E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha refuzon: Vazhdoni protestat, nuk i hap kutitë

Ultimatumi 10-ditor i vendosur nga opozita për hapjen e kutive ka hasur në refuzimin kategorik të Kryeministrit Sali Berisha. Vetëm pak momente pas deklaratës së Edi Ramës, reagoi shefi i ekzekutivit. "Do të garantoj protestën e cilitdo qytetar edhe nëse protestat do të vazhdojnë tri ditë, tridhjetë ditë, tre muaj, vazhdojnë në infinit, këto janë çështje jo të miat, janë vendimmarrje që dalin tërësisht jashtë kompetencave të mia", u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se mbetet i hapur për dialog duke shtuar se "kam bërë një ofertë shumë serioze, por çdo gjë duhet të bazohet mbi të vërtetën dhe jo mashtrimin". Kryeministri Sali Berisha, pas përshëndetjes së protestës një ditë më parë nga dritarja e zyrës së tij në selinë kryeministrore, këtë herë zgjodhi gjuhën e fjalës për të thënë qëndrimin e tij mbi protestën që u zhvillua në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Shefi i qeverisë dhe i mazhorancës theksoi edhe një herë qëndrimin se askush nuk mund të dalë mbi vendimet e gjyqësorit, për të hapur kutitë, sepse Kolegji Zgjedhor ishte hallka e fundit ligjore e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Të pretendosh se nuk ka vendosur gjykata në një kohë kur gjykata ka shqyrtuar në themel Beratin, Fierin etj., dhe ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim të pabazuar në kontekst, atëherë do të thotë të ndërtosh strategjinë tënde mbi mashtrimin dhe kjo është përzgjedhja që unë nuk e këshilloj. Pra vendimi është i formës më të prerë, zgjedhjet kanë certifikim më të plotë në historinë e këtij vendi", insistoi Berisha. Sipas tij, ata që nuk duan të pranojnë votën e shqiptarëve, kanë problem me veten e tyre. "Shqiptarët kanë votuar, zgjedhjet janë certifikuar, unë këto mund të theksoj dhe e theksova edhe dje. Në mënyrë kategorike, vendimi i gjykatës nuk do të mund të përmbyset as nga ata që unë thashë dje, as nga ai, po u ngrit lugat për t‘i ndihmuar. Të harrojnë se mund të bëhet kjo gjë", tha ai. Qëndrimit të palëkundur të Kryeministrit Berisha iu bashkua dje edhe Kryetarja e Parlamentit. Numri dy i PD-së, Jozefina Topalli, hodhi dje akuza mbi personat që cenojnë punën dhe ligjshmërinë e institucionit që ajo drejton. "Natyrisht që askurrkush as bijtë, as ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit as ministri i fundit i Ramiz Alisë, as emrat e Xhelilëve apo ta Hamitve apo të të tjerëve, nuk mund të guxojnë që të cenojnë ligjshmërinë dhe punën e Parlamentit, të qeverisë dhe institucioneve", tha Topalli. Deklaratat, Kryeparlamentarja i bëri gjatë një ceremonie në Parlament, me rastin e 20-vjetorit të nënshkrimit të Konventës së OKB për të drejtat e fëmijëve, ku motoja e saj ishte se "askush nuk mund të cenojë sistemin e demokracisë". Në vijim të deklaratës, Topalli u shpreh se kushdo që mund të mendojë se mund të sulmojë apo të përpiqet, me instrumente të paligjshme të cenojë ligjshmërinë, natyrisht që gabohet rëndë. "Sot jemi në 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe për ne shqiptarët e në mënyrë të veçantë për Partinë Demokratike që ishte forca që rrëzoi komunistët, byronë politike, sigurimsat e Shtetit", tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›