Moisiu: Kriza, partitë të ulen për të gjetur zgjidhje
Alfred Moisiu jep vlerësimin mbi krizën politike mes mazhorancës dhe opozitës. Ish-presidenti sugjeron recetën e tij nga eksperienca si ish-kryetar shteti për të korrigjuar situatën konfliktuale. Në një prononcim për gazetën "Shqip", Moisiu gjykon se zgjidhjen e kanë në dorë dy forcat më të mëdha politike, duke garantuar konsensus. Si zgjidhje të vetme, Moisiu shikon mbledhjen e tryezave partiake, duke mos preferuar të përziejë Presidentin Topi në këtë amulli kokëfortësie që është përfshirë e djathta dhe e majta. "Duhet që partitë të ulen dhe të bisedojnë për të zgjidhur krizën", u shpreh Moisiu. Por, në situatën aktuale, ku opozita i la qeverisë edhe 10 ditë afat, në të kundërt do të shpallë protesta në të gjithë vendin deri në zgjedhje të parakohshme dhe nga ana tjetër mazhoranca nuk lëshon pe për çështjen e hapjes së kutive, ish-presidenti Moisiu propozon një formulë tjetër. "I takon qeverisë të lëshojë pe", thotë Moisiu. Sipas tij, ka ardhur koha që shqiptarët të kenë një klimë politike të stabilizuar, pasi Shqipëria ndodhet përballë sfidave të mëdha dhe historike drejt integrimit. I kontaktuar për këtë çështje, një tjetër ish-president, Rexhep Meidani, ka preferuar të qëndrojë i distancuar nga ky debat, duke thënë se "nuk preferoj të flas për këtë çështje". Idenë e mbledhjes së tryezës së bisedimeve e ka hedhur një ditë më parë edhe themeluesi dhe drejtuesi veteran i Partisë Republikane, Sabri Godo. "Pavarësisht se në plan të parë duken të papajtueshëm në qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet që janë në diskutim, politika ka rrugë të shumta dhe koha ka provuar se flitet gjithmonë ballas, edhe nëse nuk arrihet në ndonjë përfundim", tha Godo. Sipas tij, duhet të ketë ndonjë takim mes këtyre forcave politike. "Të përdorësh qetësinë dhe tolerancën është më mirë se të përdorësh duart", thotë ai. Disa ditë më parë, publikisht, Presidenti Bamir Topi bëri me dije se ai është i gatshëm të bëhet negociator në rast se palët ia kërkojnë një gjë të tillë. Ndryshe nga ‘veteranët‘ e politikës, kryetarët e forcave politike kanë hedhur vlerësime të ndryshme lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur nga institucionet kyçe, apo partitë politike për t‘i dhënë zgjidhje kësaj krize. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, mungesën e opozitës në Kuvend nuk e cilëson si një krizë politike mes dy partive më të mëdha, por si një krizë brenda partisë më të madhe opozitare. "Nuk ka krizë politike në Shqipëri. Në krizë është Partia Socialiste me hallet personale dhe problemet e kryetarit të saj, Edi Rama", tha ai. Nga ana tjetër, republikanët i japin kreut të shtetit të gjitha kompetencat për të zgjidhur situatën politike në vend. Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, tha se "Presidenti i ka të gjitha kompetencat për të zgjidhur situatën". Republikanët japin dy opsione, njëri që i jep Presidentit të drejtën për të zgjidhur situatën politike dhe opsioni i dytë është që opozita të tregohet e vetëdijshme për të lexuar mesazhet e ndërkombëtarëve dhe të vijë të ulet në sallën e Parlamentit për të bërë rolin e saj.