E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 21-vjeçari, shfrytëzoi një person për t’i transportuar drogën



Shkodër – Një 21-vjeçar është arrestuar dje nga Policia e Shkodrës pasi në xhaketën e tij u gjet një sasi lënde narkotike. Burime nga policia thanë se Kushtrim Kraja, u arrestua pasi tentoi të transportonte lëndë narkotike duke shfrytëzuar një tjetër person pa dijeninë e tij. Sipas policisë 21-vjeçari në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër, tek stacioni i autobusëve të linjës Shkodër-Durrës, i kishte kërkuar një favor një personi, që do udhëtonte me atë linjë autobusi, duke i dhënë një xhakoventë, për t’ia dërguar një shoku në Durrës. Mësohet se në xhepat e brendshme të xhakoventës, ndodhej një qese plastmase me material bimore, e dyshuar si lëndë narkotike, i cila rezultoi të kishte peshën 12 gramë. Nga hetimet e kryera, policia zbuloi personi, i cili kishte marrë xhakoventën, për ta dërguar në Durrës, nuk ishte në dijeni të qeses së gjetur në xhakoventë.
Pas hetimeve u verifikua se Kushtrim Kraja ishte dhe pronari i lëndës narkotike ndaj dhe policia mori masën e arrestit në ngarkim të tij, për veprën penale të “mbajtjes dhe shitjeve të lëndëve narkotike”.

SHBA i dhuron Policisë së Shtetit sisteme të informatizuara për forcimin e kontrollit kufitar

TIRANË - Qeveria Amerikane i dhuroi dje Qeverisë Shqiptare, sisteme të informatizuara për forcimin e kontrollit kufitar. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Z. John. L. Withers II, nënshkruan dje në Tiranë, marrëveshjen e dhurimit, nëpërmjet programit ICITAP për Policinë e Shtetit, të disa sistemeve hardware dhe software, në funksion të sistemit TIMS dhe programit MEMEX, në funksion të përmirësimit të kontrollit kufitar si dhe parandalimin dhe zbulimin e krimit. Kreu i Ministrisë së Brendshme e vlerësoi të rëndësishme në punën e përditshme të Policisë së Shtetit, këtë dhuratë të Qeverisë amerikane. “Sot falë kësaj asistence dhe funksionimit në themel të sistemit TIMS,- u shpreh ministri i Brendshëm, -realizohen një sërë shërbimesh të informatizuara; si sistemi i kërkimit, sistemi i arkivës kriminale, sistemi i informacionit të kontrollit kufitar, raportimi i ngjarjeve, apo dhe ai i programit MEMEX, përmes të cilit administrohen të dhënat kriminale në funksion të analizave të veprimtarive kriminale.” Nishani e vlerësoi ndihmën e ofruar nëpërmjet programit policor “ICITAP”, në luftën kundër krimit të organizuar, kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufijve,si prioritete të angazhimit të qeverisë shqiptare, pa të cilën, sipas tij, nuk do të kishin mundur të arrinin në standardet që kemi sot. Në emër të Ministrisë së Brendshme, Nishani konfirmoi se “ndihma e dhënë deri më tani policisë Shqiptare nga ana e qeverisë së SHBA dhe popullit amerikan, shënon vlerën prej 14 milionë dollarësh.” Ambasadori i SHBA Z. John L. Withers II, e cilësoi këtë donacion të qeverisë së tij, që kap vlerën mbi 1 milionë dollarë, një gur të rëndësishëm kilometrik në rrugën e kalimit të sistemit TIMS në duart e Policisë së Shtetit, i cili, sipas tij, shumë shpejt, pritet të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Ekstradohet nga Italia i dënuari me 17 vjet për vrasje

TIRANE - Interpol Tirana ekstradoi katër ditë më parë nga Italia një të kërkuar për vrasje. Gëzim Hoxha 40 vjeç, nga Rrogozhina, ishte dënuar me 17 vjet burg për krimin e vrasjes. Interpol Tirana nuk ka dhënë detaje të tjera rreth krimit të kryer nga Hoxha, ndërsa është mjaftuar me datën e vendimit të gjykatës së Kavajës, 18 shtator 2001, e cila dha dënimin me 17 vjet burg. Burimet zyrtare nuk kanë bërë publike ecurinë e gjykimit apo nëse Hoxhës i ishte dhënë e drejta për të ankimuar këtë dënim dhe nëse ishin konsumuar të gjitha shkallët e gjyqësorit për gjykimin e ngjarjeve të tilla kriminale. Policia e Kavajës ekzekutoi të martën në qelitë e burgut masën e arrestit për Hoxhën.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›