E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Jam kundër ndërhyrjes ndërkombëtare

Fier: Ish-presidenti fajëson komisionerët si shkaktarë të krizës dhe mbështet hapjen e kutive

Ish-krerët e shtetit, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, komentuan dje krizën politike dhe dhanë opsionet e tyre për zgjidhjen e saj. Ndërsa ish-presidenti Moisiu e ka vendosur gishtin e fajtorit te komisionerët dhe paaftësia e partive politike, ish- kreu i shtetit, Meidani thotë se “misioni i transparencës së kutive nga Partia Socialiste është përmbushur, tashmë kësaj force politike i duhet të marrë pjesë aktive në Parlament dhe në çdo strukturë tjetër”. Moisiu është shprehur gjithashtu pro hapjes së kutive të votimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Ai nuk ka detajuar nëse kutitë duhet të hapen pjesërisht ose të gjitha, por e ka lidhur këtë fazë me anën teknike të çështjes. Moisiu e ka lidhur transparencën e munguar të zgjedhjeve të 28 qershorit të shkuar, e cila kërkohet me ngulm nga opozita, me krizën politike ku ndodhet Shqipëria prej një viti. “Për të zgjidhur krizat duhet të jemi të gjithë së bashku, sepse nuk mundet që e ardhmja e Shqipërisë të zgjidhet me metoda koniunkturale. Zgjidhja nuk jepet me koniunktura ose zgjidhje të pjesshme që i përkasin momentit aktual politik. Duhet të jemi vizionarë. Po flas gjithmonë për politikën vizionare, për të ardhmen e këtij vendi. Secili që ka marrë përsipër për të dalë në politikë e të merret me politikë duhet të dijë përgjegjësinë që ka për popullin e tij, e që e përfaqëson”, tha Moisiu.

Lidhur me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e çdo krize politike të Shqipërisë, Alfred Moisiu ka thënë se gjithçka lidhet me paaftësinë e politikës sonë. “është për të ardhur keq, gjithmonë kam qenë kundër ndërhyrjes së ndërkombëtarëve edhe kur kam qenë në krye të shtetit, por të gjithë duhet të largohemi nga kjo, duhet të arrijmë që krizat t’i zgjidhim vetë”, ka thënë Alfred Moisiu. Duke falënderuar komitetin ndërkombëtar dhe të gjithë të huajt që kanë ndërhyrë për çështjen e vendit si dhe për kontributin që ata kanë dhënë, Moisiu ka përdorur edhe fjalën e urtë popullore “gomarin nga balta e nxjerr i zoti”. Ish- presidenti Alfred Moisiu është ndalur edhe te roli i Presidentit Bamir Topi në zgjidhjen e krizës politike, e cila ka mbërthyer prej një viti vendin. Moisiu e ka komentuar rolin e Topit duke u shprehur se “Presidenti aktual po bën ndërhyrjet e tij. Unë mendoj që në këtë pikë që ndodhet vendi, duhet që pikë se parë të jenë dy krerët kryesorë të politikës, kryetarët e partive të mazhorancës dhe opozitës, që të japin një shembull bashkëpunimi. Nuk ka gjë të pazgjidhshme”. Moisiu dhe Meidani kanë qenë në Fier për të marrë pjesë në një aktivitet nderimi për diplomatin Jonuz Begaj, i cili ka marrë titullin “Nderi i Qarkut”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›