E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Jam gati te rikthehem

INTERVISTA Ish-presidenti i Republikes, Alfred Moisiu, ne nje interviste qe i dha drejtorit te televizionit “Ora News”, Alfred Peza, flet per terheqjen pas largimit nga drejtimi i shtetit, jeten private, por dhe trajtimin qe i ofron shteti. Cfare konsideron ai si fitoren me te madhe te Presidences, si dhe pohimi: Rikthehem kur vendi te kete nevoje per mua
Z.Moisiu qe nga koha qe ju ia dorezuat stafeten z.Topi ne krye te vendit, me 24 korrik 2007, keni qene jo shume i pranishem ne media me opinionet dhe deklaratat tuaja. Pse keni zgjedhur kete rruge?
Sigurisht, nuk eshte se kam zgjedhur une kete rruge, por njeriu ka nevoje per nje qetesi, pas nje periudhe intensive 5-vjecare dhe per nje relaks, qe eshte i domosdoshem per cdo njeri. Megjithate, kohe pas kohe, une u jam pergjigjur kerkesave te medias, jo vazhdimisht, sigurisht, dhe kam pasur disa probleme pune per t’u perqendruar ne disa ceshtje, kam punuar, kam pasur disa aktivitete nderkombetare. Keshtu qe, kjo ka qene edhe arsyeja, absolutisht asnje arsye tjeter.
Studio juaj private e punes, eshte shume e pasur me kujtime, ku jane fiksuar momentet me te rendesishme te 5 viteve si President. Por, eshte nje zyre e ngushte dhe e vogel, me nje mobilim teper modest...
Sigurisht edhe kjo zyre, sic thate ju, e vogel dhe modeste, eshte nje dhurate qe me kane bere, nje surprize qe me bene disa miq te mi kur u ktheva nga pushimet. Me thane, zoti President te kemi pergatitur nje zyre dhe ishte nje kenaqesi me te vertete, sepse e kam edhe nje zyre ne apartamentin tim, sigurisht, e kam pasur gjithnje nje zyre te tille. Por, ketu eshte me e volitshme per te pritur miq dhe shoke, vijne edhe diplomate te huaj dhe sigurisht qe te krijon disa kushte dhe per pune, me te pershtatshme se mund te jesh ne kushtet shtepiake. Kjo zyre deri me tani, me te thene te drejten, me ka sherbyer shume, me ka vlejtur dhe te ishte me e madhe nuk do te ishte keq. Por, keto jane mundesite.
A ndiheni te vleresuar pasi keni lene detyren, ne lartesine qe meritoni, si ish-President, nga shteti i cili i keni sherbyer. Kam pare disa here z. Rexhep Meidani te eci ne kembe rrugeve te Tiranes dhe te them te drejten, si qytetar nuk ndihesh mire.
Une mendoj qe ju keni te drejte. Une jam ndiere mire ne kontaktet dhe takimet qe kam pasur me qytetaret e zakonshem, te njohur dhe te panjohur, shumica mund te them per te panjohur, sic vertet me kane shprehur konsideratat e tyre per punen qe une kam bere gjate pese viteve te mandatit si kryetar i shtetit. Por, une mendoj qe ne drejtimin e kahit tim te ish-kryetareve te shtetit dhe personaliteteve te tjera te larta te vendit, ka shume vend per te rregulluar nga ana ligjore dhe shpesh, ose deri me tani me te thene te drejten, keto gjera jane lene pas dore. Ka disa vendime qeverie, te cilat ndryshojne rast pas rasti, per nje arsye ose per nje tjeter dhe nuk eshte trajtimi i personaliteteve te larta te vendit sikurse eshte ne rajonin tone, po te marrim Maqedonine ose Malin e Zi.
Si e kane rregulluar ato?
Ata kane nje ligj per statusin e ish-presidenteve dhe aty jane percaktuar te gjitha te drejtat. Kane te drejta jo vetem per nje godine, ose si te thuash per nje zyre te bollshme, por edhe per sekretar dhe per mundesi te tjere. Kane edhe nje fond, qe eshte ne raport me perqindjen e Presidentit qe eshte ne fuqi, pra sa here qe leviz ai, fond leviz edhe fondi i Presidentit. Per shembull, po marr kur isha ne Hungari per nje vizite zyrtare dhe udhetova me ish-Presidentin Matul, ne nje dreke, ai kishte edhe shef protokolli ne stafin e tij. Ishte nje gje me te vertete e pamenduar nga ana ime, qe mund te kishte kaq staf te madh dhe une mendoj se kjo nuk eshte thjesht per te respektuar nje ish-personalitet. Pasi, ne fund te fundit, nuk respektohet individi, por puna qe ai ka bere, por respektohet edhe vendi ne raport me te tjeret. Une e quaj te nevojshme kete pune, pasi njeriu, pavaresisht se le nje detyre eshte krejtesisht normale, nuk mund te kete gjera te perjetshme dhe kalon ne nje stad tjeter te punes se tij, ka disa detyrime ndaj shoqerise, ndaj shtetit, ndaj bashkekombesve te tij, ta transmetoje dhe ta jape, per keto duan disa kushte minimale. Une shpresoj, shpresoj gjithmone, qe Presidenti aktual, pasardhesi im, zoti Topi, ta vej ne vije kete pune. Kur une ia dorezova detyren, ia vura ne dukje kete mangesi, sepse kur je ne detyre kete nuk e ndjen shume me te thene te drejten. Me te thene te drejten, me Presidentin Meidani, me ate takohem dhe pi ndonje kafe edhe me thote qe me dergo makinen te me marresh se eshte edhe larg. Nuk eshte problemi domethene, sepse sot njeriu mund te levizi me nje taksi, por ketu eshte ceshtja e nje trajtimi qe gjykoj se duhet rregulluar kjo pune, me mendje te ftohte dhe vizion kombetar shteteror. Kushdo qe eshte i ngarkuar ta beje kete pune.
Gjate kohes qe ishit President, thuhej se benit 5-8 kilometra ecje ne dite. E vazhdoni kete ritual?
Sigurisht, ne mengjes bej nje pergatitje fizike statike, rreth 35 minuta ne nje biciklete statike qe kam ne shtepi. Nga dreka bej 50-60 minuta, sipas rastit, shetitje nga liqeni, me hap te shpejte, sigurisht. Pra, une pergatitjen fizike e vazhdoj, sepse eshte pjese e edukates sime. Jo vetem kaq, por e ndjej edhe te domosdoshme. E shoh ne liqen qe shume njerez dhe me te moshuar se une, vazhdojne, per te cilen i pershendes per vullnetin qe kane, pasi do edhe vullnet kjo. Rehatia te terheq, te bllokon, te mban, mirepo pas asaj vjen plogeshtia dhe njeriu behet si nje qenie kot fare.
Eshte ne praktiken e ish-udheheqesve te vendeve te ndryshme qe pasi te terhiqen nga politike, shkruajne kujtimet si nje kontribut per brezat e ardhshem. Kujtoj ish-kryeministrin britanik, Curcill, i cili ne vitin 1953 arriti, madje me to, te fitonte cmimin Nobel ne letersi.
Sigurisht, Curcilli dhe te tjeret jane personalitete me vlera boterore. Por une mendoj qe cdo njeri qe ka nje kontribut politik ne zhvillimet e vendit te tij, do te thosha qe eshte i detyruar qe te ler dicka. Jo per te vene ne pah veten e tij, por kjo pervoje nuk mund te mbahet, nuk mund te merret me vete, kjo i duhet lene brezave qe vijne, sepse njerezit duhet te mesojne qofte nga te mirat, qofte nga te keqijat, te cdo periudhe, te cdo individi, e keshtu me radhe. Pra une kam filluar te shkruaj. Ne fakt, jeta ime ka qene shume e ngaterruar, sepse une kam jetuar ne disa periudha. Mbaj mend periudhen e Zogut, mbaj mend shume mire periudhen e pushtimit fashist, madje kam qene pjesetar i luftes antifashiste, sigurisht e pasqyrimit, pjesa e diktatures dhe keto vitet e demokracise. Kisha filluar me kohe dhe kisha arritur deri nga vitit 1958, por tani e lashe ate pjese, fillova vetem kete pjese te mandatit 5-vjecar, pasi me duket shume interesante dhe shpresoj qe do te perpiqem, te pakten, qe deri nga fundi i vitit ta perfundoj kete, mundet edhe qe nga fillimi i vitit qe vjen te dalin keto kujtime.
Keni vendosur ndonje kriter se cfare nuk do te perfshini ne kete?
Keto gjera jane kur flas per problemin, kur pershkruaj problemin, sigurisht ato gjera qe duhen thene, duhen thene. Por, ato gjera qe s’duhet thene se nuk kane edhe vlera, por edhe sepse nuk kane pse paraqiten.
Nese do te kthenim koken pas gjate ketyre 5 viteve qe keni qene President, keni bere ndonje reflektim personal se cfare ju mund te kishit bere me mire edhe cfare jo?
Dihet qe periudha e mandatit tim ka qene nje periudhe joegmaktive per mua, por ne teresi per politiken shqiptare. Qellimi im, qe une i vura vetes sime me marrjen e kesaj detyre shume te nderuar dhe me shume pergjegjesi, ishte qe te kontribuoj maksimalisht per ndertimin e nje shtetit ligjor, gje per te cilen ne kemi shume nevoje. Sigurisht, kryetari i shtetit ka ne dore aq sa ka, sepse e gjithe struktura politike ka pjeset e saj, shteti ka shume elemente dhe jo cdo gje varet nga kryetari i shteti. Por, ky ka qene nje nga synimet e mia kryesore. Une mendoj qe te mos them qe kam dhene maksimumin, pasi kete vleresim duhet ta beni ju analistet, historianet, por une jam perpjekur vertet te bej ate cka mendoja se eshte me e mira per Shqiperine, per bashkekombesit e mi.
Ke konsideroni si fitoren me te madhe te Presidences suaj?
Por, tani gjate mandatit 5-vjecar, ka pasur shume evenimente te ndryshme. Ne radhe te pare, une u perpoqa njehere te mbaja gjalle detanten e krijuar me rastin e zgjedhjes sime me konsensus. Por, ate e mbaja gjalle aq sa mundet ta mbaja. Sepse thashe, qe jo cdo gje varet nga Presidenti dhe sigurisht ne radhe te pare, une arrita qe disa here te ul forcat politike parlamentare ne tryeze te perbashket, qofte per problemin e pronave, qofte per problemin e te perndjekurve, qofte per problemin e sistemit zgjedhor. Ajo qe te gjithe e mbajne mend, te janarit te 2007-es, ku une i mblodha forcat politike dhe i mbajta gati 24 ore ne presidence, per te punuar sigurisht, me shume perdora metoden qe perdorin amerikanet, kur erdhi puna e takimit te serbeve-boshnjakeve.
Ashtu sic perdoren ne Vatikan per te zgjedhur Papen...
Nuk ishte ky qellimi, sigurisht. Ne fakt eshte procesi qe ka rrezikshmeri se po t’i shperndash, hajde t’i mbledhesh dhe krijohen mendime te reja, dalin perdite. Keshtu qe, situata atehere nuk ishte shume e mire, ishte kritike, pasi ishte ne loje edhe prestigji i vendit. Jemi shtet, apo nuk jemi shtet. Pasi mund te diskreditoheshim para gjithe botes dhe para opinionit publik te brendshem, nuk behej fjale nese jemi per t’u pranuar ne NATO apo nuk jemi per tu pranuar ne NATO. Sigurisht une bera edhe ato leshimet e mia, u dorehoqa dekretin e pare dhe nxora dekretin e dyte, qe nuk ka qene ne praktiken e pranueshme.
Por, ishte ne praktiken e politikes...
Por, ishte nje gje madhore qe une isha gati te beja cdo sakrifice per ta zgjidhur ate pune. E thashe kete sepse ka pasur shume komente ne ate kohe, jo pse Presidenti keshtu dhe pse ashtu.
Gjithsesi, ne ate bilancin e 5 viteve, ky moment konsiderohet nje nga sukseset tuaja.
Po. Edhe njera qe nuk duhet harruar mendoj une, ne 2005, pas zgjedhjeve 2005, qe u krijua nje vakum gati dy muaj, qe nuk dilnin rezultatet e zgjedhjeve dhe sigurisht sipas Kushtetutes qeveria e re, qeveria e shkuar, duhet te ushtronte detyren te kufizuar. Praktikisht nuk e beri kete pune, ose beri shume pak dhe une isha i detyruar qe te isha thjesht ne rolin e Presidentit, por edhe ne nje fare roli nxites qe dikasteret kryesore, sic eshte financa, sic eshte Ministria e Brendshme, disa dikastere shume te rendesishme qe te ishin ne detyre.
Si u ndjete kur Kryeministri ne ate kohe u largua nga vendi?
Per kete nuk eshte nevoja me u perfolur, dihet kjo pune. Por, une mund te them megjithate se patem si nje kalim tranzicioni paqesor. Ishte hera e pare qe behej nje tranzicion paqesor, pavaresisht se ishte e zgjatur kjo periudha e tranzicionit, por tranzicioni ishte paqesor kur pushteti kaloi nga njeri krah ne tjetrin. Kjo ishte nje kenaqesi per mua, pervecse nje detyrim dhe kjo i tregoi edhe botes qe shqiptaret jane ne gjendje te bejne ato tranzicionet demokratike sipas Kushtetutes dhe sipas ligjeve qe kane. Pasi ne te kaluaren ka pasur shembuj te tjere.
Sigurisht, ishte edhe nje moment i pjekurise se demokracise ne Shqiperi. Kush ka qene momenti me i veshtire qe ju keni pasur gjate viteve si President?
Une po te them kaq, qe ruajtja e detantes ishte nje gje jo e lehte. Politika jone ka qene e brishte gjithe kohes. E dyta, ka qene, sic thashe tensioni i 2005-es. Ka qene zgjidhja e krizes se janarit 2007, zgjedhjet lokale dhe sigurisht zgjidhja e ceshtjes se Prokurorit te Pergjithshem, gjithashtu ka qene nje problem jo i lehte, sepse kishte dy alternativa ose te ruaja Kushtetuten, ose duhet te hyja ne acarim te metejshem me mazhorancen. Une zgjodha ate qe eshte me e madhe dhe me e mire ne interes te kombit, te zbatoja Kushtetuten.
A jeni penduar qe nuk e shkarkuat Prokurorin e Pergjithshem?
Jo, ketu nuk ka vend per t’u penduar, pasi ky vendim u mor per nje kohe shume te gjate. Une analizova me shume pergjegjesi, si relacionin e mazhorances, qe kerkonin shkarkim si edhe reaksionin e opozites dhe dokumentet qe kishte derguar Prokuroria. Ne te njejten kohe, u konsultova me grupe juristesh, une kam pasur nje grup qe kane qene vazhdimisht kontribuues per te me mbeshtetur dhe per te sugjeruar mua ne marrjen e vendimeve kardinale dhe pervec kesaj pata konsulta edhe me juriste nderkombetar. Ne saj te perfundimit te gjithe kesaj pune, une mora ate vendim qe mora. Une nuk mora parasysh as koston personale. Pasi per mua gjithcka qendron ne interesat e Shqiperise, jo tani por gjithe jeten time, por ne menyre te vecante kur je ne krye te shtetit atehere kete barre e ndjen me shume se kurdohere.
Mos ishte ky momenti qe ishte presioni me i madh politik ndaj jush?
Sigurisht, ka qene presioni, ka qene shume i madh madje, menyra jo edhe shume te pranueshme ne nje vend demokratik, te cilat dihen, jane te njohura nga opinioni publik. Megjithate, sikurse thashe, per mua nuk kishte rendesi asnje presion, asnje kosto, per mua kishte rendesi une te beja nje pune qe t’i vlej shtetit shqiptar dhe une shpresoj qe kjo pune nuk ka vlejtur thjesht per vendimin qe une mora. Por, shpresoj qe te kete vlejtur dhe do te vleje, sepse si duhen zgjidhur problemet kardinale pa u shmangur nga Kushtetuta, perndryshe Kushtetuta mund te behet nje cope leter, me te cilen mund te besh cfare te duash me te. Kjo eshte shume e rendesishme per nje vend demokratik, jane standarde perendimore qe e kerkojne, nuk mund te veprosh ne kete menyra. Per shembull, kohet e fundit ne pame qe policia dhe drejtesia italiane vuri ne arrest shtepiak gruan e ministrit te Drejtesise, qe ketu te ne as qe te mund ta coje njeri neper mendje, jo gruan por edhe shoferin e ministrit. Epo tani ligjet jane ligje, ligji nuk ben perjashtime, jane te barabarte per kedo. Kushtetuta eshte e barabarte per kedo, Kushtetuta dhe zbatimi i saj nuk mund te varet as nga vullneti im dhe as si politikanet e tjere te larte, eshte shkruar per t’u zbatuar. Ka mendime jo germa, jo fryma, une mendoj se edhe germa edhe fryma perputhen ne nje drejtim, te mbrohet e ardhmja e Shqiperise.
Pra, ne zbatimin e Kushtetutes, ju gjykoni se qofte ne rastin e vendimit per te mos e shkarkuar Prokurorin e Pergjithshem, qofte ne vendime te tjera te rendesishme qe ju keni marre, keni lexuar edhe germen dhe frymen e Kushtetutes?
Natyrisht.
Ka pasur ndonje moment per shkak te trysnise, presionit, per shkak te asaj qe me gjithe angazhimin tuaj ju keni thene boll, stop, do jap doreheqjen?
Jo, kjo nuk ka ndodhur. Per arsye, sepse, ashtu sikur thashe edhe pak me pare, une mendimet nuk i kam marre te nxituara, i kam marre te konsultuara. Metoda ime kryesore e punes ka qene metoda e punes ne grup. Me gjithe stafin tim dhe keshilltaret e jashtem dhe te gjithe ata qe mund te ishin te vlefshem per shqyrtimin dhe zgjidhjen e problemit aktual qe qendronte perpara. Pra, kur punohet ne kete menyre, eshte evidente qe evitohet ne maksimum, evitohet maksimalja e vendimeve te gabuara.
Keni 7 muaj qe jeni larguar nga presidenca, mbani kontakte me stafin qe keni pasur?
Mbajme kontakte, vijne dhe bisedojme, shkembejme mendime. Madje, une i pyes ata se cfare jehone kam bere tek ata, intervistat qe kam dhene, kontaktet me mediat, ose deklarimet e mia, pra kuptohet qe une mbaj lidhje me stafin, sepse eshte nje pune e perbashket, nje perpjekje e perbashket 5-vjecare, e cila ka lene nje gjurme ne radhe te pare te ne qe ishim aty dhe gjurme ne zhvillimin historik te drejtimit te shtetit shqiptar.
Po me klasen politike, me lideret e partive parlamentare, me te cilet keni punuar gjate pese viteve, vazhdoni te mbani kontakte?
Sigurisht, kam lidhje me ta, por lidhje urimesh me shume kam pasur, jo me rastin e Vitit te Ri, Krishtlindjeve, ditelindjeve. Vetekuptohet qe ata jane te angazhuar, por edhe une ne punen time nuk kam gjetur mundesine qe te kerkoj kontakte me ta. Pres nese ata kane nevoje qe te vijne tek une.
Ka pasur ndonjeri nevoje deri tani?
Deri tani nuk ka pasur ndonje gje te jashtezakonshme, thjesht telefonata te shkurtra.
Ndryshe nga Presidentet e tjere ne Shqiperi, ju keni punuar me dy kryeministra, qe kane qene njekohesisht edhe dy lideret, njeri i mazhorances e tjetri i opozites. Ku bashkoheshin dhe dalloheshin mes tyre Nano dhe Berisha?
Sigurisht ata jane dy politikane te rendesishem, qe kane nje kohe te gjate dhe kane qene prezent qe ne fillim te tranzicionit tone dhe une them qe kjo zgjatje, sterzgjatje e tranzicionit nuk mund t’i nxjerre ato nga pergjegjesia. Sigurisht, kjo pergjegjesi eshte individuale, por eshte edhe kolektive me bashkepunetoret qe ata kane, por une mund t’ju them kete qe ka shume mundesi ne mendimin tim, ne formimin dhe edukaten qe une kam, qe cdo force politike, une nuk jam politikan partiak dihet, duhet qe gjithmone te vere ne plan te pare interesat e kombit, pastaj interesat e partise qe ai drejton, aq me teper personale. Ja po te marrim nje shembull, kohet e fundit kjo kriza e rritjes se ushqimeve, e rritjes se cmimeve te ushqimeve, jane ushqime te dores se pare, nuk jane ushqime luksi. Gjera qe njeriu nuk mund te jetoje dot pa to. Tani pensionistet s’kane ku te shkojne me keq me ate pension qe kane, eshte minimalja e minimales, per te jetuar e per te mbajtur frymen. Por edhe nepunesit e tjere qe kane, te ulet e te mesem, edhe per ata veshtiresohet shume. Keto jane probleme qe nuk mund te kalohen kaq kollaj. Keto jane ligjet e ekonomise se tregut. Avash tani, se me ekonomine e tregut jetojne te gjithe, nuk jeton vetem Shqiperia. Kemi degjuar qe edhe ne vende te tjera te krijohen situata te tilla dhe qe qeveria te rrije keshtu e te beje sehir. Ne radhe te pare thone qe edhe shume e vertete, qe ne importojme shume edhe prodhime bujqesore, ne nje kohe qe fushat tona, gjysmat ose me shume rrine djerr. Atehere cila eshte arsyeja, ne biem patate nga jashte, kur patatet ne Shishtavec po kalben, po cfare duhet te bejme, prandaj jane edhe aparatet perkatese, prandaj eshte dikasteri perkates. Prandaj, une them qe qeveria dhe ne teresi politika ka pergjegjesine e saj. Duhet me u dal gjerave perpara. Te marrim krizen e energjetikes, e cila ka 17-18 qe po vazhdon, nuk eshte nje befasi, nje gje qe ndodhi aty per ty, nje emergjence. Nje emergjence qe eshte e vazhdueshme per 18 vjet nuk mund te jete shume e kollajte.
Nese do te ishit sot President, me kete situate te rritjes se cmimeve, te ushqimeve, te mallrave te shportes per qytetarin e thjeshte, cfare do te benit?
Keta jane gjera hipotetike. Sigurisht qe une do te beja ate qe une do te beja.
Prej sa vitesh keni qe nuk komunikoni me Nanon dhe Berishen?
Nuk ka ndonje rendesi te madhe kjo.
Pergjigjja besoj se ishte e qarte.
Besoj se nje nga takimet me te rendesishme tuajat, me siguri qe konsideroni takimin dhe viziten e Presidentit te SHBA ne Tirane. Cfare kujtoni nga ky takim?
Sigurisht, une me Presidentin Bush jam takuar per here te pare ne shtator te 2002. Ate vit ishte edhe pervjetori i sulmit terrorist mbi SHBA, me 11 shtator dhe atje pata nje takim dhe mundesi qe te bisedoja edhe pastaj do te udhetoja, qe do te shkoja ne Organizaten e Kombeve te Bashkuara, kam vajtuar ne shume vite, takoheshim, bisedonim biseda te shkurtra. Gjate gjithe kohes, une e pata ftuar per te ardhur dhe ne takimin qe patem ne 2006, me tha mua, une do te vij, kam qejf te vij ne Shqiperi. I thashe une qe jeni i mireseardhur, kjo eshte nje kenaqesi jo vetem per mua, por edhe per te gjithe politikanet shqiptare, por ne menyre te vecante per popullin shqiptar. Por, megjithate, une mendova se ishte nje kompliment i radhes. Sigurisht ishte nje kenaqesi kur ne e morem njoftimin zyrtarisht, qe Presidenti Bush do te vizitonte Shqiperine dhe qe nje ngjarje vertet historike se ishte hera e pare qe Presidenti SHBA-se vendos kemben ne token tone. Nuk vjen per kriza, por vjen per nje vizite miqesore, kjo ka shume rendesi, se kur ka kriza edhe mund te vije. Sikunder ndodhi edhe kriza e Kosoves kush nuk erdhi, me perjashtim te Presidentit te Amerikes, por ai ishte per krizen. Domethene vizite zyrtare, miqesore, keshtu nuk kish ndodhur. Sigurisht qellimi i ardhjes se tij ishte ne radhe te pare per te shfaqur respektin e popullit amerikan, kontributin qe Shqiperia ka dhene edhe po jep ne luften kunder terrorizmit nderkombetar. E dyta, per peshen qe Shqiperia ka dhe luan ne rajonin e Ballkanit, per sa i perket ruajtjes se paqes dhe stabilitetit te rajonit, kjo eshte e rendesishme. Sigurisht dhe problemi kryesor ishte edhe ai i Kosoves, shkembyem mendime me te, edhe Kryeministri shkembeu mendime dhe une mendoj qe jo se Presidenti Bush e mori aty vendimin per te dale hapur, per te kerkuar, “time is now”, por sigurisht edhe kembengulja qe bera qofte une, qofte Kryeministri dhe personalitete te tjera, ndihmoi ate qe ai ta thote publikisht. Ai, sikurse mund te kete marr vesh, pak para se te dilte, pati edhe nje takim me shume se gjysme ore me stafin e tij te ngushte, si duket nga kjo me interesante ka qene kjo, se si do ta shprehi. Une ia kerkova ne fakt dhe ai ma premtoi qe une do ta them publikisht. Ajo ishte nje arritje shume e madhe, sepse SHBA-ja na kane ndihmuar dhe na kane mbeshtetur vazhdimisht, sigurisht pavaresia e Kosoves nuk mund te ishte arritur dhe qellimi i saj nuk do te ishte arritur nese nuk do te ishte NATO. NATO kush eshte kryesor, SHBA. Une nuk e nenvleresoj Bashkimin Evropian, e vleresoj sepse ka dhene nje kontribut te madh, sepse forcat e NATOS-s kryesisht jane nga BE-ja ne Kosove. Fuqite e shteteve kryesore ne Bashkimin Evropian po luajne nje rol shume te rendesishem dhe shpresoj qe ata te jene te paret te njohin, si Gjermania, Italia, Franca.
Nga burimet diplomatike flitet se gjate ketij takimi, ju keni kerkuar edhe nje takim 5 minutash koke me koke?
Ishte 20 minuta takimi koke me koke. Shiko, takimet koke me koke jane praktika te njohura, u tha qe ishte pertej protokollit dhe si zgjatje, por qe une isha vetem per vetem me te. Zakonisht koke me koke mbahet. Kjo ishte e vecanta, qe une bisedova me Presidentin Bush, direkt me te, koke me koke dhe kaloj pese minuta me shume se c’ishte parashikuar.
Kishte lidhje kjo me mandatin tuaj te dyte presidencial po te kemi parasysh se rreth 1 muaj me pas, ne korrik (ishte 10 qershor 2007), zhvillohej procesi i zgjedhjes se Presidentit te ri te vendit?
Takimet s’i kam trajtuar asnjehere personale, absolutisht. Une bisedova disa probleme te rendesishme, mirepo nuk kishin fare lidhje me mandatin.
Ka nje ide se diku e keni shkelur kufirin ne marredhenie me mazhorancen aktuale, e cila megjithese ishte PD dhe Berisha ishin ata qe ju propozuan heren e pare per President, nuk donin assesi qe ju te merrnit nje mandat te dyte. Cfare ndodhi?
Se cfare ndodhi, une nuk e di. Duhet pyetur Berisha, ai mund ta thote me mire kete pune. Vetem qe une kam qene konsekuent, sic thashe me pare, per respektim te Kushtetutes dhe nuk ka menduar per pune mandatesh, une kisha ndermend qe ata mandat qe kisha ta kryeja sa me mire.
Ne fakt, opozita kerkoi, por me tone shume te lehta nje mandat tuajin te dyte. A u ndjete te tradhtuar edhe nga opozita?
Opozita nuk pati ndonje angazhim ndaj meje, as une nuk kerkova ndonje angazhim prej tyre. Sikurse e dini, une nuk vura edhe kandidaturen, absolutisht nuk vura kandidaturen. Ne nje interviste qe dhashe ne nje media, kur ajo kembenguli, si e qysh, nese eshte per po, urdhero shiko.
Pra, ajo gje nuk iu kerkua as nga mazhoranca dhe as nga opozita?
Ishte puna e politikes shqiptare domethene, ajo me thirri ne 2002, une iu pergjigja thirrjes dhe mendoj se kam kontribuar. Megjithate, sa edhe si, ju edhe analistet, historianet, te vertetojne se sa ka qene kontributi im dhe sa mandati presidencial i Moisiut ka luajtur rol ne forcimin e shtetit ligjor ne Shqiperi.
Ne c’stad e gjykoni zhvillimin demokratik te vendit, pas 17-18 vitesh tranzicion?
Une fola pak per kete me duket, gjate intervistes sone te perbashket edhe une dua te them qe ka te beje shume vullneti politik i politikaneve kryesor, vendosmeria e tyre per te bere pune. Per te qene sa me ne kontakt me problemet aktuale te vendit dhe per te shikuar perpara, per zgjidhjen e tyre jo per qellime aktuale, por per qellime e se ardhmes, te kombit, te shtetit.
Duket sikur jemi shume prane marrjes se fteses per anetaresim ne NATO ne samitin e Bukureshtit, dhe sikur po hedhim hapa drejt BE-se. Mungesa e dritave, ujit, rrugeve dhe shume problemeve te tjera minimale te domosdoshme per nje jete normale, duket se do mungojne per nje kohe te gjate. A duhet te kemi shprese?
Duke gjykuar nga informacionet qe une kam, une mendoj se kete radhe do te jete radha jone, ky eshte mendimi im, nuk parashoh ndonje te papritur. Por, ne kete rast, une dua t’i drejtohem politikes shqiptare qe duhet te jete shume e kujdesshme, te mos luaj me koniunktura, se e shoh tani qe eshte nje detante e mire, qe jane dakord per reformen ne drejtesi, per reformen elektorale edhe keshtu me radhe, por kjo pune duhet vazhduar. Por e thashe edhe pak me pare nuk duhet te mendojme qe kete pune e mori ky apo ai, meritat jane te shqiptareve, nuk mund te ndahen. Sigurisht qe ai qe ka mazhorancen, ai merr me shume merita pozitive apo merita negative, ne rast se mund te quhen merita negativiteti. Por, gjithmone, duhet qe gjithmone te gjithe se bashku te mendojme dhe te punojme, e te ecim. Asgje nuk behet per 4 vjet, as per 8 vjet. Ne kemi 8-9 vjet dhe jemi ne vend. Nuk zgjidhen gjerat keshtu dhe une fola edhe per energjine qe ne jemi ne emergjence, flasim bertasim, ulerima, themi e c’nuk themi, e kur vjen puna cfare investojme ne, absolutisht asnje investim i ri, asnje burim te ri, jane po ato burime qe kane qene ne kohen e Partise se Punes, madje nje pjese e tyre ka dale jashte perdorimit, sic eshte TEC-i i Fierit, Tiranes, Ballshit, Cerrikut, Korces. Domethene ka rene potenca e prodhimit te vendit, prandaj dhe importojme nga jashte kaq shume. U fol per TEC-in e Vlores, domethene menjehere ne 2005, lufta ambientaliste u perdor per qellime politike, qeveria aktuale luftoi per ta ekzaltuar ate problem, tani cfare po ben. Pra, nuk duhet luajtur me keto gjera, nuk mundet qe asnje parti dhe asnje force politike, qofte per kater apo tete vjet te bej te gjitha ato qe duhen bere. Sepse po te hedhim syte rreth e rrotull, shikojme shtete te fuqishme, sic eshte Gjermania, Italia, Franca. Kane punuar me shekuj qe kane arritur keto nivele, keto standarde dhe kane pasur alternime te forcave te ndryshme politike. Une kam besim nje gje qe rinia ketu te ne duhet ta kuptoje qe eshte rralla e saj per te kontribuar sa me shume, brezi juaj dhe brezi pas jush duhet vertet ta ndiej pergjegjesine per kete pune, qe ta marre stafeten ne dore dhe ta coje kete vend perpara.
Ju jeni me nje moshe dhe me nje kontribut qe ju lejohet te jepni edhe keshilla, te cilat besoj se do te degjohen. Kush do ishte keshilla juaj per ata te brezit te ri qe po flisnit, qe do i hynte politikes, per te ndryshuar dicka ne kete vend?
Une them qe ne politike duhet me qene me serioz, me te vendosur dhe me konsekuent. Mos te bejne politike thjesht per voten, por politike per vendin.
Ju dukeni ende shume vital, pavaresisht moshes. Me se do te merreni ne te ardhmen?
Une e thashe qe merrem me pune dhe koncepti im, mendimi im, eshte se sa te jem gjalle te punoj per interesat e vendit tim, nuk kam absolutisht asnje gje per interes personal.
A jeni gati te riktheheni serish ne politike aktive, nese ju therrasin?
Kjo eshte hipotetike, une nuk e di c’do te ndodhe, por kur vendi im do te kete nevoje per mua, une asnjehere nuk jam kursyer dhe nuk do te kursehem. Megjithate dhe keshtu sic jam une do te kontribuoj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›