E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gixhari: Media nuk po promovon figurat e partive të tjera përveç PS dhe PD

Nga L.Progni

Gerta Gixhari është njëra prej kandidateve për deputete të LZHK në zgjedhjet e 28 qershorit për qarkun e Tiranës. Vjen nga shoqëria civile, nga fusha e medias, dhe ndjehet e sigurt për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të elektoratit që ajo kërkon të përfaqësojë. Gerta është një nënë e re që kërkon të ndikojë në politikë në krijimin e një fryme tjetër veprimi dhe bashkëpunimi

Si ju duket përfshirja e të rinjve në politikë në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha partive? A është një zhvillim pozitiv në drejtim të rritjes së nivelit të demokracisë në Shqipëri?

Përfshirjen e të rinjve në politikë e shikoj nga dy anë, pozitive dhe negative. Pozitive për faktin se rinia sjell gjithnjë rigjenerim, ndërsa negative më duket si mbartëse e energjive të pashfrytëzueshme. Ky term tingëllon i përgjithshëm, por rininë e sotme e konsideroj si një energji të shkuar dëm, e cila nuk kontribuon për vendin e vet. Kjo, jo nga dëshira, por nga pamundësia për t’u përfaqësuar denjësisht në të gjithë faktorët vendimmarrës ndaj një sovrani. Më vjen mirë që partitë politike konkurrojnë në këtë vit elektoral me lista, ku të rinjtë përfaqësohen dhe është një hap pozitiv, pasi vendi ka nevojë për ide të reja të përshtatshme me kohën në të cilën jetojmë, ku zhvillimi global po avancon me hapa gjigantë. Në politikën tonë mungesa e të rinjve në politikë i ka lodhur pak njerëzit, pasi të dyja partitë e mëdha janë rrotulluar gjithnjë tek të njëjtët emra. Tashmë ky fenomen duhet stopuar, pasi shumë personazhe janë të tej-konsumuar, ku shumë deputetë aktualë kanë kaluar mbi 4-5 legjislatura, pra le të themi që numri i atyre deputetëve që kanë një mandat është i pakonsiderueshëm. Vendi ynë ka nevojë për ripërtëritje dhe më mirë sesa të rinjtë nuk e sjell askush tjetër. Nuk mendoj që përfshirja e të rinjve në vendimmarrje të tejkalojë kufijtë, pasi edhe asistenca e politikanëve me eksperiencë është e domosdoshme për drejtimin e një vendi, por këto dy gjëra duhet të ndërthuren bashkë që të arrijmë në perfeksion të ideve, duke i vënë në zbatim. Në këtë mënyrë rritet niveli i demokracisë në Shqipëri.

Duke qenë pjesë e të rinjve që hyjnë për herë të parë në politikë, nuk ju duket se ka një fluks të tepërt të të rinjve, jo vetëm në partinë tuaj, por në të gjitha partitë? A rrezikon që kjo të kthehet thjesht kartë në dorën e “ustallarëve” të politikës për të përdorur të rinjtë në politikë me qëllim përfitimin e votave?

Jo të gjithë emrat e listës së partive politike i njoh apo i kam dëgjuar më parë. Por vura re se në dhjetëshen e parë të listës së Tiranës apo në 3-5 të parët e qarqeve të tjera ka emra të pakonsumuar më parë. Koncepti i të rinjve në politikë nuk ka kriter të vetëm moshën, por edhe përfshirjen e tyre për herë të parë, pasi, edhe pse nëpër lista ka politikanë të rinj në moshë, janë të konsumuar në politikë. Në këtë aspekt, ideja për përfshirjen e të rinjve nuk është eficiente. Liderët politikë e shfrytëzojnë dëshirën dhe energjinë e të rinjve që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes. Ky fluks i të rinjve nuk duhet të përdoret nga politika thjesht për të mbushur listat, por përfaqësimi i tyre të jetë dinjitoz duke i hapur rrugën. Më duket se shanset janë shumë të pakta, pasi renditja e tyre nëpër lista është thjesht fiktive, përderisa të rinjtë mbyllin listën. Këta liderë me këtë hapje ndaj rinisë duan t’i mbushin mendjen popullit se partitë janë të demokratizuara, por të gjithë e dimë se deri ku shkon hapi i gjeneratës së re, kur jemi ende në një kohë që pushteti personalizohet dhe nuk përdoret në dobi të zgjidhjes së problemeve që ka vendi ynë. Patjetër që në këtë situatë i hidhet hi syve të popullit duke e përdorur si skllav të politikës jo-alternative. Një thënie e Aristotelit thotë se njerëzit për nga natyra nuk janë të barabartë, disa lindin për skllavëri, kurse disa të tjerë për sundim. Në këtë rast populli nuk duhet të mbetet skllav i vetëm dy alternativave, PD dhe PS, ku sundimtaret të jenë po ato. Veç kësaj, vërej edhe një mungesë të promovimit mediatik të figurave të reja në politikë, nëse nuk i përkasin PD apo PS.

Çfarë i ofroni ju LZHK në këtë garë dhe çfarë ju garanton ju LZHK? Gjithashtu, çfarë ju bashkon me këtë parti?

Ftesën e LZHK që unë të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nuk e trajtova si shitblerje.

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar është një parti alternative që ka ide të qarta dhe hyn në këtë garë për të përfaqësuar një pjesë të mirë të zërit të popullit në Kuvend. Nuk kam shumë kohë që angazhohem me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, pasi vij nga shoqëria civile. Mendoj se kam të gjitha probabilitetet për të kërkuar në institucionet përgjegjëse të drejtat e çdo qytetari, nëse ato i shkelen apo i nëpërkëmben padrejtësisht. Shumë ligje në parlament të miratuara kanë në përmbajtje nene që nuk japin zgjidhje të problemeve e çështjeve të ndryshme, sidomos ato me karakter social. Me një rast të tillë jam përballur personalisht, kur më duhej ndihma e sigurimeve shoqërore për lejen e lindjes (pas shtatzënisë). Edhe pse isha e siguruar në punë, ndërtimi i ligjit ishte në atë formë që unë nuk përfitoja as edhe një qindarkë nga sigurimet e paguara, madje mund të rrezikoje edhe vendin e punës. Por, si këto modele, që sjellin pasoja sociale dhe që nuk zgjidhin asgjë, ka shumë të depozituara në Kuvend që amendohen nga deputetë, të cilët nuk dinë as të kopjojnë ligje që i huazojnë nga vende të tjera evropiane. Pra, unë them se A-ja fillon që në ndërtim e ligjeve rezultative, që ndihmojnë zgjidhjen e problemeve të qytetarëve shqiptarë.

Cila është pika juaj e fortë për të kërkuar votën e qytetarëve të qarkut ku ju konkurroni si kandidate për deputete e LZHK?

Sistemi i ndryshuar elektoral (Kodi Zgjedhor) është i ndërtuar në mënyrë të atillë që fushata elektorale mos personalizohet tek individi, por te programi i partive. Ndaj, unë thirrjet nuk do t’i bëj të më votojnë mua për këto apo ato cilësi të miat, por për programin dhe zgjidhjet që ne ofrojmë si forcë politike. Unë thjesht do të transmetoj tek elektorati dëshirën, forcën dhe kurajën për të përkrahur mendimet e tyre duke u përballur me zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Unë kandidoj në qarkun e Tiranës në një komunitet, i cili gjendet përballë vështirësive të mëdha. Përgjegjësia është shumë e madhe, pasi ka përplasje të shtresave të ndryshme. Falë profesionit tim si gazetare, më ka ndihmuar të shoh dhe të prek nga afër dy ekstremitete; majën e piramidës dhe fundin e piramidës; politikanët dhe popullin e thjeshtë. Kam parë se si politikanët marrin vendime për sovranin e tij, ku ky i fundit është i detyruar t’i bindet, edhe pse preken interesat e tij. Dhe, meqenëse ne jemi popull jorevolucionar për të kërkuar të drejtat që i takojnë, abuzohet. Sikur të kishte një “kontratë të shkruar” ndërmjet pushtetit dhe popullit, sigurisht që çdo shkelje e neneve të saj do pasonte me dëmshpërblimin e secilës palë. Ajo që ka populli në dorë është vota për të zgjedhur shërbyesit në funksion të tij, por deri tani pushtetarët kanë luajtur rolin e zotërve të popullit.

Si do të mund të tërhiqni ju si LZHK elektoratin e djathtë duke patur parasysh fuqinë politike të partisë më të madhe të së djathtës, PD?

Fuqinë e elektoratit do ta përcaktojë rezultati i 28 qershorit, por nuk ka dyshim që pakënaqësitë janë shtuar me qeverisjen e PD, të cilët nuk i janë përgjigjur atij elektorati që i ka votuar dhe që e sollën në pushtet, në 2005. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar hyn në këtë garë elektorale me një program të qartë me idetë e së djathtës së vërtetë. E para, kjo duket dhe nga lidershipi i kësaj partie, të cilët janë të papajtueshëm me nëpërkëmbjen e ligjeve. E dyta, tërheqja e shumë emrave që kryesojnë apo janë renditur në listat e kandidateve në të gjithë qarqet e vendit. Jo vetëm kaq, por shumë emra të tjerë, edhe pse nuk janë lista, po kontribuojnë dhe mbështesin LZHK. Afrimi i kësaj kategorie pranë LZHK nuk është i paqëllimshëm, pasi te kjo forcë politike është kuptuar se ekziston demokracia e vërtetë, shprehja e respektimi i mendimit të lirë brenda formacionit tonë.

Shtylla kryesore e programit të LZHK është kthimi dhe kompensimi i pronave. Në kemi një plan konkret, pasi mbështetja e shoqatës së pronarëve si pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë” na ka qartësuar skemën për të kryer me eficiencë të plotë gjithë këtë proces. Gjithashtu, funksionimi i shtetit ligjor do të jetë baza e programit, pasi nga këtu fillon edhe zgjidhja e shumë problemeve kyçe që prekin direkt qytetarin, duke stimuluar përkrahjen e politikave sociale.

Pra, duke qenë se e djathta është formacion që mbështet individin, edhe programi ynë do të jetë i fokusuar në shërbim të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›