Një lajm me prapaskenë të gjykuar nga mendje perverse
Duke shfletuar shtypin e sotëm shqiptar në internet, përpos të tjerave, më tërhoqën vëmendjen dy lajme. Njëri, i gazetës 55, njoftonte se e paskan rrahur gazetarin Mero Baze për të tretën herë. Ky lajm, pak a shumë, nuk përbënte ndonjë të re, të papritur. Ajo çka të ngjallte dyshime, ishte pse drejtori i “TemA”-s nuk paska denoncuar në polici, siç do të bënte çdo njeri i rrahur. Punë e tij dhe unë nuk kam ndërmend t’u hyj hamendjeve: a ishte faji i të rrahurit apo i rrahësit.Lajmin e dytë, duke anashkaluar të parin, e jepte në editorial vetë drejtori i ‘TemA”-s: gazeta e tij dilte sot në treg për herë të fundit. Kjo, të them të drejtën, më befasoi. Një nga gazetat më të kërkuara dikur, po i mbyllte dyert e veta. Pse? çfarë kishte ndodhur në rrugën e pafat të asaj gazete transzhener? Gati e përpiva editorialin dhe, të them edhe njëherë të drejtën, nuk gjeta ndonjë gjë të re. Ishin gërgëre tashmë të njohura dhe, për fat të keq të drejtorit, të pabesueshme për lexuesin me mend në kokë. Ankime për presione nga ana e policisë, ankime për gjendjen ekonomike të gazetës, ankime për drejtësinë, ankime për mungesë reklamash e të tjera si këto. Për të gjitha, fajin e paskësh qeveria dhe kryeministri që i rënkan në qafë vetëm “TemA”-s, thua se nuk ka gazeta të tjera të majta në tejskaj, më të hershme se gazeta e zotit Baze, që s’bëjnë tjetër, veç i bien kavallit në të njëjtën vrimë që po i bie “TemA”, pasi ndërroi gjini. Tashmë, shqiptarët janë tejngopur me pallavra, janë velur me shpifje të pafre nga ato “investigimet” e Bazes që, në fund të fundit kanë rezultuar në hiç. Ankimet e sotme, të cilat duan t’i mbulojnë me vel arsyet e vërteta të mbylljes së përkohshme të gazetës “TemA”, u ngjajnë thirrjeve të bariut në mal kur kishte rënë vërtet ujku në vathë, dhe fshati nuk lëvizi vendit pasi dyshonte te bariu që i kishte mashtruar një herë. Edhe sikur të ketë ndopak të vërtetë në ndonjë nga thëniet e Bazes, njeriu nuk ka arsye ta marrë në konsideratë. Madje - Falmë Zot mëkatin! – unë dyshoj që edhe rrahja e tretë, çka nuk do t’ia dëshiroja askujt në botë, është e stisur enkas për publicitet mediatik, si parathënie e mbylljes së gazetës. Sot nuk përbën ndonjë të re fakti që zoti Baze, pasi e moli mirë gazetën e tij, e shiti si frëngu pulën, pastaj e bleu sërish për hiçmosgjë ose ia fali dikush, - kjo ka pak rëndësi, në mos fare, - pastaj iu kundërvu Këshilltarëve demokratë të Bashkisë së Tiranës duke votuar përkrah kundërshtarëve, pastaj kapërceu me gjithë gazetë përmbi ylber, pastaj u nda me të djathtën, leu buzët me të kuq dhe u fut gjinindërruar në gji të së majtës, pastaj lëpiu gjithçka kishte pështyrë kohë më parë e pastaj, e pastaj... Nuk do të jetë e largët dita që Bazen ta shohim sërish në tregun mediatik me risi të tjera. Në deklarimin e vetëfalimentimit të gazetës, drejtori Baze është “i vetëdijshëm se modeli i shpërblimit që ka prodhuar qeveria Berisha me median servile të saj dhe modeli i ndëshkimit që prodhoi me gazetën “TemA” do t’i rëndojnë gjatë në ndërgjegje shoqërisë shqiptare që e pranoi dhe u konfirmua me këtë situatë”.Lepuri, pra, fjetka tjetërkund.E para pyetje që të shkon në mendje kur lexon këtë pjesë të apologjisë së Bazes, do të ishte: sa për qind të mediave shqiptare kontrollohen sot nga e majta dhe sa për qind nga e djathta? Përgjigjja do të ishte e tepërt. Tashmë, ta thotë çdo shqiptar që ble të paktën një gazetë në javë, ose që sheh një program televiziv për probleme të politikës në Shqipëri.Këtu fshihet edhe e vërteta e largimit të gazetës “TemA” nga tregu mediatik. Sot për sot, kur pritet të zyrtarizohet drafti i rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Europës për Ballkanin, çka, dihet, mbështet reformat e qeverisë shqiptare, opozita e dështuar e së majtës do të donte të hidhte sa më shumë baltë mbi shumicën qeverisëse të kryesuar prej Kryeministrit Berisha. A nuk e bëri këtë ajo farë opozite kur shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore të përmbytjeve për të mbledhur ndopak kapital politik? A nuk e bëri këtë me vrasjen aksidentale të ndjerit Trebicka? A nuk e ka bërë dhe po e bën sot e gjithë ditën me fatkeqësinë e Gërdecit, për çka ende nuk e ka thënë fjalën e saj drejtësia? Aksiomën e përfitimeve politike dhe jopolitike përmes mashtrimesh të çdo lloji, e ka mësuar përmendsh Mero Baze dhe është gati ta zbatojë, duke e hedhur në ankand, sa herë të ketë nevojë usta Edvini. Ja edhe shkaku i vërtetë i mbylljes së gazetës. Të tjerat janë vetëm fjalë, fjalë, fjalë, propagandë që kanë vlerën e lotëve të krokodilit. Hë për hë, e majta edviniste e ka zhvendosur qendrën e rëndesës së saj politike në frenimin e reformave, në përbaltjen e çdo rezultati të arritur nga ana e qeverisë, në fund të fundit, në nxirjen emrit të mirë që ka marrë Shqipëria, pas kthesës historike të vitit 2005. Nga ky kontekst i llumit politik edvinist, nuk mund të bënte përjashtim gazeta transzhener e Mero Bazes, madje ajo mori në duar flamurin e betejës: në Shqipëri nuk paska liri të shtypit!I ndërgjegjshëm për habinë publike që do të shkaktojë vepra e tij më e fundit, harakiri i gazetës, Baze thotë se disa do të trishtohen dhe disa të tjerë do të gëzohen, kur ta mësojnë. Me këtë rast, i ndan njerëzit në kategori të ndryshme, s’do mend, sipas masës së vet: disa i fut në thesin e atyre që do të gëzohen, disa në të atyre që do të trishtohen. Nuk dua merrem me klasifikimin. është e drejta e tij t’i klasifikojë njerëzit si të dëshirojë.Së pari, zotin Baze të mos e hajë meraku se do të trishtohen lexuesit e djathtë, kur të mësojnë se “TemA” u mbyll. Ajo nuk ka më lexues të djathë. Ata që e lexojnë, nuk janë lexues të zakonshëm, janë profesionistë të cilëve u duhet të kapërdijnë gjithçka, duke gjykuar për të vërtetat e të pavërtetat e shtypit.Së dyti, të paragjykosh se kolegët ndiejnë gëzim kur mbyllet një gazetë, për mua është gabim i pafalshëm. Nuk besoj të ketë gazetar në botë (jo grafoman, të kuptohemi) që të gëzohet kur mëson se u mbyll kjo ose ajo gazetë, qoftë në xhunglat e Amazonës, qoftë në akullnajat ku jetojnë njerëz. Shtypi ka rolin e vet human. Këtë e di zoti Baze më mirë nga unë, pavarësisht si e ka përdorur ai shtypin në zigzaget e tij politiko-mediatike. Në këtë kontekst, zoti Baze bën një pohim tepër të pështirë ndaj kolegëve: “I siguroj se edhe ne do të gëzohemi që ata (kolegët, EB) ndihen mirë për mbylljen e gazetës. Së paku ia kemi dalë që në mungesë të frikës nga ligji, të kenë pasur një frikë dhe makth nga media”.Me këtë pohim, zoti Baze ngjitet në kulm të cinizmit. Nëse a i beson me të vërtet që një gazetë, cilado qoftë, mund të zëvendësojë ligjin, duke shkaktuar ndër kolegë e më tej tmerr e makth me të vërtetat dhe të pavërtetat e saj, e paska harxhuar kohën kot që është marrë me gazetari. Do të bënte mirë t’i kthehej profesionit të përfituar nga studimet universitare. Mbase do t’i shërbente më mirë vetes dhe Shqipërisë, nëse e ndien veten sadopak shqiptar....