“Modeli i Ramës i rrezikshëm, truri i tij ekonomik, Koço Kokëdhima, armik i betuar i investimeve”
Kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me biznesmenë të qytetit të Elbasanit: Filozofia e djathtë e taksës së sheshtë dhe iniciativë e lirë, katalizatori i zhvillimit të biznesit
Deklaratat e forta
-Ulja e taksave e bën Shqipërinë një destinacion ekonomik për investimet e huaja
-Ekonomia nuk është qeveria, ekonomi janë biznesmenët, janë bizneset
-Infrastruktura rrugore, parakusht i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me biznesmenë të qytetit të Elbasanit. Gjatë këtij bashkëbisedim Berisha bëri një sintezë të politikave që ka ndjekur qeveria e drejtuar prej tij ndaj biznesit duke u ndalur tek rëndësia e filozofisë së simbiozës së bashkëpunimit shtet-biznes, taksës së sheshtë dhe heqja e TVSH dhe tarifës doganore për çdo makineri që përdoret për prodhim. Më pas kryeministri Berisha theksoi se biznesi përjeton vështirësi si pasojë e krizës evropiane dhe nënvizoi se anti-biotiku për të mundur anomalitë që rezonon kriza botërore është filozofia ekonomike e së djathtës, jo e së majtës, sidomos e asaj të partisë socialiste së Edi Ramës e cila kërkon të eksperimentojë mbi ekonominë shqiptare një taksën “gijotinë” si ajo progresive, kryefaktorin që po sjell dështimin e së majtës në Francë që vitin e parë.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë, sepse biznesi i këtij qyteti, Dhoma e Tregtisë së këtij qyteti ka qenë një mbështetje për programin e Partisë Demokratike. Program, i cili ka patur një qëllim madhor të shpallur publikisht, do të bëjmë gjithçka për një klimë miqësore ndaj biznesit, ky ishte i tërë përkushtimi ynë. Do të ulim taksat, do të përpiqemi të ofrojmë shërbimet më të mira. Kjo filozofi funksionimi, nuk ka asgjë të përsosur, por besoj se me ju biseda është më e thjeshtë. Në këtë kohë shtrëngate të vërtetë ekonomike, shtrëngate të paparë në 90 vitet e fundit, më e egra. Anija e këtij vendi të vogël nuk u përplas në shkëmbinj. Anija ekonomike e këtij vendi të vogël jeni ju, sepse ekonomia nuk është qeveria, ekonomi janë biznesmenët, janë bizneset, qeveria ka reformat, ka ligjet, ka ndryshimet, por gjithçka tjetër përcaktohet nga mëndja juaj krijuese, nga djersë juaj. Por kjo anije as nuk u përplas dhe as nuk mori ujë. Unë e kuptoj se keni përjetuar vështirësia, sepse nuk ka diskutim, të kesh dy fqinjët më të mëdhenj dhe dy fqinjët me të cilët ke shkëmbimet më të mëdha, në një gjendje të pa precedent në historinë e tyre, natyrisht që ajo pasqyrohet tek ne. Ama edhe para dy javësh Komisioni Europian shpalli se Shqipëria ishte një nga katër vendet jashtë eurozonës, që pati rritje ekonomike dhe mes këtyre katër vendeve Shqipëria pati ulje të papunësisë dhe kjo është merita juaj . Ka funksionuar filozofia jonë, e cila është, ne ju mbështesim juve që ju të krijoni vende të reja pune. Nëse do të ecim me filozofinë të krijojë qeveria vende pune. E gjithë barra e tmerrshme do të binte mbi ju, se vendet e punës së qeverisë janë dy herë më të rënda, për shtetin dhe për vendin në tërësi, ndaj dhe ne i kemi besuar biznesit si gjenerator kryesor i vendeve të punës. Për ju dhe për ne, por për vendin në tërësi është një lehtësim i madh, që gjatë vitit 2012 siç afirmoi jo vetëm Komisioni Europian, por edhe Banka e Shqipërisë u krijuan vende pune, të cilat ulën papunësinë. Çfarë ndodhi në vendet e tjera? Në vendet e tjera ? Në vendet e tjera papunësia u dyfishua. Cilido që dëshiron le të marrë dhe të klikojë për papunësinë në Serbi, në Maqedoni, Kroaci dhe në Rajon. Cilat janë shifrat? Kjo është meritë e biznesit, është meritë e juaja. E them sërish jeni përball me vështirësia, por një gjë ju garantoj, se kjo qeveri ka besim absolut, se ky vend zhvillohet duke zhvilluar biznesin, se shqiptarët punësohen duke fuqizuar biznesin, se shqiptarët pasurohen duke zhvilluar biznesin. Ideja për të shkatërruar të pasurit gjoja për të ndihmuar të varfrit është shkatërrimtare për të gjithë shoqërinë. Ideja që të bëjmë Shqipërinë të punojë për qeverinë dhe jo qeverinë për qytetarët është rrënuese . Ne siç e tha Presidenti i Dhomës së Tregtisë vendosëm taksën e sheshtë. U mjaftuam ne me të? Jo. Kemi marrë një hap të dytë të madh para dy muajsh, kemi hequr çdo TVSH dhe tarifë doganore për çdo makineri që përdoret për prodhim. Familja Marku brenda një viti ka investuar këtu rreth 2.8 milion euro, por do të jetë minus 20 për qind kostoja e investimit që do të bëjë për repartin tjetër. Ne bëjmë gjithçka për t’jua zgjeruar juve lirinë, problemi është shumë filozofik, ne besojmë tek lira e individit. E vërteta është se ata që besuan tek liria e individit dhe nëse hyjmë tek doktrina ekonomike, ata ngritën një monument që kurrë nuk do të shembet më. Mund ta kritikojnë mund ta qortojnë, por kurrë nuk do të kthehen më. Kaq e vërtetë është sa ish- kryeministri i Britanisë së Madh Tony Bler, që erdhi katër vite pas largimit të Margaret Theçer, i majtë , laburist u dëshmua theçeristi më i flaktë. Çfarë ishte theçerizmi? Besim tek liria e individit, tek iniciativa e lirë e individit, ky ishte i tërë thelbi i saj, por nëse beson tek liria e individit dhe iniciativa e lirë, nuk mund të rrisësh taksën, sepse ti e rrethon atë pastaj, atë liri e ke liri në rrethim dhe ne nuk mendojmë asnjëherë të rrisim taksat. Unë ju garantoj juve se nuk është kjo paketa e fundit e rritjes së taksave, do të ketë paketë tjetër të uljes së taksave. Unë asaj që i besoj, as i qëndroj, por nuk bëhen dot të gjitha përnjëherësh , sepse duhet të ecësh me kujdes. Kur ne vendosëm taksën e sheshtë, ata burra dhe vajza që kisha përpara djersitën. Çfarë ju thash? Le të jenë minus të gjitha këto, por e di që i kanë mbetur biznesit. E ngushtojnë buxhetin le ti mbetën biznesit, sepse ai e përdor më mirë se ne. E vërteta është se ato nuk munguan në buxhet, sepse buxheti u shtua më shumë pasi u shtuan bizneset”, u shpreh Berisha.
Më tej, kryeministri bëri një bilanc të gjendjes ekonomike në vend, duke theksuar se bizneset e mesme dhe të mëdha janë trefishuar dhe se rritja e prodhimit të brendshëm është më e shpejtë se në çdo vend tjetër. Sipas kryeministrit, ato para qeveria po i përdor në funksion të qytetarëve dhe të bizneseve. Në kuadër të investimeve që ka kryer qeveria e tij, Berisha nënvizoi rëndësinë e infrastrukturës rrugore, si parakusht për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë.“Unë e kuptoj se keni pasur probleme me autoritetet dhe është e pashmangshme, por një gjë dua t’ju them. Bizneset e mesme dhe të mëdha janë trefishuar, kjo është dëshmia. Në këtë vend rritja e prodhimit të brendshëm është më e shpejtë se në çdo vend tjetër. Ne ato para jemi përpjekur t’i përdorim në funksion të qytetarëve dhe të bizneseve. Në infrastrukturë ne kemi investuar në të katër anët e vendit. Unë isha në grykën e Vanajt në Shishtavec dhe gjeta aty, që po ndërtoheshin 11 hidrocentrale, nuk e dija unë shkova për të inauguruar një. Pronari u shpreh aty se këtë e kam partneritet publik-privat, sepse po të mos ishte kjo rrugë ai tha se nuk do ta ndërtoja hidrocentralin, pra rruga e bëri të mundur ndërtimin e hidrocentraleve. Ne do të punojmë për tu mbështetur ju në të gjithë përpjekjen tuaj për lulëzimin e bizneseve tuaja”.
Duke komentuar taksën progresive të propaganduar me forcë nga Rama, kryeministri Berisha theksoi se ajo është një model që është provuar të ketë efekte negative në ekonomi. Hapjen e një zyre për ankesat në kryeministri, kryeministri e cilësoi si një demaskim të injorancës së Ramës në rrafshin e koncepteve ekonomike dhe ligjore.
“Ka një model tjetër, që del tani në arenë. Modeli i rritjes së taksave? Modeli i rritjes së taksave aty ku është tentuar, aty po çon poshtë dhe nuk po përmirëson. Çfarë do të thotë kjo? Ti je drejtues i një kompani private dhe u dashka që ti të mos përcaktosh rrogën tënde, por ta përcaktojmë ne me taksën , këtë nuk e bëjmë. Mashtrimi i radhës, taksa e sheshtë është taksë proporcionale zotëri. Kjo taksë sa më të madhe të kesh rrogën aq më shumë do të paguash kjo është e vërteta është taksë proporcionale, por ama nuk mund të jetë taksë gijotine, që po kalove këtej unë të këpus me 60 për qind . Ne atë se bëjmë kurrë. Nuk ka rëndësi kjo. Ka rëndësi si gjest moral si qëndrim moral. Kjo do të thotë që t’ju thuash juve merrni të gjithë pasaporta të atyre vendeve që nuk e kanë këtë taksë dhe të shkoni të jetoni atje. Këtë nuk e bëjmë ne. Unë them se ajo që del në horizont jo vetëm që është absurde, por është e rrezikshme. Ne kemi një autoritet tatimor, me të metat, dobësitë, të mirat e tij, por ky autoritet tatimor është i ndërtuar mbi një model, plus minus si të gjitha vendet e tjera. Ky autoritet tatimor po ecën drejt modernizimit është e padiskutueshme. Kemi vënë pagesën mobile dhe do të bëjmë sëbashku çdo lloj procedure për transparencë, por asgjë nuk ka më të rrezikshme sesa të shprehesh për komisione të plotfuqishme, të jashtëzakonshme. Për çfarë i do komisionet e plotfuqishme të jashtëzakonshme? Në një vend demokratik as që mund të mendoj kurrë përveçse katastrofës natyrore, që të krijoj një komision emergjence, sepse për asgjë tjetër nuk mund të mendoj, sepse është kushtetuta që s’të le që nuk pranon, që të jep fuqi të jashtëzakonshme. Nuk mund të kesh ti fuqi të jashtëzakonshme. Ti ke fuqi ligjore dhe ai ligj është bërë për ti kushtëzuar ekzekutivit fuqitë. Do të ngremë një zyrë, për ankesat pranë kryeministri. Çfarë zyre do të ngrihet për ankesat pranë kryeministrit? Ka një sistem ligjor në çdo vend. Nuk ka kryeministër në botë që nuk shqyrton ankesën e një biznesmeni. Me seriozitetin më të madh, por ai nuk mund të ketë një zyrë, ai e shqyrton nëpërmjet institucioneve. Kryeministri nuk është ligji. Jo. Veçanërisht përsa i përket bizneseve. Ligji është ligj dhe nuk mundet që të jetë kryeministri ligji. Ky zotëri që promovon këto, ky është një bosh absolut në rrafshin e koncepteve ekonomike dhe ligjore. Ai është piktor dhe nuk kam asgjë me të. Edhe unë jam doktor dhe mund të ketë të tjerë nga fusha të tjera, por je i detyruar të lexosh, të mësosh, je i detyruar të përkushtohesh, ose të mbyllim gojën dhe të flasin zyrtarët. Por të dalësh ,me platforma të tilla, sipas të cilave, borxhi duhet të matet si përqindje e GDP, apo zyrë e veçantë për ankesa pranë kryeministrit, apo komisione të jashtëzakonshme , kjo përben rrezik në vetvete”.
Duke komentuar kryelajmin e listës së PS-së me prezantimin e biznesmenit dhe mentorit të Ramës, z. Koco Kokëdhima, kryeministri Berisha u shpreh se Rama po sjell në skenë trurin e tij ekonomik, njeriun që është armik i betuar i investimeve. “ Paqëndrueshmëria konceptuale e z. Rama dhe mjerisht, tani njeriu që del në piedestal si truri i tij ekonomik, z, Kokëdhima. Se unë i dija marrëdhëniet e tyre, ndaj them se është rrezik, dhe askush nuk me besonte mua kur thosha se ai është nënkryetar i PS, por sërish unë thoja ato që besoja. Rama tani vjen në skenë me një njëri, i cili është armik i betuar i investimeve të huaja dhe investimeve në tërësi . Lexoni shkrimet në mediat e tij. Ky model që serviret është absolutisht i rrezikshëm”, përfundoi ai.