E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi me anglezët dhe planet e Divizionit VI drejt Vishegradit

Roli i panjohur i britanikëve në Luftën Antifashiste në Shqipëri. Krijimi i Divizionit VI dhe emërimi i Gjin Markut në krye të tij

Gjetë Ndoj

Gjatë luftës së Dytë Botërore shqiptarët përgjithësisht e përballuan vetë luftën me pushtuesit nazifashistë. Ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore, ku “Ushtria e Kuqe” luajti rol shpeshherë dhe kryesor në çlirimin e tyre, në Shqipëri nuk shkeli asnjë ushtar i kësaj ushtrie të Bashkimit Sovjetik. Përkundrazi, forcat partizane shqiptare, pasi çliruan Shqipërinë, u vunë në ndjekje të ushtrisë hitleriane dhe duke u ndeshur me të, çliruan shumë vise jashtë Shqipërisë si Malin e Zi, një pjesë të Bosnjës, Sanxhakun, Kosovën etj. Por, realisht, ne shqiptarët a e bëmë vetëm këtë përpjekje luftarake që pati përmasat e një lufte botërore? Për hir të së vërtetës, jo.
Bashkëpunimi shqiptaro-britanik
Në atë luftë të madhe në Shqipëri kanë ardhur oficerë dhe specialistë të ushtrisë britanike. Të tillë pati pranë Shtabit tonë të Përgjithshëm, deri dhe në nivel gjeneralësh. Pranë këtij shtabi ka qenë dhe një ushtarak i lartë amerikan me origjinë shqiptare. Përveç se strukturat qendrore të Shtabit të Përgjithshëm, emisarë anglezë të luftës ka pasur në shtabin e Zonës së Parë Operative, pranë Shtabit të Brigadës VII, XII Sulmuese etj. Roli dhe misioni i këtyre ushtarakëve ishte të asistonin ushtrinë shqiptare për ta rritur atë dhe forcën goditëse të saj, studimin e situatës dhe rrethanave në terren dhe në funksion të këtij realiteti, të bënin edhe koordinimin e veprimeve luftarake të partizanëve shqiptarë me flotën ajrore luftarake angleze, goditjet e së cilës qenë shpeshherë vdekjeprurëse për garnizonet dhe ushtrinë hitleriane. Marrëdhëniet e partizanëve shqiptarë me forcat aleate kanë qenë shumë miqësore. Ka pasur shumë raste kur partizanë të plagosur dërgoheshin për t’u mjekuar në spitalet ushtarake të aleatëve në Mesdhe. Ka shumë dëshmi dhe fakte për një gjë të tillë, ku rasti konkret është me Skënder Malindin, i cili kur u plagos për herë të dytë, u dërgua në një spital në Itali. “Diku në Qarkun e Beratit qe ulur një avion amerikan dhe për arsye teknike s’arriti të ngrihej. Kështu u desh që dhjetëra trupa amerikane të lëviznin në këmbë. Më kujtohet që ne i shoqëruam ato në pjesën e rrugës nëpër Kurvelesh, deri në bregdet, për t’i vënë në anije luftarake. Amerikanët edhe zyrtarisht e kanë përshëndetur këtë pritje dhe përcjelljen prej forcave tona partizane”, - kujton Malindi. Prania amerikane në strukturat e luftës në Shqipëri ishte sporadik, siç thotë edhe dëshmia e veteranit Malindi. Ndërsa prezenca e njësiteve dhe e specialistëve anglezë ishte e vazhdueshme gjatë gjithë vitit 1944, sidomos në vjeshtën e atij viti.
“Në fund të muajt tetor 1944, kur sapo ishte çliruar Mirdita, komanda e Brigadës VII Sulmuese u vendos diku pranë Rubikut, ndërsa në fshatin Spitën të Lezhës qe vendosur një njësit luftarak anglez me mision koordinues me Komandën e tyre, që ishte e vendosur në Mesdhe.
Dëshmia e Koli Çobos
“Mua më caktoi Gjini si person ndërlidhës mes shtabit tonë dhe atij njësiti”, - thotë Koli Çobo. Më tej ai vijon: “Pasi u vendosa atje, pashë se njësiti përbëhej prej 12 personave, që kishin një komandant. Kishin armatim këmbësorie nga të gjitha llojet, ndërsa pajisja kryesore ishte pajisja e radio-ndërlidhjes, me anë të së cilës njësiti komunikonte kur donte me komandën e tyre në Mesdhe”. “Planet operacionale që koordinonim me anglezët ishin pika më e rëndësishme dhe më e dobishme në funksion të goditjes së ushtrisë naziste dhe çlirimit të vendit. Bombardimet e aviacionit anglez dhe godita ndaj armikut na jepnin frymëmarrjen e domosdoshme për të vazhduar ndjekjen e bishës naziste”, - thotë Çobo. Sipas tij, “bombardime të tilla ka pasur në shumë vende, të cilat qenë një faktor i rëndësishëm në fitoren e betejave në Tiranë, Berat, Rubik dhe në Lezhë e Shkodër”. Ai thotë se “njësiti na premtoi se brenda një kohe të shkurtër do të siguroheshin ndihma ushqimore e veshmbathje nga deti”. “Pas disa ditësh vjen Gjini bashkë me Adil Çarçanin dhe kur mori vesh se nuk patën ardhur akoma këto ndihma, ata u nervozua, por anglezët i thanë se deti ishte me rrezik, pasi nëndetëset gjermane mund të mbytnin anijet e ndihmave”, - rrëfen ish-radisti shqiptar. Më në fund u vendos që furnizimet të hidheshin nga ajri dhe realisht ashtu u bë. Çobo thotë se “të nesërmen, aeroplanët hodhën nga qielli rreth 40 parashuta me ushqime e rroba”.
Roli anglez në luftë
“Efikasitetin më të madh ky koordinim i britanikëve me ne e arriti në luftën që zhvilloi Divizioni VI Sulmues për çlirimin e Malit të zi dhe të Bosnjës Jugore. Në Mal të Zi dhe në Bosnjë aviacioni anglez ka bërë goditje shumë të fuqishme dhe fatale kundër divizioneve naziste që ishin në tërheqje për t’u përqendruar me sa duket në Gjermani”, - rrëfen Koli Çobo. Sipas tij, “koordinimi i veprimeve me anglezët ishte i saktë dhe shumë efikas”. “Çdo komandë brigade dhe komanda e Divizionit kishte radio-ndërlidhje, çka mundësonte lidhjen e Shtabit tonë me Shtabin e Përgjithshëm në Shqipëri, por dhe me atë të aleatëve nëpërmjet tij”, - thotë një nga ekspertët shqiptarë të ndërlidhjes që bashkëpunoi me anglezët në Luftën e Dytë Botërore.
Mos vlerësimi i faktorit aleat anglez në mbështetje të Luftës Nacional-Çlirimtare nga historiografia jonë ka qenë tendencioze dhe jorealiste për arsye që tashmë dihen. Po të ndjekim logjikën e ngjarjeve politike që nga themelimi i Partisë Komuniste Shqiptare e deri në çlirimin e vendit, nuk përbën paradoks fakti se Shqipëria u ndihmua më tepër nga Perëndimi, por Enveri dhe PKSH-ja e orientuan dhe i kanalizuan synimet dhe meritat drejt Jugosllavisë dhe Perandorisë Sovjetike.
Krijimi i divizionit VI Sulmues
Në fundin e vitit 1944 në Shkodër u formua Divizioni VI Sulmues, në përbërje të të cilit ishin katër brigada, përkatësisht: Brigada VI, Brigada VII, VIII dhe Brigada XXII. Komandant i këtij divizioni ishte Gjin Marku, i cili, duke qenë në krye komandoi veprimet luftarake të tij edhe jashtë kufirit për çlirimin e Jugosllavisë, gjatë dhjetorit 1944 deri në verë të vitit 1945. Krahu i veprimeve luftarake ishte nga Shkodra në Mal të Zi dhe deri në Vishegrad. Lufta për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës kërkonte doemos që mes formacioneve partizane të bëhej kombinimi dhe koordinimi i veprimeve luftarake. Në këto kondita lufte u formua divizioni VI. Caktimi i Gjin Markut si komandant i Divizionit bazohej në sukseset e mëdha që kishte Brigada VII, në veprimet operacionale luftarake që në Berat, Myzeqe, Mirditë, Lezhë dhe Shkodër, komandant i së cilës ishte Gjin Marku.
Sipas të dhënave që sjell veterani i Brigadës VI, publicisti Resul Bedo, ky divizion pati gjithsej në momentet e kalimit në Jugosllavi 18 batalione, 6050 partizanë, me 429 mitraloza të lehtë, 100 mitraloza të rëndë, 40 murtaja, 16 murtaja 81 mm, 22 armë kundërtanke, 8 topa etj. Më vonë në radhët e Divizionit VI Sulmues u shtuan me qindra e mijëra shqiptarë të Malit të Zi, të Kosovës, të Sanxhakut etj. Pak më vonë mbi bazën e 6 baterive të artilerisë dhe mortajave u formua Brigada e artilerisë së Divizionit që përbëhej prej 3 grupe artilerie dhe 36 gryka zjarri.
“Nga muaj prill 1945 deri në dhjetor të atij viti, me Divizionin VI Sulmues u inkuadrua dhe Brigada III Sulmuese, njëra nga brigadat e para të Ushtrisë tonë Nacional Çlirimtare, brigadë me një përvojë dhe rrugë luftarake të gjatë”, - thotë Bedo.
Ky divizion pati për komandant gjatë gjithë fushatës luftarake në Mal të Zi, Bosnjë e Kosovë kolonel Gjin Markun. Në këtë kohë ky drejtues i Luftës Antifashiste, i njohur dhe me famë tashmë, ishte vetëm 26 vjeç. Komisar i divizionit u caktua kolonel Njazi Islami dhe më vonë Myzafer Spaho.

TË DHËA PËR DIVIZIONI VI
18 batalione
6050 partizanë
429 mitraloza të lehtë
100 mitraloza të rëndë
40 murtaja
16 murtaja 81 mm
22 armë kundërtanke
8 topa

Në numrin e së martës do të lexoni
Ditari sekret i luftës së Divizionit VI: Ja roli i Gjin Markut

Beteja e formacioneve shqiptare për çlirimin e Malit të Zi nga nazifashistët

Çfarë na tregon ditari i veteranit të luftës dhe publicistit Resul Bedo

Roli i gjeneralit në betejat e Hotit e Grudës dhe Deçiçit. Ja bilanci i luftës

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›