Hidink-Rusia: pranë lamtumirës?
Zhgënjimi për kualifikimin e munguar për në Botërorin 2010 dhe dëshira për t‘u rikthyer në Angli: këto janë motivet që, sipas "The Guardian", po e shtyjnë Gus Hidink të lërë pankinën e Rusisë për t‘u rikthyer te Çelsi. Ky është skenari i propozuar dje nga gazeta e mirënjohur angleze. Zhgënjimi pas dështimit në ndeshjen "play-off" përballë skuadrës së Sllovenisë, shkruante e përditshmja në fjalë, po e bind dita-ditës Hidinkun ta mbyllë para kohe marrëdhënien e tij me Federatën e Futbollit Rus (kjo kontratë skadon në qershor të vitit 2010). Ndërkohë që po përflitet shumë ditët e fundit se vendin e lënë bosh prej tij në krye të Rusisë duket se do ta zërë ish-trajneri i Interit, Roberto Mançini. Por Karlo Ançeloti nuk duhet të ketë frikë për vendin e tij të punës, ngaqë trajneri 63-vjeçar holandez, protagonist i fundit i sezonit të kaluar, kur mori drejtimin në vend të Felipe Skolarit, do të shkojë që të marrë rolin e drejtuesit teknik. Hidink, kujton gazeta britanike, ka një marrëdhënie shumë të mirë me Roman Abramoviç, i cili mes të tjerash paguan edhe pjesën më të madhe të rrogës së tij si trajner i Rusisë; vetë Çelsi nuk e ka fshehur kurrë interesimin për holandezin. Edhe Ançeloti do ta shikonte me sy të mirë një zgjidhje të tillë: "Hidink është një mik i imi, ka thënë trajneri italian në një prononcim të tij para ndeshjes me Voleverhemtonin. Nëse ai ka kohë të lirë, mund të vijë te Çelsi dhe mundet ta drejtojmë skuadrën së bashku. Nuk është aspak problem, madje do të mundesha të merrja ndonjëherë një pushim të vogël". Hidink, në pankinën e Rusisë që nga viti 2006, mund të largohet një vit para skadencës së kontratës së tij. Dhe, sipas shtypit lokal, në vendin e tij do të mund të shkonte një trajner italian, pikërisht Roberto Mançini. Një lajm i tillë është paralajmëruar në Rusi që dy javë më parë, ku kishte shkuar për të ndjekur nga afër disa ndeshje të kampionatit vendas". Mançini, kontrata e të cilit me Interin prej vetëm pak kohësh ka skaduar, nuk është ulur në një pankinë që nga maji i vitit 2008 dhe do të ishte i gatshëm ta vlerësonte një ofertë të mundshme.