Deti i egërsuar "mbërthen" tragetet në port
Shtrëngatat e shiut dhe erërat e forta kanë bllokuar pasditen e djeshme Portin e Sarandës. Ndërkaq, në qytet egërsimi i motit ka shkaktuar thyerje palmash në shëtitore dhe shkulje të disa elementeve të dekorit festivë, ndërsa në Delvinë, mësohet se kanë rënë reshjet e para të dëborës së shkrirë. Afër mesditës edhe dallgëzimi në det ka ardhur duke u shtuar. Nga Kapitaneria e Portit është raportuar se dallgëzimi ka kapur nivelin e 6 ballëve. Kjo ka bërë që të pezullohet lëvizja e trageteve të pasdites së linjës Sarandë- Korfuz, ndërkohë që kanë realizuar udhëtimet e linjës vetëm dy tragetet që erdhën në orët e paradites nga Korfuzi në drejtim të Sarandës. Parashikimi i motit në rajon ka paralajmëruar një përshkallëzim edhe më të lartë të dallgëzimit të detit, që sot pritet të regjistrojë 7 ballë, çka do të sjellë paralizimin e plotë të linjës së trageteve.
Tho.Ni.