E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli i munguar i politikanit

Karl-Theodor zu Guttenbergu nuk është më ministër i mbro-jtjes i Gjermanisë. Ylli politik bavarez, politikani me kuotën më të lartë të mbështetjes popullore, ministri reformator dhe kandidati i ardhshëm për kancelar dha dje dorëheqje nga postet politike. Shkak u bë përfshirja e tij në “skandalin akademik të plagjiaturës”, akuzat se ai ka mbrojtur titullin “dr” duke përfshirë në punimin e tij shkencor disa pasazhe të pacituara nga autorë të tjerë. Punimi u bë katër vjet më parë, ai ishte ministër prej një viti, por këto detaje nuk kanë rëndësi për publikun gjerman. Rreth 20 mijë shkencëtar dhe doktorant nënshkruan një peticion drejtuar kancelares gjermane, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit. Ministri hoqi dorë publikisht nga titulli akademik, por një koment i radios publike gjermane, Deutsche Welle, tha se “është turp për kulturën politike në Gjermani, që Karl-Theodor zu Guttenbergu është ende në post. Një ministër, i cili është vërtetuar se ka gënjyer, i cili mori me anë të plagjiaturës një titull akademik, nuk mund të qëndrojë në post. Kjo nuk është e denjë për një shtet ligjor demokratik”. Ministri u atakua në parlamentin gjerman, një seancë debati u shndërrua në debat politik midis mazhorancës dhe qeverisë. Kancelarja Merkel e mori në mbrojtje ministrin, por universiteti vendosi tia heqë titullin akademik dhe së fundi, qëndrim kritik mbajti edhe profesori që udhëhoqi temën e tij shkencore.
Për pasojë brenda skandali 10 ditor e dha efektin e vet. Një karrierë politike e shkëlqyer u mbyll, por sic vetë media gjermane theksoi, “fitoi shumë kultura politike në Gjermani”. Askush nuk vuri dyshime mbi aftësinë e Zu Guttenberg për të drejtuar ministrinë e mbrojtjes, pra sigurinë kombëtare gjermane apo ushtrinë gjermane në luftë në Afganistan, por u vu në diskutim integriteti dhe moraliteti i tij individual. Sepse në konceptin gjerman dhe atë perëndimor një politikan është e duhet të jetë në radhë të parë një qytetar model, dhe më pas një administrator i aftë politik. Sepse në modelin perëndimor asnjë politikan nuk është imun ndaj kritikave, detyrimeve administrative e ligjore, dhe së fundi, edhe ndaj detyrimeve akademike.
Rasti “zu Guttenberg” nuk ka vlerë vetëm për Gjermaninë. Ai është shtet e shoqëri demokratike e aftë të prodhojë politikanë të tjetër të kalibrit të kërkuar. Simbolika e këtij rasti është themelore dhe me rëndësi të dyfishtë për vende me demokraci ende të brishtë si Shqipëria.
Së pari në aspektin akademik, shqiptarët duhet të mësohen se plagjiaturat janë shkelje ligjore, janë abuzim dhe si të tilla, janë të papranueshme. Kjo merr vlerë për një vend ku një pjesë e madhe e botimeve universitare, e prurjeve artistike apo muzikore, janë produkte të dyshimta akademike. Shqipëria ka disa qindra individë me grada të larta shkencore, masteromania është kthyer në mode, por produkti akademik i tyre vijon të jetë minimal, madje edhe si i tillë, një produkt i dyshimtë akademik. Ne jemi nga të paktat vende ku ende temat shkencore nuk publikohen, nuk ka kritere ligjore për detyrimin për publikim, ku brezat e vjetër të titujve akademikë refuzojnë të botojnë punimet e tyre shkencore (ideologjike) dhe ku brezat e rinj ushqehen me të njëjtat modele, duke mbajtur në këmbë një sistem jokonkurrues profesional dhe akademik në raport me nivelet e sotme shkencore.
Në libraritë e Tiranës gjen me dhjetra studime “profesionale” të emrave të njohur politikë e publikë, shumë prej tyre të marra të gatshme nga burimet e internetit apo përkthime nga autorë të huaj. Ne kemi ende sot zyrtarë të lartë të akuzuar me procese gjyqësore për vjedhje të së drejtës së autorit në botimet e tyre, kemi politikanë të akuzuar se kanë blerë diploma universitare, kemi vendimmarrës politikë që kanë tituj shkencorë me punime ideologjike të periudhës komunistë, për të ardhur tek rasti flagrant, kur një prej zyrtarëve më të lartë të shtetit prej muajsh ka urdhëruar stafin e vet për ti përgatitur tezën e vet të doktoraturës në drejtësi.
Së dyti, simbolika dhe rëndësia e këtij leksioni gjerman të demokracisë lidhet me atë që në perëndim quhet integritet dhe besueshmëri politike. Imagjinoni që një politikan shqptar të ofrojë dorëheqje për shkak të akuzave për plagjiaturë shkencore! As që mund të mendohet. Ne kemi pasur raste kur politikanët janë akuzuar me vepra penale konkrete, me akte korruptive konkrete, me skandale konkrete, me sjellje të padenja për njeriun politik e zyrtarin publik, por në asnjë rast nuk kemi pasur as kemi dorëheqje.
Tek ne politikani e konsideron veten imun ndaj cdo akuze, mjafton të ketë pas tij liderin e partisë dhe kështu, ka pas gjysmën e shtetit, ka gjysmën e medias, gjysmën e opinionit publik, duke preferuar më mirë ta marrë peng këtë opinion sesa ta respektojë atë. Tek ne modeli i politikanit bazohet në kritere të ndryshme nga ato gjermane apo perëndimore, në krijimin e tij nuk luan rol aftësia apo integriteti, moraliteti apo transparenca. Kriteri për politikanin tonë është aftësia për të mbledhur pushtet, për të ushtruar pushtet, për të zotëruar pushtet, për të zgjeruar pushtet politik dhe ekonomik, dhe kështu, për të dominuar debatet politike, median, rivalitetet e brendshme dhe sidomos, për të denigruar kundërshtarin politik. Përjashtimet janë të ralla, shumë të rralla, aq të rralla sa edhe janë të përbashkëtat e sjelljes politike gjermane me atë shqiptare.
Rastet e politikanëve shqiptarë që mbi akuzat personale për korrupsion mbajnë peng forcën e vet politike, që fshihen pas imuniteteve dhe taboreve mediatike, që keqpërdorin zyrat e shtetit, zyrat publike dhe vartësit e vet për të mbrojtur veten dhe denigruar kundërshtarin politik, që e identifikojnë veten me popullin, atdheun, integrimin, apo që akteve të tyre abuzuese politike u japin konotacione patriotike dhe viktimizimit politik, vijnë në kontrast të thellë me modelin më të fundit gjerman. Kemi të bëjmë me dy vende me traditë politike të ndryshme, por aktualisht, dy vende europiane, dy vende anëtare të Këshillit të Europës, dy vende anëtare në NATO, dy vende demokratike, por sic shihet, me kontraste të thella midis masën që lejohet dhe asaj që nuk lejohet në demokraci. Shoqëria shqiptare, qytetarët dhe sidomos brezi më i ri ka nevojë jetësore për një model të ri politik, larg modelit të konfliktit dhe revolucioneve permanente, larg modelit që kultivon zilinë e urrejtjen për tjetrin; një model që e bën politikanin - qytetar, tokësor, të prekshëm, të ndjeshëm, të aftë ta shohë angazhimin politik si shërbim, jo shans për sundim; një model që frymëzon me vlera morale e sjellje politike, pra një model që fatkeqësisht në këto dy dekada ende nuk e kemi krijuar, por që në cdo rast përbën parakushtin themelor për një sistem efektiv, të moralshëm dhe demokratik.

* Pikëpamjet e shprehura janë personale, dhe nuk përfaqësojnë
zyrtarisht institucionin ku autori punon.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›