Burri xheloz vret gruan në gjumë
Hetimi / Halil Roshi ka lajmëruar vëllain e tij se kishte vrarë bashkëshorten
Prej kohësh kishte kontradikta me bashkëshorten e tij, duke shfaqur dhe shenja xhelozie, por askush nuk e mendonte se babai i katër fëmijëve do ta qëllonte për vdekje në gjumë. Pas vrasjes, kryefamiljari ka telefonuar vëllain e tij me banim në Tiranë për atë që kishte ndodhur
Një telefonatë e xhaxhait të tyre nga Tirana ka zgjuar më herët se zakonisht gjumin e dy fëmijëve, të cilët nuk e imagjinonin kurrë atë që kishte ndodhur në dhomën tjetër. Mamaja ndodhej në shtrat e përgjakur, ndërsa babai nuk ishte në shtëpi. Thirrjes për ndihmë i janë përgjigjur fqinjët më të afërt dhe më pas punonjësit e policisë, të cilët pas një hetimi të shpejtë kanë identifikuar autorin si dhe motivin e vrasjes. Një gjë e tillë është bërë e ditur dje nga zëdhënësi i Policisë i Gjirokastrës, Genti Soti, sipas të cilit vrasja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit në fshatin Topullarë, kur Halil Roshi, 54 vjeç, ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij Donika Roshi, 45 vjeçe.
Sakaq, hetimet e ekspertëve kanë rezultuar se krimi është kryer me mjete prerëse në kohën që gruaja ka qenë në gjumë, ndërsa dy nga katër fëmijët e çiftit që ndodheshin në shtëpi, kanë qenë në gjumë. Më pas, kryefamiljari është larguar me shpejtësi nga banesa për të telefonuar vëllain e tij me banim në Tiranë për atë që kishte ndodhur. Ndërkohë, janë dashur plot 12 orë kërkime të Policisë së Gjirokastrës, që autori të gjendej i fshehur në një nga tunelet ushtarake në fshatin Arshi Lengo, 3 kilometra larg vendit të ngjarjes dhe 5 kilometra larg qytetit.
Ngjarja
Rreth ngjarjes, Policia e Gjirokastrës ka bërë me dije se rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, një telefonatë në Sallën Operative ka lajmëruar se në vendin e quajtur Topullarë-Valare të rrethit Gjirokastër ka ndodhur një vrasje, ku një shtetas ka vrarë bashkëshorten. Menjëherë, për në vendin ku ishte telefonata janë nisur forcat e policisë dhe konkretisht, grupi i gatshëm i policisë së rendit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, specialistë të Sektorit kundër Krimeve të Rënda. Nga verifikimet rezultoi se telefonata ishte e saktë, ku nga hetimet rezultoi më pas se Halil Roshi, i martuar me 4 fëmijë, rreth orës 00:55, ka vrarë me sende të forta në kokë, duke i shkaktuar vdekjen, bashkëshorten e tij, Donika Roshi. Sipas policisë, pasi ka kryer krimin është larguar me shpejtësi nga banesa duke marrë me vete dhe sendet që kreu krimin dhe ka njoftuar në telefon vëllain e tij banues në Tiranë për krimin që kishte bërë.
Ndërkohë, në banesë ishin duke fjetur gjumë dy fëmijët e tij, të cilët pasi janë njoftuar me telefon nga xhaxhai i tyre dhe kanë konstatuar se nëna e tyre ishte pa jetë, kanë njoftuar komshinjtë të cilët kanë njoftuar dhe policinë.
Kërkimet
Forca të shumta policie janë vënë në kërkim të autorit të ngjarjes duke ngritur postblloqe të shumta në gjithë zonën. Menjëherë forca të shumta nën drejtimin e drejtorit dhe të zv.drejtorit të Policisë së Qarkut, kanë rrethuar zonën dhe po bëjnë krehjen e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit. Gjithashtu, në akset rrugore nacionale, por edhe në rrugët dytësore ku dyshohet se mund të kalojë autori, janë ngritur postblloqe policie. Derisa, 12 orë pas ngjarjes, 54-vjeçari Roshi është gjendur i fshehur në një tunel në fshatin Arshi Lengo, 3 kilometra larg vendit të ngjarjes. Ndërkohë, nga deklarimet e fëmijëve të viktimës rezultoi se shkaku i këtij krimi ishte xhelozia, pasi këta kanë pasur prej shumë kohësh debate xhelozie midis njëri-tjetrit.
Autori
Halil Roshi, 54 vjeç, nga fshati Topullarë, Gjirokastër
Viktima
Donika Roshi, 45 vjeçe