E Diel, 1 Nëntor 2026

Modeli dhe alternativa e minoritarëve

Zhvillimet e fundit politike në vend janë duke prekur edhe pjesëzën e minoritetit etnik grek. Lëkundjet e shndërrimeve të pritshme kanë krijuar rrathët ciklikë edhe në radhët e PBDNJ-së dhe Omonias. Njoftimet më të fundit flasin për daljen e një force tjetër në minoritet me emërtesën “Bashkimi i Grekëve të Shqipërisë për Demokraci”. Ndërkaq humbja e besimit të mbi 90% të minoritarëve etnikë nga Dule e Bollano është një rrymë e konsiderueshme që kërkon një strehë të re dhe një model të ri. Interesante paraqitet performanca e përfaqësuesit të minoritarëve në qeverinë aktuale, i cili  ditët e fundit ka shtuar aktivitetin e tij politik. Që me shfaqjen në komisionet parlamentare, me fjalimet e tij në Parlament, me menaxhimin e solidaritetit të minoritetit me familjet e përmbytura në Shkodër me daljet në krah të ministrave me më rëndësi të kabinetit qeveritar e deri tek takimi i fundit sëbashku me Janullatosin dhe Berishën, përfaqësuessi i minoritarëve grekë po shfaqet si alternativë me të ardhme shumë premtuese. Zhvendosja e rëndësisë politike nga binomi Dule-Bollano tek Ministri aktual i Punës po ndodh natyrshëm dhe shumë normalisht dhe për cilindo vëzhgues të politikës është një fakt i parashikueshëm e i provueshëm. Deri më tani tek pjesa e minoritetit shifrat janë kokëforta dhe flasin për një punësim më të madh gjatë kohëve të fundit. Madje është rritur dukshëm edhe besimi i kredituar i qeverisë aktuale tek nivelet e larta të administratës shtetërore që drejtohen nga minoritarë. E gjithë kjo klimë e veçantë dhe shumë pozitive e krijuar nga qeveria Berisha për zonat e minoritetit ku investimet në infrastrukturë, në kapacitete njerëzore e intelektuale janë padyshim pjesë e strategjisë së mençur të Kryeministrit aktual, shkon drejt konsolidimit. Ruajtja e balancave dhe e ekuilibrave nga Ministri minoritar është një dëshmi tjetër e qëndrueshmërisë së vizionit afatgjatë qeverisës që kabineti Berisha po injekton në të gjitha nivelet. Kredencialet politike të Ministrit të minoritarëve vazhdojnë të rriten edhe pas ngjarjes së fundit ku atij iu refuzua mbajtja e fjalës në një takim të OMONIA-s nga frika që kanë kundërshtarët e tij, ai është kthyer në pikë reference. Mbështetja dhe bashkëpunimi që po i ofron përfaqësia diplomatike e Greqisë, shkëmbimet e mesazheve personale me udhëheqësit e politikbërjes në Athinë, kujdesi i vazhdueshëm për zonën e tij elektorale dhe më gjerë janë gjurmë të një strategjie të qartë për të rritur mbështetjen ndaj profilit të tij politik. Dhe e gjitha kjo ndodh në një kohë kur minoritarët etnikë gjithnjë e më shumë po guxojnë të flasin për shkeljet me pronat e tyre nga vetë pseudopërfaqësuesit e tyre. Gjithnjë e më shumë po guxojnë të thonë abuzimet që janë bërë me pushtetin, me emërimet, me vizat etj nga drejtuesit ende në detyrë të PBDNJ-së dhe Omonia-s. Kapërcimi i një mentaliteti të kaluar dhe përqafimi i një vizioni evropian për të ardhmen e të gjitha zonave të minoritetit është ende një sfidë që duhet të përballojë modeli i ri i politikanit në minoritet. Garantimi i krijimit të një lidhjeje të drejtpërdrejtë të krerëve të bashkive apo edhe komunave të zonave të minoritetit apo edhe më gjerë në jugun e Shqipërisëe me hallkat e pushtetit, i jep përprësi alternativës të shfaqur nën qeverinë Berisha. Garantimi i aksesit në fondin për infrastrukturën dhe rezultati i rritjes së investimeve publike për të gjitha këto zona, pavarëisht se janë apo jo pjesë e elektoratit të Ministrit të minoritarëve, është një risi që shkon në favor të të gjithëve. Menaxhimi racional dhe vizionar i shërbimeve sociale, gjetja e mënyrave të reja të reduktimit të varfërisë, kontrolli mbi skemën e ndihmës ekonomike dhe disiplinimi dhe orientimi i aktiviteteve të OJF-ve sipas prioriteteve kombëtare e qeveritare janë mekanizma që vecse ndihmojnë modelet e reja të kenë sukses të garantuar në tregun politik të vendit. Dhe në këtë mision që e reja ka ndërmarrë me kohë në gjithë territorin shqiptar, modeli premtues i përfaqësuesit të minoritarëve në qeverinë Berisha qëndron alternativa më e mirë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›