Ndryshuan pronësinë, pranga 3 zyrtarëve të Hipotekës
LUSHNJE - Tre zyrtarë të Hipotekës kanë rënë në prangat e policisë së Lushnjës nën akuzën e shpërdorimit të detyrës duke abuzuar me troje. Ky është aksioni i radhës së uniformave blu pas atyre të kryer vitin e kaluar ku në pranga falë dy oracioneve “Furtuna” dhe “Furtuna 2” u arrestuan 5 zyrtarë të hipotekës së Durrësit.
Operacioni
Burime nga policia bëjnë të ditur se të arrestuarit janë, Agim Kojku, inxhinier topograf dhe zëvendësregjistrues në Hipotekë. Po ashtu si bashkëpunëtorë të tij janë arrestuar edhe dy topografët e tjerë, Servet Musaku dhe Nexhat Zeneli. Gjithashtu është arrestuar edhe Agim Prendit nga Tirana. Sipas policisë, zyrtarët kanë abuzuar me detyrën duke ndryshuar pronësinë. Burime policore thanë për gazetën se arrestimi i tyre u bë pas një hetimi disamujor dhe kontrollit të dokumentacionit të regjistrimit të pronave.
Rastet
Në shkurt të vitit 2008 operacioni policor “Furtuna” bëri të mundur arrestimin e 6 personave në kryeqytet ndër ta edhe 3 zyrtarë të Hipotekës. Pas arrestimit të këtyre personave, që u akuzuan për tjetërsim te pronave, korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri me dije se dispononte prova të mjaftueshme për implikimin e zyrtarëve të zyrës së regjistrimit në këtë vepër penale. Mes të arrestuarve përveç 3 zyrtarëve të Hipotekës ishin edhe një oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe 2 sekserë. Të arrestuarit ishin Artan Mehmeti, Ramiz Hyka dhe Enton Babameto, te tre specialiste në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, Dali Hakorja, oficer i SHKB-se dhe Halil Hima e Veiz Senko sekserë. Rreth 3 muaj më pas “Furtuna” vijon në Durrës dhe u kyçën në pranga 2 zyrtarë të Hipotekës atje nën akuzën e korrupsionit. Sipas njoftimit të policisë u arrestuan Petrit Maliqati, 53 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 5 në Durrës, hartograf pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Olsjon Rrjepaj, 28 vjeç, lindur e banues në Durrës, edhe ky zyrtar i Hipotekës. Arrestimi i tyre u bë pas një pune investiguese të sektorit të Luftës kundër Krimit Financiar. Në bazë të hetimeve disa mujore. Maliqati dhe Rrjepaj, dyshoheshin se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin shpërdoruar detyrën duke regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në favor të Petrit Maliqatit dhe vëllait e motrave të tij, një sipërfaqe toke (truall), e cila ndodhet në lagjen nr. 8 Durrës.
1 Maj 2009