Han, rreth botës për 30 ditë
Rreth botës për 30 ditë. Këtë do ta bëjë Ari Han, tekniku 59-vjeçar i Kombëtares shqiptare. Erion Bogdani do të jetë i vëzhguari i parë në aksion. Ish-tekniku i Kamerunit (skuadra afrikane mbërriti në finalen e Kupës së Afrikës) do të udhëtojë drejt Italisë për të ndjekur ndeshjen e Serisë A, Livorno-Xhenoa, ku për livornezët luan edhe sulmuesi kryesor i përfaqësueses sonë, 30-vjeçari Erion Bogdani. Er-Bomber shënoi vetëm një gol në eliminatoret e Euro 2008-s dhe po një gol ka realizuar edhe për fanellën e Livornos gjatë këtij sezoni.
E diela e gjen Hanin në Francë, ku do të ndjekë nga afër mesfushorin Lorik Cana në ndeshjen Nisë-Olimpik Marsejë, që do të zhvillohet ditën e diel. Sipas fshf.org, trajneri do të bisedojë personalisht me Canën. Loriku ishte zëvendëskapiten i ekipit kombëtar në kohën e Oto Bariçit, por nuk e fshehu asnjëherë debatet dhe marrëdhëniet jo shumë të afërta me trajnerin kroat.
Rikthim në Shqipëri më datë 16 shkurt (do të qëndrojë pesë ditë) disa ndeshje të Superligës në vëzhgim të lojtarëve të ekipit kombëtar dhe më pas sërish në avion. Në datë 21 shkurt Han do të udhëtojë drejt Selanikut, ku do të vëzhgojë lojtarin Kristi Vangjeli. Në javën e parë të marsit trajneri do të kryejë një vizitë pune në Karlsruhe për të ndjekur nga afër Edmond Kapllanin, i cili ishte edhe golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare në Euro 2008 me 5 gola. Ndalesa e radhës do të jetë Hanoveri aty ku luan Altin Lala, kapiteni i përfaqësues dhe më pas, më 9 mars Ari Han do të vëzhgojë në Volfsburg ndeshjen Volfsburg–Kotbus për të parë “live” Ervin Skelën.
De Jong në Partizani-Besa
Ndërsa Han do të ndjekë në Itali Erion Bogdanin, në Shqipëri ndihmësi tij, De Jong, do të asistojë në ndeshjen Partizani-Besa. De Jong do të vëzhgojë nga afër disa lojtarë të Partizanit, të cilët Han i thirri në grumbullimin e Antalias
Kameruni dhe Egjipti për “mbretërinë” e Afrikës
Kameruni është bërë finalisti i parë i Kupës së Kombeve në Afrikë, pasi ka mundur vendin organizator, Ganën, në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Vendasit janë mundur minimalisht 1-0, pasi nuk i kanë rezistuar presionit, skualifikimeve dhe dëmtimeve, megjithëse në fushë kanë bërë një ndeshje të madhe, por që nuk u finalizua në mrekulli. Në anën tjetër “Luanët” peshkojnë një kundërsulm të bukur 20 minuta nga fundi të konkretizuar nga më pak i njohuri mes heronjve, Alen Nkong, që aktivizohet në Meksikë dhe që tund rrjetën pas një topi të bukur. Finalja e ndeshjes është shëmtuar me ndonjë skenë të tepërt nga portieri Kameni dhe kapiteni kamerunas, Song, i cili u përjashtua me karton të kuq në fund. Ndërkohë një çmenduri e pastër u pa nga futbollisti Bikei, që rezervoi një të shtyrë për një punonjës të fushës, ndërsa në shkallët e stadiumit nisi festa me të gjitha ngjyrat. Kameruni do të ndeshet në finale me skuadrën kampione në fuqi Egjiptin. Ashtu sikurse dhe dy vjet më parë egjiptianët mundën Bregun e Fildishtë, por këtë radhë në gjysmëfinale. 4-1 ishte rezultati i kësaj ndeshjeje që tregoi edhe një herë se Egjipti ishte skuadra për t’u mundur. Pjesa e parë e sfidës u mbyll me rezultatin 1-0, me gol të fati në minutën e 12-të, ndërsa spektakli u zhvillua në pjesën e dytë, në këto minuta Egjipti shënoi edhe 3 gola të tjera, 2 herë me anë të Zaki dhe një herë me Abutrika, ndërsa Bregu i Fildishtë vetëm sa shënoi golin e nderit me anë të Keita. Finalja e Kupës së Kombeve të Afrikës do të zhvillohet ditën e diel, në datën 10 shkurt.
100-vjetori i Interit, Morati në kërkim të dhuratave
Masimo Morati është ende në kërkim të një dhurate për klubin e tij me rastin e 100-vjetorit të krijimit të tij. Presidenti i klubit nga rruga “Durini” ishte i pranishëm në ndeshjen miqësore midis Italisë dhe Portugalisë në Zyrih, për të ndjekur mesfushorin e Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo. Por, në të vërtetë ai që i bëri më shumë përshtypje Moratit ishte Rikardo Kuarezma, autori i golit të vetëm për skuadrën e drejtuar nga Luis Felipe Skolari. Mesfushori 24-vjeçar është në sezonin e tij të katërt me Porton, me të cilën ka fituar 3 tituj kampion, 2 kupa dhe 3 superkupa të Portugalisë. Është një mesfushor i aftë të luajë si në krahun e majtë, ashtu dhe në të djathtin dhe tek Interi konsiderohet si zëvendësuesi ideal i Luis Figos. Edhe vetë Figo u ka kërkuar prej kohësh drejtuesve zikaltër të blejnë Kuarezman, kartoni i të cilit kushton 20 milionë euro.
Por nuk është vetëm Kuarezma në qendër të vëmendjes së Interit. Trajnerit Roberto Mançini i pëlqen dhe Ivan Rakitiç, mesfushori kroat me pasaportë zvicerane i Shalke 04. Rakitiç është vetëm 20 vjeç, por në ambientin e Interit ai konsiderohet si Bobani i ri, për shkak të karakteristikave të tij tekniko-taktike. Tashmë nuk mbetet tjetër veçse të presim nëse Interi do bëjë ndonjë ofertë në drejtim të Rakitiç.
Benzema preferon Barçën
Benzema injoron Milanin dhe Realin e Madridit. Sulmuesi francez i Lionit në të vërtetë preferon skuadrën e Barcelonës dhe e sheh këtë klub si skuadrën e ëndrrave të tij. “Do të më pëlqente që një ditë të luaja me Barcelonën, – është shprehur Benzema, - më vjen mirë që një klub i madh si ai katalanas është i interesuar për mua”.
Levante në krizë financiare
Vazhdojnë problemet financiare te klubi spanjoll i Levantes. Skuadra valenciane ka prekur pikën më të ulët të gjendjes së saj ekonomike, ku nuk mund të përballojë as shpenzimet e transferimit të futbollistëve në qendrën stërvitore. Shkaku për këtë është çmimi i benzinës, që nuk mund të përballohet nga financat e Levantes.
Juve në ankth për Bufon
Bufon vazhdon të mbajë në ankth Juventusin. Pasi mungoi në ndeshjen me Kaljarin të dielën e kaluar, portieri i përfaqësueses italiane është në dyshim edhe për ndeshjen me Udinezen në Friuli.
Bufon ndjen ende dhimbje në shpinë dhe kjo ka rritur shqetësimin te trajneri Klaudio Ranieri. Bufon ka qenë këto ditë i pranishëm në stërvitje, por kjo nuk i ka ulur dyshimet e stafit mjekësor për gjendjen fizike të tij.
Tifozët helmojnë futbollistët
Skuadra përfaqësuese e Irakut shokohet. Nëntë futbollistë të kësaj skuadre përfundojnë në një spital në Aman të Jordanisë, si pasojë e një helmimi të shkaktuar nga tifozët e skuadrës. Gjithçka ka ndodhur pas një ndeshjeje të zhvilluar ne Bagdad, ku një grup tifozësh i dërguan një tortë skuadrës irakiane, që në fund rezultoi e helmuar dhe pasojat u vunë re menjëherë. Një prej futbollistëve dhe djali i tij vdiqën, 9 të tjerë u dërguan në spitalin e kryeqytetit irakian.
9 Shkurt 2008