E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia mes informimit dhe privatësisë

Forum Cili është mendimi juaj për vendimin e gjykatës dhe peticionin e 39 gjyqtarve të Tiranës?

Firmëtarët, bashkëmëkatarët e Agim Bendos
Plator Nesturi

Mbledhja e firmave të gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës në favor të kolegut të tyre Bendo, paradoksalisht hapi një spirale që dëshmoi se kriza në sistemin e drejtësisë nuk është thjesht në planin vertikal nga lart poshtë (pra ndikimi i politikës mbi gjykatat), por edhe në atë horizontal, ku bashkëmëkatarët mbrojnë njëri-tjetrin. Jo më kot, sistemi ynë i drejtësisë, nga sondazhet në opinionin publik, klasifikohet ndër më të komprometuarit, si në paaftësinë për të luftuar korrupsionin, ashtu edhe si sektor ku vetë korrupsioni shfaqet më qartazi. Nisur nga ky fakt, të bën përshtypje se mbi rezultatet e këtyre sondazheve, gjykatësit tanë nuk kanë bërë asnjë kontestim. Nuk ka pasur asnjë listë me firma gjyqtarësh e më gjerë ku të shprehej kundërshtimi për këtë ndjesi negative të opinionit publik dhe që në vetvete nuk përmbledh vendimin e një gjyqtari të vetëm, por shumaturën e vendimeve të dhëna nga gjykatat shqiptare. Ndaj, iniciativa për t’i ardhur në ndihmë gjyqtarit Bendo, më tepër komprometoi vetë gjykatën. Lista e firmave që ankoheshin se po pengoheshin në punë e po u shkelej dinjiteti nga një media e vetme, dukej më tepër si një nismë politike, sesa reagim profesional. Ajo i ngjante së tepërmi iniciativës së ca kohëve më parë, kur artistë dhe njerëz të tjerë të kulturës të punësuar në shtet, “hartuan” një listë të gjatë firmash, kundër një greve urie të opozitës. Gjithkush ka qenë i lirë nga media të shprehte mendimin e tij personal, pro apo kundër, duke mos qenë i nevojshëm rreshtimi servil në faqe listash të ngjashme me borderotë e rrogave. Edhe gjyqtarët e kanë pasur të hapur këtë rrugë, madje në çdo hap të tyre e kanë pasur të plotë mbështetjen e medias si për mbrojtjen e pavarësisë së tyre nga kthetrat e politikës, ashtu edhe për përpjekjet në luftën kundër korrupsionit e krimit në përgjithësi. “çështja Pango” duhet thënë se është ende në proces dhe vendimi i z. Bendo për këtë rast, është veç një nga shkallët e gjykimit. Nga palët në proces natyrisht që ka të pakënaqur apo të lehtësuar, ashtu siç ka edhe kontestime për vendimet e marra. “Top Channel”, në këtë rast, ka reaguar për një vendim, që për shumëkënd në Shqipëri duket përveç të tjerave, edhe i ekzagjeruar. Por sado të ketë qenë shkalla e reagimit të “Top”-it, kjo nuk e justifikon faktin e krijimit të listave me gjyqtarë që i kundërvihen një media. Pasi kështu duket sikur është krijuar një konflikt që nuk ekziston, ai midis drejtësisë dhe medias dhe prej fryrjes së të cilit do të paragjykohet çdo vendim gjykate ku është protagonist media.

400 000 euro nuk e pastrojnë dot Ylli Pangon
Arbër Zaimi

Ditët e fundit kanë sjellë disa shembuj të një përmbysjeje të çuditshme të vlerave të protestës. Kështu grevat e urisë në vend që të jenë mjet i më të pafuqishmëve, i më të margjinalizuarve apo i atyre që shkelen e shtypen prej pushteteve, befasisht u shndërruan në mjet spektakli për ca deputetë që gjithsesi janë pjesë të pushtetit legjislativ. Së fundmi, me rastin e peticionit të disa gjyqtarëve, të disa personave që janë të veshur me pushtetin e gjyqësorit, situata bëhet edhe më absurde. Përse këta persona të pushtetshëm ndihen të rrezikuar nga kritika që i bëhet modaliteteve dhe rezultateve të punës së tyre nga faktorë të jashtëm, siç është në këtë rast “Top Channel”? Në rast se protestat dhe peticionet janë mjet i qytetarisë përkundrejt institucioneve shtetërore, çfarë ndodh kur edhe vetë institucionet shtetërore përdorin të njëjtat mjete? Kjo përmbysje e bën absurde situatën, krijon një laradash vlerash e sjelljesh, një amulli që synon vetëm e vetëm të krijojë konfuzion publik mbi një çështje që denoncoi haptazi moralin e zyrtarit, që solli në vëmendje abuzimin me detyrën dhe ngacmimet seksuale që në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhen pjesë (sado nën zë) e kulturës administrative. Rasti i Pangos nuk duhet të ngjallte këto ndërdyshje në opinionin publik. Ndaj tij drejtësia duhet të kishte vepruar me kohë, që të dëshmonte për të vetmin qëndrim të pranueshëm ndaj abuzimit me detyrën, ndaj shitjes së vendit të punës në këmbim të favoreve seksuale etj., etj. Por këta gjyqtarë, në vend që të jenë imponues të ligjit e të vlerave që rrjedhin drejtpërdrejt prej tij, zgjedhin rrugët e spektaklit që hedh hije dyshimi mbi vendimet “e formës së prerë” që ata vetë marrin. Gjoba ndaj “Top Channel” nuk përbën ndonjë pengesë të madhe për këtë media dhe nuk besoj se do të ndihmojë shumë Ylli Pangon. Kjo media mund ta paguajë këtë gjobë dhe të vijojë të jetë e suksesshme financiarisht, ndërsa Ylli, edhe me 400 mijë euro nuk e rikuperon dot atë çka bëri, për të cilën meriton gjithë dënimin e opinionit publik. Por i rëndësishëm është impakti social i këtij vendimi të pafytyrë, ky vendim i gjyqtarit Bendo lë të kuptohet se në Shqipëri mjafton të kesh pushtet dhe mund të bësh ç’të duash, mund të ndërtosh institute paralele për të vjelë fondet e ministrisë që drejton, mund të “intervistosh” femra për t’i çuar nëpër “ekspozera” ndërkombëtare, mund të japësh licenca për fshatra turistikë, e gjithsesi mund të dalësh i palagur, edhe pse gjithçka është bërë tashmë publike. Kjo lë të kuptohet shumë për shoqërinë tonë... çfarë shoqërie kemi ndërtuar?

Drejtësidhënësit shantazhojnë
Aleksandër çipa

Dworkini flet për rolin e gjykatësit në zgjidhjen e çështjeve, i cili është: të zbulojë dhe të zbatojë të drejtën ekzistuese. Para se të njihesha me peticionin e grupit të gjyqtarëve të Gjykatës së Faktit të Tiranës, tentoja të arsyetoja vetëm mbi vendimin e zbardhur të trupit gjykues. Sipas këtij vendimi, “Top Channel” ishte dënuar me shumën prej 400 mijë eurosh. Nisur prej pozicionit tim profesional, arsyetova së pari, se gjykimi ynë publik, pra i gazetarëve, për këtë çështje, nis prej raportit delikat të konfliktit të interesit. Pasi ndërgjegjësisht, ndihemi dhe jemi palë “në konflikt”. Mirëpo, kur u njoha me tekstin e deklaratës së grupit të gjyqtarëve, atëherë dola prej drojës dhe mendova e vijoj të mendoj qëndrueshëm se drejtësidhënësit në fjalë, përmes këtij gjesti sindikal, kanë shkelur etikën e tyre profesionale. Pas asaj deklarate, ata automatikisht janë të papranueshëm për çdo proces gjykimi që ka lidhje me gazetarët apo drejtuesit e kësaj kompanie mediatike, pasi kanë shënuar precedentin e të qenit të paragjykuar si gjykues të mundshëm. Deklarata e tyre përbën një kazus të rrallë në marrëdhëniet publike mes mediave dhe gjyqësorit. Një rast të tillë vështirë se e gjen të regjistruar në kronologjinë e këtyre marrëdhënieve në rajon apo më gjerë. Teksti i asaj deklarate mbart në pasazhe të tij një sërë detajesh që ngrenë seriozisht dilema mbi cilësinë dhe përgjegjësinë profesionale dhe formuese të atyre gjyqtarëve nënshkrues. Përbën rast unikal fakti që një grup gjyqtarësh bashkohen në një akuzë publike ndaj një media se ajo i “pengon ata për të dhënë drejtësi”. Ky është një pohim populist dhe s’ka aspak përmbajtje juridike edhe pse u takon anëtarëve të një institucioni gjykues. Nga ana tjetër, vetë gjyqtarët pohojnë shpesh deklaratën themelore se vendimet e gjykatës janë të padiskutueshëm. Por në rastin në fjalë bëjnë të kundërtën, gjykojnë një palë që e kanë gjykuar në një vendim, duke shfaqur në njëfarë mënyre kompleksin ndaj vendimit të kolegut të tyre. Solidariteti i gjyqtarëve, i demonstruar përmes një akti apo dokumenti publik siç është deklarata në fjalë, përbën një precedent të rrezikshëm përballës mes dy pushteteve, respektivisht atij të drejtësisë dhe medias. Nominalizimi në këtë raport bëhet edhe më ndjellakeq, pasi një media përballë një solidariteti të tillë, bëhet model frikësimi apo kompleksimi për krejt spektrin mediatik dhe komunitetin e gazetarëve profesionistë. Në këtë aspekt, ky solidaritet mund të lexohet edhe si një nojmë shantazhuese që kjo skotë e drejtësidhënësve bën mbi mediat dhe gazetarët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›