E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat,Ambasadat nuk respektojnë Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave



Monitorimi / Lëvizja Evropiane në Shqipëri shqyrtoi rastet e aplikantëve

Njerëz të artit, sportistë, mjekë apo kategori të tjera që përfshihen në kategoritë e kërkuara që përfshihen në Marrëveshjen e Liberalizmit të Vizave, as që u jepet shpjegimi më i vogël përse u refuzohet viza, ndërkohë që ambasadat, “komardaren e shpëtimit” duket se e gjejnë veçse tek justifikimi i numrit të madh të aplikimeve ditore

Duhet ta kishin më të lehtë udhëtimin për në vendet e Shengenit për shkak të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave me Komunitetin Evropian, por duket se refuzimi i vizës në kryesisht ambasadën greke, italiane, apo dhe gjermane por jo vetëm, nuk njeh më kufij. Njerëz të artit, sportistë, mjekë apo kategori të tjera që përfshihen në kategoritë e kërkuara që përfshihen në Marrëveshjen e Liberalizmit të Vizave, as që u jepet shpjegimi më i vogël përse u refuzohet viza, ndërkohë që ambasadat, “komardaren e shpëtimit” duket se e gjejnë veçse tek justifikimi i numrit të madh të aplikimeve ditore.

Anomalia e refuzimit të vizave nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe të

Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, e cila përmes një monitorimi të gjerë të rasteve të shumta të aplikantëve që iu është refuzuar viza, ka bërë publik një ditë më parë materialin në këtë drejtim. Fryt i projektit “Lehtësimi i Vizave në Ballkanin Perëndimor”, e përpiluar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri, në bashkëpunim me organizata të tjera joqeveritare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe European Citizen Action Service me qendër në Bruksel, projekti ka përfunduar tashmë fazën e parë dhe është prezantuar njëkohësisht në Bruksel (ECAS), Tiranë (EMA), Sarajevë (VESTA), Shkup (MCIC), Podgoricë (ÇE) dhe Beograd (The Citizens’ Pact for SW).

Gjithçka mbështetet nga East-East Partnership Beyond Borders Program, Open

Society Institute dhe King Baudouin Foundation, ku qëllimi kryesor është monitorimi i Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian.

Por, në të vërtetë, monitorimi ka nxjerrë në pah se jo vetëm marrëveshja e lehtësimit të vizave nuk funksionon siç duhet, por për më tepër ka sjellë në vëmendje disa nga rastet më flagrante të refuzimit me pa të drejtë të vizave nga ambasadat e vendeve evropiane.

Kështu, ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave, njërit prej personaliteteve më të dalluara të jetës publike në Shqipëri, Ylli Popës, iu refuzua viza nga konsullata

Italiane. Madje, personeli shqiptar i konsullatës iu drejtua me fjalët: “Poshtë

urës do flini në Itali?”, – kur ai po dorëzonte dokumentacionin e aplikimit për

vizë, njoftoi Lëvizjen Evropiane në Shqipëri një telefonuese që ndodhej aty për

të futur edhe ajo aplikimin për vizë.

Po kështu, Indrit Fortuzi, futbollist i ekipit kombëtar shqiptar dhe personazh i dashur në rrethin e dashamirësve të sportit në Shqipëri, nuk mori dot vizë Shengen nga konsullata gjermane këtë vit, megjithëse paraqiti të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga konsullata së bashku me ftesën origjinale nga pritësit. Fortuzi është pajisur disa herë me vizë dhe ka respektuar me rigorozitet afatet e mëparshme, sikundër ka pasur në të shkuarën leje qëndrimi në Greqi e Austri, duke qenë se ka luajtur futboll për një periudhë kohe në këto vende.

“Unë nuk kam pasur probleme të tilla as në periudhën kur pajisja me një vizë

Shengen ka qenë vërtet një mision i vështirë. Sportistët duhet ta kenë marrjen e

vizës më të lehtë, dhe jo më të vështirë, sidomos kur kjo parashikohet nga

Marrëveshja e Lehtësimit, nëse shprehem saktë”, – sqaron Fortuzi në e-mailin e

dërguar. Ndërkohë, Popa dhe Fortuzi nuk janë të vetmit për fat të keq. Së bashku me ta, ka një numër të konsiderueshëm personash nga komuniteti i biznesit që ankohen për lëshim vizash afatshkurtra, ndonjëherë edhe për moslëshim vizash nga konsullatat.

Kohëzgjatja e procedurave

Gjatë monitorimit të saj, Lëvizja Evropiane në Shqipëri ka konstatuar se një ndër problemet kryesore për marrjen e një vize, është kohëzgjatja e procedurave.

Sipas materialit, për të lënë një takim për shembull në konsullatën greke apo

italiane në Tiranë nevojiten më tepër se 2-3 muaj, pasi ato janë marrë në telefon.

Kjo përbën edhe një ndër pikat më problematike, zgjidhjen e së cilës nuk e ofron

Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave. Kjo shërben si një “gur shpëtimi” për konsullatat, pasi ato janë të detyruara që pas intervistës me personin të japin një verdikt brenda 10 ditëve pune, kohë e cila në përgjithësi respektohet. Kishte njerëz që telefononin për t’u ankuar pikërisht për kohën tepër të vonët të lënies së takimit në konsullatë, kohë e cila shpesh qëllonte të ishte edhe mbas vizitës së parashikuar në vendin tjetër. Por konsullatat mbrojnë punën e tyre me faktin se numri i madh i aplikimeve që procesohet është pothuajse i papërballueshëm për to. Ky numër arrin mbi 100 në ditë tek konsullatat greke apo italiane.

Problematika e dokumentacionit

Përkundrejt frustrimit të qytetarëve shqiptarë kur përballen me “murin Shengen”, konsullatat e akredituara në Tiranë, në fakt, kanë përse të shqetësohen. Dokumentet e falsifikuara dhe të paligjshme përbëjnë një çështje të rëndësisë së veçantë kur flitet për vizat. Qeveria shqiptare ende nuk ka pajisur qytetarët e vet me karta identiteti apo pasaporta me të dhëna biometrike. Praktika ka treguar se certifikatat personale dhe ato familjare mund të falsifikohen, çka ul ndjeshëm nivelin e besueshmërisë së dokumentacionit që dorëzohet pranë konsullatave të vendeve Shengen nga aplikantët shqiptarë.

Refuzimi i bashkimit familjar

Nga monitorimi rezulton se kategoritë më problematike janë njerëzit që

udhëtojnë për qëllime turistike, për arsye shëndetësore dhe ata që vizitojnë të

afërmit e tyre, fëmijët, kushërinjtë, ndoshta për shkak të eksperiencës së

mëparshme migratore të të afërmve të tyre. Qytetarë të ndryshëm kanë trokitur

pranë Lëvizjes Evropiane në Shqipëri për të treguar dokumentacionin e tyre

krejt të rregullt për marrjen e një vize Shengen, por që nuk u është akorduar nga

konsullata të ndryshme. Një çift pensionistësh me moshë 79 dhe 76 vjeç, me viza të mëparshme italiane të respektuara rigorozisht nga ana e tyre, nuk arritën të marrin vizë këtë vit, ndërkohë që duhet të ishte edhe më e lehtë për ta marrja e vizës me Marrëveshjen e Lehtësimit në fuqi. Fëmijët e tyre jetojnë në Itali, por ky çift nuk mori as arsyet e refuzimit të vizës.

Detaj

“Djali im është artist dhe humbi koncertin në Greqi, pasi data më e parë e

mundshme e lirë për intervistë ishte vetëm një ditë para koncertit. Djali e mori

vizën, vetëm se ajo nuk i hynte më në punë”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›