E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet skandali: Blerësit e ARMO-s më 19 nëntor 2008 vendosin të marrin kredi

Nga Tema

Më 20 nëntor 2008 janë gdhirë pa asnjë lek, më 21 nëntor banka Credins ka lejuar pagesën prej 77 milionë eurosh. Artan Santo pranon për herë të parë se “pagesa e bërë nga shoqëria AMRA është një operacion normal në të gjitha aspektet (mbase shuma ka qenë e pazakontë), dhe shuma ndodhej në llogarinë e shoqërisë, ditën kur është bërë pagesa”. Gazeta “TemA”, në cilësinë e klientit të bankës Credins, do padisë drejtorin, Artan Santo, për mungesë transparence dhe pasiguri për depozitat e saj në bankën Credins

Drejtori i bankës Credins, Artan Santo, vazhdon të mbulojë me mungesë të fortë transparence pagesën prej 77 milionë eurosh që konsorciumi AMRA, blerësit e rinj të kompanisë ARMO, kanë bërë në adresë të Bankës Qendrore të Shqipërisë, më 21 nëntor 2008. Gazeta “TemA” në disa shkrime rresht ka kërkuar përgjigje publike dhe zyrtare prej drejtorit të bankës Credins, Artan Santo, por ai nuk është përgjigjur. Në vend të përgjigjeve zyrtare, ai ka dërguar sekserë dhe ka bërë presione anësore për t’u ndalur kërkesa publike për transparencë.

Por, përse dyshuam dhe vazhdojmë të dyshojmë për këtë transaksion?

Pas publikimit në gazetën “TemA” të dokumentit që provon se Credins ka lejuar një pagesë prej 77 milionë eurosh, banka Credins dhe Banka Qendrore duhet të jepnin shpjegime zyrtare për këtë çështje, pasi ka dyshime të besueshme se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Shoqëria “Mediasoft Albania”, e cila është një klient i bankës Credins, ndjehet mes të tjerash e rrezikuar si kliente e kësaj banke, e cila nuk iu jep llogari klientëve për mënyrën se si toleron pagesa të dyshimta në këtë bankë.

Në shpjegimet që drejtori i bankës Credins, Artan Santo, jep në aktpadinë që ka ngritur ndaj gazetës “TemA”, thotë për herë të parë se “e vërteta është se pagesa e bërë nga shoqëria AMRA është një operacion normal në të gjitha aspektet (mbase shuma ka qenë e pazakontë), dhe shuma ndodhej në llogarinë e shoqërisë, ditën kur është bërë pagesa”.

Ky është konfirmimi i parë zyrtar që po bën banka Credins për këtë transaksion aq shumë të diskutuar. Pra, për herë të parë ne kemi në dorë një dokument zyrtar që na dëshmon se drejtori i bankës Credins pranon se aksionerët e shoqërisë AMRA të Rezart Taçit i kanë pasur 77 milionë eurot në llogarinë e tyre bankare më 21 nëntor 2008.

Ky ishte dhe i vetmi fakt që ne kemi kërkuar ta bëjë publik banka dhe që ka shkaktuar një seri shkrimesh dhe emisionesh televizive për të kërkuar transparencën për këtë proces.

Tanimë që këtë fakt e kemi së bashku me dokumentin që gjendet në Bankën Qendrore për pagesën e bërë nga AMRA, na duhet të hetojmë se ku u gjendën këto pará.

Gazeta “TemA” po boton sot për herë të parë një dokument, i cili vërteton se aksionerët e shoqërisë AMRA, më 19 nëntor 2008, pra një ditë para se të bëhej transaksioni, nuk kanë pasur pará, dhe kanë autorizuar një nga aksionerët, “Anika Enterprises”, të sigurojë një kredi për të bërë pagesën. Sipas dokumentit që ne po botojmë sot, më 19 nëntor ata nuk kanë pasur asnjë lek dhe këtë e thonë vetë me gojë dhe me shkrim. Më 20 nëntor në mëngjes dhe gjithë ditën është e vështirë të besohet se si kanë mbirë 77 milionë euro në llogarinë bankare të AMRA-s.

Dokumenti i Bankës Qendrore që ne kemi botuar dhe po e ribotojmë sot, tregon qartë se 77 milionë eurot kanë shkuar përmes bankës Credins. Dokumenti që na ka vënë në dispozicion Banka Qendrore nuk e përcakton se cili prej aksionareve e ka bërë këtë pagesë për llogari të AMRA-s. Në kushtet e mungesës së transparencës së Guvernatorit të Bankës, Fullani, dhe drejtorit të bankës Credins, Artan Santo, gazeta “TemA” ka ngritur dyshimet e besueshme se kjo është një histori e dyshimtë transaksionesh bankare, e cila mund të jetë, ose një hua ilegale e bankës Credins, me premtimin se llogaria do të mbushej më vonë nga privilegjet që qeveria iu krijoi pronarëve të ARMO-s, ose një kredi e marrë brenda ditës në kushte të dyshimta, dhe pse jo një dyshim i pastër për pastrim parash. Sqarimi që ka bërë në aktpadi drejtori i bankës Credins, i cili pranon se “...pagesa e bërë nga shoqëria AMRA është një operacion normal në të gjitha aspektet (mbase shuma ka qenë e pazakontë), dhe shuma ndodhej në llogarinë e shoqërisë, ditën kur është bërë pagesa”, na e lehtëson më shumë këtë arsyetim.

Dokumentet që ne po botojmë sot, na thonë që më 20 nëntor në mëngjes aksionerët ishin pa lekë në xhep, ndërsa më 21 nëntor kanë paguar 77 milionë euro. Pyetja jonë do të vazhdojë të përsëritet publikisht për Guvernatorin Fullani dhe drejtorin e bankës Credins: Na dëshmoni në mënyrë transparente si kanë mbërritur 77 milionë euro në llogarinë e Credins më 21 nëntor.

Këtë betejë tonën do ta vazhdojmë përmes një padie që do t’i hapim bankës Credins si klientë të saj për mungesë transparence dhe ta detyrojmë atë përmes hetimit gjyqësor të dëshmojë origjinën e këtij transaksioni që për ne vazhdon të mbetet i dyshimtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›