E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fest 2009, lojërat popullore startojnë në Shkodër

Në qytetin Shkodrës ka nisur një prej evenimenteve më të rëndësishme kulturore kushtuar të rinjve, Festivali i Lojërave Popullore Mbarëshqiptare Fest 2009. Në këtë aktivitet qindra të rinj nga qarku i Shkodrës, Kosova dhe Mali i Zi u mblodhën dje në Pallatin e Sportit të qytetit verior, vend në të cilin po zhvillohet ky festival. Ky aktivitet organizohet nga shoqata  "The Door", e cila në këtë nismë kulturore mbështetet dhe nga Këshilli i Qarkut Shkodër, bashkia si dhe institucione të tjera kulturore. Përfaqësuesi i shoqatës "The Door" ,Kastriot Faci, tregon se ky aktivitet prezanton pasurinë e vlerave tona folklorike e kombëtare me këngë, valle etj, që ka zona veriore dhe në veçanti qarku i Shkodrës. Në këtë edicion të dytë marrin pjesë të rinj dhe reja nga shkollat shqiptare në Malin e Zi, kryesisht ato të Ulqinit dhe të Tuzit, si dhe të disa shkollave të Kosovës. Nisjen e festivalit e përshëndetën autoritetet më të larta drejtuese të qeverisjes vendore si Prefekti Maxhid Cungu, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi dhe Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Më pas grupet konkurruese në këtë festival zhvilluan disa lojëra si "Thyerje Krahu" për femra dhe meshkuj, "Tërheqje litari", "Sfilatë- kostumi më i bukur popullor" prezantuar me nga një çift djalë dhe vajzë për çdo shkollë, "Lojë popullore", "Valle me motive folklorike", "Këngë me motive folklorike", si dhe shumë veprimtari të tjera kulturore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›