E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit kërkon investime për dhomat e shoqërimit në Himarë



TIRANË - Zyra e Avokatit të Popullit ka kërkuar investime për të përmirësuar kushtet në mjediset e shoqërimit në stacionin e Policisë së Himarës në qarkun e Vlorës, në përfundim të një inspektimi të bërë aty disa ditë më parë. “Grupi i inspektimit konstatoi se dhoma për të shoqëruarit në këtë stacion, si nga përmasat, ndriçimi natyral, i rrjetit dhe orenditë, nuk plotësonte kubaturën e nevojshme dhe nuk ishte e konceptuar sipas standardeve të përcaktuara në ligj”, -bënë të ditur dje burime zyrtare nga Zyra e Avokatit të Popullit. Sipas tyre, rekomandimi në fjalë i është bërë i ditur drejtuesve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, nga varet edhe stacioni i Policisë së Himarës. Prej fillimit të këtij viti, Zyra e Avokatit të Popullit ka ndërmarrë një turr inspektimesh në strukturat e policisë në rrethe, ku po njihet me gjendjen e respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria. Në këtë kuadër, kjo Zyrë ka bërë rekomandimet përkatëse, që përgjithësisht drejtohen në përmirësimin e infrastrukturës së komisariateve të policisë në rrethe.

Fana bën betimin në Gjykatën e Lartë

TIRANË - Mirela Fana, anëtarja më e re e Gjykatës së Lartë bëri dje betimin solemn për t’i qëndruar besnike Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi, duke respektuar rregullat e etikes profesionale. Ceremonia për betimin e gjyqtares Fana u organizua mesditën e djeshme në Gjykatën e Lartë, në prani të anëtarëve të tjerë të saj. Mirela Fana u dekretua nga Presidenti i Republikës me 14 prill 2009 e më pas mori pëlqimin dhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Ajo emërohet anëtare e Gjykatës së Lartë pas një përvoje të gjatë si juriste, duke e zhvilluar profesionin në disa fusha të së drejtës, si hetuese, prokurore gjyqësore, inspektore ligjshmërie pranë Gjykatës së Kasacionit dhe prej vitit 1996 e në vazhdim, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›