrim parash, pesë biznesmenë nën hetim
Prokuroria e Tiranës ka nisur një proces verifikimi për të paktën pesë biznesmenë, të cilët kanë kryer transaksione të shumta financiare jashtë vendit. Sipas denoncimit, biznesmenët dyshohen për pastrim parash, por gjithçka pritet të vendoset pas procesit verifikues
Tiranë Prokuroria e Tiranës ka nisur një proces verifikimi për të paktën pesë biznesmenë, që dyshohet për pastrim parash. Faza paraprake e hetimit ka nisur pas referimit në prokurori të materialeve, të cilat hedhin dyshime se biznesmenët në fjalë mund të jenë përfshirë në një skemë të pastrimit të parave. Lajmi konfirmohet nga burime të rezervuara, të cilat thanë se kanë nisur verifikimet për një grup biznesmenësh që kanë pasur transaksione të shumta financiare brenda dhe jashtë vendit. Fillimisht materialet janë referuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare, dhe më pas nga policia e kryeqytetit. Sipas të dhënave të para, mësohet se të dyshuar për një skemë të mundshme të pastrimit të parave janë një grup prej pesë biznesmenësh që kanë aktivitetin e tyre në kryeqytet. Burimet nuk japin detaje rreth identitetit të të dyshuarve, pasi çështja është në proces verifikimi, por konfirmohet se dyshimet janë bazuar te transaksionet e shumta që ata kanë kryer brenda dhe jashtë vendit. Të dhënat e para tregojnë se biznesmenët me aktivitet në disa fusha biznesi, rezultojnë se muajt e fundit kanë kryer transaksione të shumta financiare, me vlera relativisht të konsiderueshme. Dyshimet e para tregojnë se aktiviteti tregtar që ata kryejnë nuk justifikon shumat e transaksioneve që janë kryer nga kompanitë në pronësi të tyre. Fillimisht ky pritet të jetë objekti i verifikimeve që prokuroria po kryen në bashkëpunim me policinë dhe Drejtorinë Kundër Pastrimit të Parave. Nëse një dyshim i tillë konfirmohet, atëherë prokuroria pritet të nisë një hetim të detajuar për të përcaktuar burimin e të ardhurave. Sipas legjislacionit shqiptar, hetimet për raste të tilla janë tepër të vështira për të qenë efektive, pasi ligji përcakton se fillimisht duhet të provohet vepra penale. Vepra penale për të cilën dyshohen biznesmenët, është ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, çka do të thotë se më parë duhet të provohet ekzistenca e një vepre penale. Tashmë çështja është në proces verifikimi nga ana e organeve hetimore, të cilët brenda muajit pritet të vendosin nëse do të regjistrojnë procedimin penal për “pastrim të produkteve të veprës penale”, ose mosfillimin e hetimeve. Ky është një nga rastet e referuara në prokurori për pastrim parash, pasi vetëm pak kohë më parë drejtori i Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave tha se pranë organit të akuzës janë përcjellë edhe të paktën 8 politikanë. Sipas z.Arben Doçi, të kallëzuarit dyshohet se kanë kryer pastrim parash brenda dhe jashtë vendit. Në prononcimin për mediat kreu i Njësisë së Inteligjencës Financiare përcaktoi edhe disa fusha të preferuara për pastrimin e parave që vijnë nga burime të dyshimta. Aktualisht Prokuroria e Tiranës ka nën hetim një tjetër çështje të bujshme me objekt pastrimin e parave. Bosi i kompanisë së fluturimeve “Albania Arilines”, Ali Evsen, dyshohet se ka kryer një aktivitet të tillë, pasi të dhënat tregojnë për transaksione në shuma të konsiderueshme parash jashtë vendit. Për këtë arsye, prokuroria urdhëroi sekuestrimin e të gjitha llogarive bankare që Evsen dhe kompania e tij zotëronin në Shqipëri, duke lënë të lira vetëm dy llogari për kryerjen e pagesave ndaj shtetit dhe punonjësve.
L. Bakillari