Gërdeci, terrorizëm nga kravatat
Nga Azgan Haklaj
Fjala Gërdec është më e lakuara këto ditë jo vetëm në vendin tonë. Ajo ka rrokur faqet e para të mediave më reputative të botës. Miqtë tanë na ngushëllojnë me sinqeritet, na ndihmojnë, ndërsa hasmit që na “dhuruan” shekujt ende fërkojnë dhe ngrohin duart në zjarrin-barut të Gërdecit. Analiza e kundëranaliza, debate të nxehta në politikë e jashtë saj bëhen për këtë ngjarje, që, pasi mori jetë njerëzish, tentoi të grabisë vetë të ardhmen e këtij vendi dhe ta varrosë në kraterin e Gërdecit. Duket sikur të gjitha u thanë e u stërthanë për mini-Nagasakin që ndodhi në afërsi të metropolit, në zemër të bizneseve e krejt pranë të vetmit aeroport ndërkombëtar. Por unë si qytetar e politikan i këtij vendi nuk mund të rri pa bërë reflektimin tim sa logjik, aq edhe investigativ. Pres polemika e replika, sepse s’pretendoj të jem më i sakti e më i drejti. Veçse në komentet e mia tentoj të vë logjikën, faktin, arsyen, përpara se të thërras politikisht, sepse në momente të tilla, me plot gojën tragjike, politika dhe partia e çdo shqiptari është Atdheu dhe jeta e njerëzve të tij. E pra që në fillim, në kundërshtim me shumë analistë, gazetarë e kolegë të politikës, them me bindje se kjo ngjarje nuk është aspak pakujdesi humane, por akt i pastër terrorist. Natyrisht, kam bindjen se ndoshta terroristët nuk qenë mjekroshë të tipit Bin Laden apo Mullah Omar, por specialistë të shërbimeve antishqiptare, ballkanase e më gjerë të veshur krejt me Armani, me licenca biznesi e të lidhur me politikanët tanë.
Para se t’i qasem me fakte arsyetimit tim, dëshiroj të nënvizoj se ky trafik armësh, kjo histori e poshtër dhe e kushtueshme për imazhin e vendit, nuk ka filluar në Gërdec dhe as në qeverisjen e kësaj maxhorance. Pinarët dhe Delijorgjët nuk janë kurrë as mbështetës dhe as simpatizantë të së djathtës. Përkundrazi, janë pinjollë të Partisë Socialiste, të Sigurimit të Shtetit e, pak më tutje, shërbëtorë të “MYTILENEOS HOLDING S.A”, kompanisë helenike që furnizonte e furnizon Serbinë militare me armë. Partneri i Delijorgjit e Pinarit, Mitileneos, është edhe kontraktori i Millosheviçit në shitjen e xeherorëve të çmuar të Trepçës së Mitrovicës. A thua mendon kush në këtë vend që pretendon mesataren e logjikës se kjo krushqi është okazion aferist??!! Siç e përmenda, ky trafik, megjithëse tymi e flaka e tij përcëlluan maxhorancën e sotme, ka rrënjë në qeverisjen e Partisë Socialiste. Madje, çuditem edhe nga kritikat dhe “padija” e ish-gjeneral Moisiut, pasi unë që pesë vite më parë kam denoncuar vetë nipin e tij, Aliosha (Aleksandër) Hoxha, për trafik armësh drejt Afrikës në kohën që ai drejtonte “MEIKO”-n. Madje, me përgjegjësi kam lançuar në shtyp deri dhe matrikulat e avionëve që fluturonin nga Rinasi me kallashët shqiptarë! Hajdaraga e Majko nuk bëjnë dot të paditurin, as edhe Zabit Brokaj, sepse Qendra Kombëtare e Ndërkombëtare e kontrollit të trafikut ajror nëse ndodh një hetim i detajuar do të konfirmonim protokollimin e lëvizjeve ajrore çarter autobotë me municione që trafikoheshin. Paratë e këtij trafiku natyrisht që kanë shkuar në xhepa Elidonësh apo janë shndërruar në vila qeveritarësh socialistë në pishat e buta të Golemit, që ruhen nga Fatmir Musai. Aspak për të justifikuar, sesa për hir të së vërtetës, duhet thënë se të paktën qeveria dhe kryeministri Berisha, të paktën me urdhra të shkruara, kanë rregulluar këtë lloj afere, pavarësisht se nuk u zbatuan kurrë këto urdhra. Dhe në ushtri ai që nuk zbaton urdhrin penalizohet. Unë nuk dëshiroj të hyj në brendinë e rregullave militare, pasi ajo i takon specialistëve të ushtrisë dhe të prokurorisë. Unë insistoj se Gërdeci është një akt terrorist. Koha dhe hapësira kur ndodhi shembin idenë e rastësisë. Kosova e pavarur, Mitrovica, ftesa e NATO-s për vendin tonë do të kishin një kosto që fillon me Gërdecin. Gërdeci në rrugë zyrtare ishte i paralajmëruar. Ushtarakë të lartë e atdhetarë ,si kolonel M. XH., e kishin informuar zyrtarisht ministrin republikan Mediu. Por çuditërisht zoti Mediu e la hapur binarin për Delijorgjin dhe Pinarin. Edhe krerë të opozitës që bërtasin politikisht më shumë sesa me sensibilitet njerëzor duhet të kthjellohen e të reflektojnë se si biznesmeni fantazmë me katër klasë shkollë e shtetësi helene, Delijorgji, arriti të bëhet VIP në sajë të lejeve të konstruksionit në trojet më të mira të Tiranës. Jo pak afera korruptive iu mbyllën këtij Bin Ladeni pa mjekër si abuzime fiskale apo afera tepër e lakuar me zotin Angjeli në privatizimin e kompleksit “Dinamo”. Natyrisht zjarrin e ndezur kahmot nga PS-ja dhe aleatët e saj antishqiptarë duhet ta fikë PD-ja si dhe të paguajë faturën e saj. Jo vetëm kaq, por dhe insistohet me forcë që të mos preket SHISH, foleja e çmendur e Sigurimit të Shtetit, se na qenka institucion indipendent, duke na kujtuar kohën e Koçi Xoxes. Jo zotërinj! Kjo është anormale. Ky shërbim nuk duhet të paguhet nga taksat tona deri sa nuk ka asnjë vlerë për sigurinë tonë nacionale. E për çfarë shërbimi inteligjent shqiptar flasim sot, kur mu në mes të Tiranës shërbimet serbe hapur e me hipotekë arrijnë të blejnë qendrën më të madhe tregtare QTU? Dikush mund të thotë se janë dy devollinj që ia shitën mikut të Millosheviçit, pronarit të Deltës beogradase GORKO MISHKOVIÇ, pronën famëmadhe në autostradë për çështje biznesi. Thonë që pas devollinjve qëndron një ministër i rëndësishëm i kabinetit aktual!! Uroj që të mos jetë kështu. Se nëse puna ka vajtur deri në këtë pikë, të tjerë Gërdecë do ta presin vendin tim. Pësimi le të na bëhet mësim. Kam urimin dhe besimin se Samiti i Bukureshtit do ta postojë ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. E atëherë atmosfera emotive do të ftohet e logjika do të ndjekë rrugën e saj. E natyrisht bashkoj besimin tim me atë të qindra-mijëra shqiptarëve se doktor Berisha do të veprojë me shkathtësi e shqiptari si gjithmonë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi dhe Berisha e ka marrë vesh se kur ai me lot në sy përcillte nga zyra e tij tragjedinë e Gërdecit, ministra përgjegjës drekonin me të dashurat e tyre te “KAONI”. Pa dashur ta hymnizojmë dhe as ta kryqëzojmë kryeministrin Berisha, duhet të pranojmë se të tjerë njerëz të politikës dhe jashtë saj konsumojnë, ndërsa dr. Berisha paguan padrejtësisht faturat. Besoj se ka ardhur koha që t’u kujtojmë abuzuesve të çdo krahu se PD-ja nuk është më KESH piramidë, por asambleja e ardhmërisë së shqiptarëve.
Shënim: Gazeta “Albania” është e hapur për të gjithë personat që janë përmendur në këtë shkrim që t’i përgjigjen autorit në të njëjtën hapësirë
31 Mars 2008