Korçë, 10 të mitur përfundojnë në spital nga helmimi
PESTICIDET/ Vogëlushët e moshave nga 0-12 vjeç mësohet se janë helmuar si pasojë e pakujdesisë, pasi kanë konsumuar helme që përdoren në bujqësi
KORÇË- Helmimet aksidentale nga pesticidet, kthehen në modë për fëmijët e juglindjes. Plot 10 raste fëmijësh të vegjël janë regjistruar në një hark kohor të shkurtër pranë spitalit pediatrik të Korçës me të njëjtën diagnozë.
Vogëlushët e moshës nga 0-12 vjeç helmohen nga pakujdesia e përdorimit apo deri dhe konsumimit të pesticideve që prindërit e tyre përdorin për bujqësinë, ndërkohë që në dy raste jeta e fëmijëve është në caqe tejet kritike. Nisur nga kjo situatë e rëndë e cila vjen si një fenomen shqetësues, bluzat e bardha të pediatrikut në rajonin juglindor japin alarmin për prindërit.
Të dhjetë pacientët të cilët janë duke u kuruar pranë spitalit në Korçë vijnë nga zonat rulare, ndërkohë që sipas drejtorit të këtij spitali, Luan Belortaja, prindërit duhet të tregohen shumë të kujdesshëm për jetën e fëmijëve të tyre.
Belortaja bën të ditur se një tretës që mbahet në bidona plastikë të ngjashëm me ato të ujit të pijshëm dhe që përdoret për pemëtarinë, është dhe një nga shkaktarët kryesore të këtyre rasteve të njëpasnjëshme të helmimeve.
Madje, ka ndodhur dendur që prindërit duke e konsideruar si ujë e japin për përdorim tek fëmijët e tyre të etur. Situata duket se është duke marrë përmasa, pasi shtimi i helmimeve nga pakujdesia është në rritje të madhe, ndërkohë që vogëlushët janë duke pasur tashmë kujdesin e mjekëve në spitalin pediatrik në qytetin juglindor.
"Këshillojmë prindërit të tregohen shumë të kujdesshëm jo vetëm në përdorimin e këtyre pesticideve, por dhe të mbajtjes së tyre ne vendet e duhura shumë larg ambienteve të shtëpisë për të evituar rastet e rënda. Jeta e këtyre fëmijëve vihet shumë herë në rrezik, madje ne kemi pasur disa raste me të vërtetë shumë serioze", ka pohuar në një prononcim për gazetën "Shekulli" drejtori i këtij spitali, mjeku Belortaja.
Ndërkaq, temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë shtuar dhe numrin e fëmijëve të prekur nga viroza e stinës. Vizitat ditore i kalojnë të 50 rastet në ditë pranë spitalit të të vegjëlve, pa përfshirë këtu vizitat që kryhen pranë qendrave shëndetësore në lagje apo dhe fshatra