Historia e Elbasanit, në faqet e një libri
Historia e Kalasë së Elbasanit tashmë është shkruar në faqet e një libri. Projekti për botimin e këtij libri kap shifrën 120 mijë euro, ka startuar katër vite më parë dhe është një bashkëfinancim e bashkëpunim midis Universitetit të Pizës, Universitetit Aleksandër Xhuvani dhe Bashkisë së Elbasanit. Libri turistik në formën e një guide pasqyron njohjen, ruajtjen, dhe vlerësimin e Kalasë së Elbasanit, si një nga objektet kulturore dhe muzeale të qytetit .
Për hartimin e tij, morën pjesë historianë, arkeologë, arkitektë, si edhe studiues nga Shqipëria por edhe nga Italia. Dje në qytetin e Elbasanit u bë dhe promovimi i tij, ku mes të pranishmëve merrte pjesë dhe Ministri i Kulturës Ardian Turku. Përfaqësuesi i Ambasadës Italiane në Shqipëri Adriano Ciani, i pranishëm në ceremoni, në fjalën e tij përshëndetëse ka falenderuar bashkëpunimin mes dy universiteteve. Libri turistik në formën e guidës, i përkthyer edhe në gjuhën angleze është i ndarë në katër kapituj. Në kapitullin e parë përshkruhet historia e qytetit të Elbasanit, në kapitullin e dytë realizohet, analiza e kalasë, struktura antike e qytetit, të cilat janë premisa drejt njohjes multidimensionale të kalasë së Elbasanit. Në kapitullin e tretë përshkruhen më në detaj monumentet e rëndësishme të kalasë, si muret rrethuese, rivelimi urbanistik dhe arkitekturor, ndërsa kapitulli i katër fokusohet tek, restaurimi urban i monumenteve kulturore të qytetit të Elbasanit. Libri është një volum, i cili tregon për eksperiencën e jashtëzakonshme të tre viteve zbulimi dhe kërkimesh shkencore dhe rigoroze e drejtuar nga një skuadër ndërkombëtare kërkuesish në Shqipëri, një vend i pasur me monumente dhe arkitektura të një historie të popujve mesdhetarë. Përmes këtyre gjetjeve dhe metodave të reja ky vend, që ndodhet në qendër të Ballkanit , fillimisht i panjohur për autorin e librit, ashtu sikurse edhe për shumë të tjerë, është bërë teatri i shumë projekteve origjinale restauruese dhe vlerësuese, sipas principeve më të avancuara të trajtimit të të mirave arkeologjike, arkitektonike dhe të vlerave historike. Libri turistik në formën e guidës, do të dalë shumë shpejt në treg, ku mendohet se do të ngjallë interesin e lexuesve të shumtë