E Diel, 1 Nëntor 2026

Në "Bernabeu" ka Milan shou, Pato shokon Realin

Surprizë e Milanit në "Bernabeu". Një fitore e mrekullueshme 2-3 në fushën e Realit të Madridit, ku golat mbajnë firmat e Raul, Pirlo, Pato, Drenthe e sërish Pato, që ka vulosur një ndeshje spektakolare dhe me shumë emocione, sidomos në pjesën e dytë. Në pjesën e parë, një gafë e shëmtuar dhe foshnjarake e Didës, i ka dhuruar Raulit golin e avantazhit për Realin, i cili nuk ishte se u lodh shumë. Është për t‘u thënë se në favor të madrilenëve ishte edhe një penallti neto (Zambrota ndërhyri në mënyrë të parregullt ndaj Benzemasë), të cilën gjyqtari e ka injoruar. Me gjithë vendosjen e guximshme, kuqezinjtë nuk arrijnë të çajnë një mbrojtje të parezistueshme. Milani bën shumë pak gjëra edhe në fillimin e pjesës së dytë, ndërkohë që Reali krijon një volum të madh loje, shumë raste, por Dida i ka ndalur. Në një moment kur asnjë nuk e prishte, në minutën e 62-të një gjuajte e Andrea Pirlos nga rreth 30 metra përfundon në rrjetë, duke firmosur kështu një supergol për barazimin 1-1. Reali hidhet përpara, por Milani arrin të ndërtojë dhe një tjetër aksion dhe është Pato ai që ndëshkon vendasit pas 4 minutash me golin e dytë. Në atë moment spanjollët numëronin vetëm 7 gjuajtje në kuadrat dhe një gol, ndërsa italianët vetëm 2, por të dyja kishin përfunduar në rrjetë. Në minutën e 76-të baraspeshon gjithçka në 2-2 Drehnte. Më pas vijnë dy gola të anuluar, por pas atij të Milanit, ka një përplasje mes Ronaldinjos dhe Raulit, ku braziliani është ai që e provokon kundërshtarin. Kjo bën të humbasin kontrollin shumë lojtarë, të cilët përfshihen në një polemikë të pafrytshme. Por vetëm pak minuta më vonë është sërish Pato ai që shokon "Bernabeun" në minutën e 88-të: pas një asisti të kalibruar të Sedorf, talenti brazilian shkund për të dytën herë rrjetën e Kazijas. Koha nuk mjaftonte më dhe fërshëllima e gjyqtarit bëri që Milani të largohet nga Spanja me një fitore historike, e cila do të mbahet mend gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›