Sheshi nuk është aq i thjeshtë: Ku qëndron Shqipëria?
Në vigjilje të Vitit të Ri, ndërsa komshinjtë e Shqipërisë do të festojnë ku të duan në Europë, dhe për këtë duhen përgëzuar, Shqipëria pret dhe Europa pret... Pritet sa të zgjidhet çështja e Parlamentit, e cila pas mitingut të qeverisë u bë shumë më e komplikuar se ç‘ishte nga bojkoti i opozitës. Ndoshta do të jetë hera e parë kur në një vend demokratik, për t‘i dhënë përgjigje kërkesave të qindra personave, Kryeministri nuk thërret tavolinë të rrumbullakët, nuk kërkon bisedime apo bën mbledhje urgjente qeverie, por reagon me miting. Gjithashtu do të jetë hera e parë kur festohet diçka, ndërkohë që protagonistët e kësaj feste janë përzënë me kohë nga politika apo dhe Shqipëria nga vetë festuesit. Mitingu i opozitës, i kritikuar apo vlerësuar, gjithsesi shpreh forcën e atyre që kanë kontestuar qysh në fillim Parlamentin. Po qeveria, e cila pretendon të ketë ligjshmëri të palëkundur të vendosur nga zgjedhjet e certifikuar nga gjykatat çfarë do në miting? Pas zgjedhjes së saj, qeveria pretendohet të ndajë hallet e gjithë popullit, pse ishte në miting, duke kërkuar të vërtetohet vetëm nga një pjesë e tij? Nëse insiston që problemet të zgjidhen brenda institucioneve, për më tepër ankohet edhe tek ndërkombëtarët se opozita dëmton institucionet: çfarë do vetë në miting? Nëse për të treguar legjitimitetin e qeverisjes duhet mitingu, atëherë ç‘vlerë patën zgjedhjet në Shqipëri? Ky është përfundimi i parë: dalja e qeverisë në shesh delegjitimoi institucionet që ajo mbrojti përballë opozitës. Kjo sjellje krejt inkoherente në fund të vitit u hapi rrugën disa fundeve. Një nga këto, fundin e kësaj qeverisjeje.
Gjithsesi, sheshi tregoi disa gjëra përtej kësaj. Disa zëra pretenduan se mijëra shqiptarë ishin te mitingu i pozitës apo opozitës se kanë halle pune. Edhe po të ishte ashtu do të ishte legjitime. Gjithsesi ky është vetëm një thjeshtëzim i së vërtetës dhe nënvlerësim i mendimit, besimit, shpresës, mundit të atyre që ishin aty. Derisa qindra shqiptarë të këtij apo atij krahu janë në shesh, domethënë ka një shqetësim serioz. Më parë se të vendosim këtë shqetësim në funksion të personit apo simpative personale duhet të mendojmë ç‘hall kanë ata që ishin aty. Ǒtregon kjo për Shqipërinë? Eshtë kollaj t‘i fyesh se kërkojnë punë apo kanë frikë të rrinë pa punë. Shumë thjesht do të ishte po të ishte kështu. Ndoshta dhe shumë e zgjidhshme. Dalja e mijëra njerëzve në shesh ka dy disa aspekte. E para, tregon se në Shqipëri momentalisht ka një ndarje të thellë mes pushtetit dhe një pjese të madhe të popullit. Mënyra e përgjigjes së qeverisë e ktheu këtë ndarje në të pariparueshme. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë se zhargoni i Kryeministrit ka një audiencë. Në fund të fundit Kryeministri e di që duke sharë kryetarin e opozitës nuk do bindi opozitarët apo simpatizantët e tij. Mesazhi nuk është për objektin e fyerjes, por për ato në botën e të cilëve ky zhargon ka kuptim, përbën mesazh. Si rrjedhim, ndarja e pushtetit nga një pjesë e qytetarëve bëhet ndërsa pushteti merr peng një grup tjetër qytetarësh që t‘i ketë të gatshëm kurdoherë kundër të tjerëve. Fundi tjetër i këtij fundviti do të jetë fundi i përplasjeve të tilla ose përplasje pa fund.
Kjo tregon se si thjesht fare mund të krijohen çarje në shoqërinë shqiptare. Në fakt, ditët e fundit dëgjoj me shumë habi se si pas vizitës së Presidentit turk në Shqipëri, disa turq të ardhur vonë këtu në Amerikë të mbështetur dhe nga disa shqiptarë dhe ata të ardhur pas viteve ‘90, thonë se Turqia është vëllai i madh i Shqipërisë apo se ajo do të ndihmojë Shqipërinë në lidhjet me Amerikën. Shqipëria ka pasur aleate shumë të afërt dhe sido që të rrjedhin ngjarjet duhet e do ta ketë alete Turqinë, por ç‘hyn këtu vëllai i madh? Shqipëria, një vend me lidhje shumë të afërta e pozitive të përhershme me Shtetet e Bashkuara, mund t‘i vazhdojë fare mirë këto lidhje pa pasur nevojën e askujt. Dhe është në interesin më të mirë të këtij vendi që këto lidhje t‘i mbajë direkte. Aq më tepër që një histori e gjatë falimentimesh i tregoi Shqipërisë se si duhet të rrijë në këmbë vetë pa ndonjë vëlla të madh. Në një artikull të tij, një nga mendjet e ndritura të shqiptarëve të Ballkanit, Arbër Xhaferi, bënte një analizë shumë interesante të politikës së re turke. Artikulli u kritikua krejt poshtë lartësisë së tij dhe nuk u nënvizua ajo çfarë Xhaferi me të drejtë nënvizonte, një ndryshim kursi të marrëdhënieve Turqi-Europë. Kjo nuk duhet të jetë detyrimisht e mirë apo e keqe. Ajo thjesht ka rrjedhimet e veta. Në këtë aspekt, në lidhje me interesat më imediate të Shqipërisë ka shumë për t‘u diskutuar nëse është Shqipëria apo Turqia më afër Europës. Me multikonfesionalizmin paqësor të saj Shqipëria ka shumë çfarë t‘i japë Europës. Shqiptarët kanë arritur të krijojnë profilin e tyre si të islamit, si të ortodoksisë, si të katolicizmit. Kjo ka kohë që është e tillë dhe veçanërisht në lidhje me islamin ky është një shembull i admiruar dhe i kërkuar në Europë. Në këtë aspekt, Turqia nuk ndihmon dot Shqipërinë, por Shqipëria Turqinë. Gjithsesi, kjo tregon se në shoqërinë shqiptare ka fraksione në këtë aspekt. Jo vetëm për Turqinë, por dhe në lidhje me vende të tjera kërkohet t‘i impozohen modele Shqipërisë. Këto nuk janë detyrimisht modele të mira apo të këqija, thjesht këto fraksione janë në përplasje të vazhdueshme dhe Shqipëria për këtë nuk është e qetë. Edhe pse sheshi mund të mos i reflektojë krejt të qarta këto ndarje dhe të tregojë në ç‘krah janë, ato janë aty dhe rrjedhimisht vendi zien.
Në konfigurimin e aktualitetit politik në Shqipëri ka shumë elemente. Një Kryeministër të stërgatshëm për të bërë çdo gjë që të mos lëshojë pushtetin. Natyrisht një opozitë dhe një masë e madhe populli që nuk mundet më me të. Po përtej kësaj një kërkim identiteti. Një përplasje ndërmjet modeleve që do ta çojnë Shqipërinë afër kësaj apo asaj apo afër vetvetes. Shqipëria ngeli në klasë këtë vit, se padyshim në disa aspekte ishte prapa Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ngeli në klasë së akoma në Shqipëri korrupsioni dhe nepotizmi është mbret. Por, Shqipëria ngeli në klasë dhe sepse duhet të vendosi se ku është, kush është? Është vëlla i vogël, apo rri fare mirë në këmbët e veta? Bën politikë të jashtme të përulur siç po ndodh tani apo është e qartë në potencialin që ka dhe e përdor atë për të forcuar pozicionin e vet? Politika e jashtme është e Shqipërisë apo funksion i atij apo këtij shteti kushdo qoftë ky. Shqipëria ka vendosur të jetë në Europë apo ka programe të tjera? Këto janë pyetje që nuk kanë përgjigje pozitive apo negative, por që duan detyrimisht përgjigje. Padyshim qeveria a sotme nuk mund t‘i japi këto përgjigje, sepse tashmë nuk ka mundësi të mendojë për gjithë vendin jashtë interesave e lidhjeve personale. Qeveria që do të zgjidhet ose do jetë drejtpërdrejt përgjigjja e këtyre pyetjeve ose do të duhet t‘i përgjigjet shpejt për hir të së ardhmes së shqiptarëve. Çdo shqiptar i përgjegjshëm i ka këto përgjigje dhe duhet t‘i fillojë t‘i thotë me zë të lartë sa nuk i ka dhënë vetë qeveria për ta. Nëse unë duhet të bëj pjesën time në emër të gjyshërve të mi, mund të them Shqipëria duhet të qëndrojë aty ku qëndronte Samiu, Naimi, Noli, Migjeni dhe të tjerë që e deshën Shqipërinë me kokën lart, mbi këmbët e veta, me modelin e vet, me miqtë e tij, por krenarinë e vet dhe natyrisht aty ku i takon, në Europë.
*Pedagoge e gjuhës shqipe në SHBA, mbesë e gjyshërve shqiptarë