Zakone përtej detit
Si i kremtojnë shqiptarët e Siçilisë ceremonitë e martesës, lindjes dhe vdekjes? Kësaj pyetjeje, Giuseppe Crispi i jep një përgjigje në librin "Skënderbeu.
Kujtesa historike", që botohet në 150-vjetorin e vdekjes së tij. Crispi jep në origjinal vargje të ceremonive
Jemi në mijëvjeçarin e tretë, ku teknologjia dhe dinamika e jetës ofron të gjitha kushtet që kërcënojnë me harresë të kaluarën. Dikur, njerëzit preferonin që t'i shoqëronin momentet bazë të jetës me rituale ceremonialë të caktuar, pjesa më e madhe e të cilëve kishin një bazë religjioze.
Martesa, lindja, vdekja, apo festa të ndryshme pagane dhe fetare, kishin ceremoninë përkatëse. Ka vende e shoqëri të caktuara, të cilat i ruajnë në njëfarë mënyre doket e ritualet e trashëguara nga të parët, por që premisat tregojnë jo për harresë, po për zhdukje në të ardhmen.
Prej pak kohësh është hedhur në qarkullim, në shqipe, një libër, i cili trajton një përmbledhje të disa prej këtyre ritualeve. Janë zakone dhe ceremoni që peshkopi italian, Giussepe Crispi (1781- 1859), i mblodhi duke udhëtuar në qytetet e Siçilisë dhe i botoi më 1853-shin në librin "Memorie storiche di talune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia".
Gjeografia e udhëtimit të tij u përqendrua në disa qytete të veçanta, aty ku ndodheshin familje arbre të ngulitura në Itali pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Arbërisë në duart e Perandorisë Osmane, në shekullin e XV. Këto familje formuan disa koloni, një pjesë e të cilave ende ekzistojnë si, Piana dei Greci, Palazzo Adriano, Mexojuzo dhe Kontesa.
Në gjuhën shqipe, përmbledhja e peshkopit do të vinte në 150-vjetorin e vdekjes së tij, nën titullin "Skëndërbeu. Kujtesë historike e disa traditave që u përkasin kolonive greko-shqiptare të Siçilisë". Por përse një libër i tillë do t'i ngjallte interes përkthyeses Iliriana Angoni, apo qoftë edhe botimeve "Almera"?
Përgjigjja gjendet duke lexuar librin, ku vërehet se disa prej zakoneve që janë dhënë aty, ende kanë jetë.
Crispi është ndalur në tri momente kyçe të jetës: martesa, lindja dhe vdekja, të cilat i përmbledh në termin zakone atdhetare. Këto i klasifikon më tej në civile dhe religjioze.
"Ndër shqiptarë, ceremonitë solemne të martesës kanë qenë temë e poezisë së larmishme popullore të mbushur me gjithë dëlirësi", - shkruan Crispi, në hyrje të kapitullit të parë, ku jep pjesë të këngëve që i këndoheshin çdo etape të njohjes së çiftit, përgatitjes së martesës, vetë martesës dhe ditëve pas saj. P.sh., në ditën e fundit të prillit, vasha që do të bëhej nuse shkonte të mblidhte lule, ritual i cili shoqërohej me këngën e mëposhtme:
Mëmza më dërgoi për gliulie (Mëmëza më dërgoi për lule)/
Më gnë purtek dreda gliuglie (Me një purtekë kapa lulet)/
Racha maglet, racha vagle (I rashë maleve dhe luginave)/
Ghith fusciazitë me gliuglie (Gjithë fushave me lule)/
E ghith dromezit canghieglie (E gjithë udhët kapërceva)/
Pra më'mplotha gnjë tuffi gliuglie (Pastaj mblodha një tufë lule)/
Scoi pra Nicola Reali (Më shkoi pranë Nikola Reali)/
Tuffinë gliuglie ghith m'esprishi (Tufën e luleve, të gjithën ma prishi)/
Më vjen te num, e mos t'enum (Më vjen të mallkoj e mos ta mallkoj)
Ci 'pgliascit diagli 'n'inëglë (Që e plastë djalli në vend).
Në zonën e Pianas, të afërmit e çiftit, një natë përpara dasmës shkojnë në portën e nuses, duke kënduar në shqip vargje që shprehin një kërkesë të njerëzishme për të hyrë në shtëpinë e nuses.
Kjo vazhdonte deri sa familja e nuses i lejonte të hynin brenda.
Në studimin e tij, Crispi, zakonet dhe ritualet i ndan duke lënë të kuptohet se kolonitë e formuara në Siçili kanë dy prejardhje: shqiptarët që erdhën nga Arbëria dhe ata që erdhën nga Greqia. Zakonet e këtyre të fundit dallohen nga elementet e shumta të fesë ortodokse.
Në kapitullin e dytë, që i dedikohet lindjes së foshnjës, jepen të detajuara të gjitha ritet fetare, që prindërit dhe foshnja duhet të kryejnë. Në këtë pikë, peshkopi i Lampsacus-it gjendet përballë mungesës së fjalëve në gjuhën shqipe dhe një pjesë të tyre i ka lënë në gjuhën greke, si p.sh., shërbesën, bekimin apo edhe vargjet që thotë prifti gjatë pagëzimit të foshnjës.
E vetmja pjesë në gjuhën shqipe që ai na jep, janë dy vargje që nëna i këndon foshnjës në djep:
Do më bëgnë ghiumthin (Do më bëjë gjumin)
Do më fglierë bërthi jim (Do më flerë birthi im).
Crispi, duke qenë edhe profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos, shpesh i lidh ritualet me të ngjashmet e tyre në letërsinë antike greke. Ja se si e përshkruan ai një pjesë të ceremonisë mortore:
"Të afërmit e atij që po vdes qëndrojnë të vëmendshëm për të dëgjuar dhe për të kapur fjalët e fundit, të cilat i shpreh përpara se t'i dalë shpirti.
(Andromaka, te Homeri ankohej se nuk kishte qenë e pranishme kur vdiq Hektori, për t'i dëgjuar fjalët e fundit të tij)."
Më tej ai vazhdon të përshkruajë ritualin e vajtimit, duke theksuar se "ato nuk ishin si të vajtuesve, të cilët në kohët antike paguheshin për të qarë në varrimin e të vdekurit, por janë vajtime të grave që janë kushërirat më të afërta, kësisoj, nuk ishte një vajtim i stisur dhe i blerë, por një vajtim i vërtetë dhe pa pagesë". Pas vdekjes, gratë më të afërta të të ndjerit gatuajnë dhe u shpërndajnë bukë dhe verë të varfërve, duke i shoqëruar me këngën:
Dual ebucura në derë (Doli e bukura në derë)/
Me picierzit plotë me verë (Me bardhakë plotë me verë)/
Te jip të pijn të varfrevet (T'u japë të varfërve për të pirë)/
O ti i imier ivarrfrith (O ti i mjeri i varfëri).
Në faqet e para të librit, Crispi jep edhe një shpjegim të gjatë për problemet e të shkruarit në gjuhën shqipe.
Ai shpjegon se veprën e tij e ka shkruar me alfabetin latin, duke dhënë disa udhëzime për shqiptimin e bashkëtingëlloreve. Këto janë udhëzime që ai i shoqëron edhe me tituj të librave të veçantë.
Duke folur për shkrimin e shqipes me alfabetin latin, apo për përdorimin e tingullit, përmend botimin e tij, "Memoria sulla lingua albanese". Ndërsa edhe një kontribut të madh ka dhënë edhe me hartimin e fjalorit "Vocabolario albanese-italiano ed italiano-albanese".
Profesori i historisë në Universitetin e Oxfordit, Thomas Green, jep prova që mohojnë ekzistencën e Mbretit Artur
Mbreti Artur s'ka ekzistuar
Ky është përfundimi në të cilin ka arritur profesori i historisë në "Exeter College" të Londrës, Thomas Green. "Nuk ka ekzistuar kurrë. Nuk ka pasur kurrë një mbretëri që quhej Logres, e aq më pak të ketë ekzistuar e Kamelotit.
Askush të mos mendojë se Mbreti Artur dikur ka kalëruar në viset e Anglisë", - shkruan akademiku i Oksfordit. Për Green-in, figura e Mbretit Artur është një shpikje për të ngushëlluar ndërgjegjen e plagosur të keltëve, që u mundën dhe u poshtëruan nga saksonët.
Në shkrimin e tij, Green-i jep një sërë provash që vënë në dyshim ekzistencën e Mbretit më të famshëm të historisë. Me një logjikë të ftohë, ai shkruan se edhe teoritë më të fundit në favor të Mbretit Artur, nuk e kalojnë dot provën shkencore. Por nëse fjalët e tij janë të vërteta, atëherë çfarë mbetet nga miti i Kamelotit?
Thuajse asgjë. Fillimisht kryqi i Glastonbury-t, e vetmja provë në favor të ekzistencës së Mbretit Artur, prej kohësh është përcaktuar nga shkencëtarët si një mashtrim i shekullit të XII. Por prova më e rëndësishme që jep Green-i është analiza e teksteve letrare të mesjetës, që tregojnë Arturin si një qenie mitike.
"Nuk mund të arrijmë në përfundimin se një personazh i letërsisë është një personazh historik, vetëm sepse një burim i mesjetës thotë kështu", - shkruan ai, duke shtuar se burimet e pakta që mund të japin ndonjë të dhënë mbi këtë subjekt, tregojnë ose për një figurë historike legjendare, ose për një traditë të deformuar.