E Diel, 1 Nëntor 2026

Slezinxher: Serbia ti thotë të vërtetën popullit të saj

Uashington Flet eksperti proverb në SHBA: Pavarësia e Kosovës, realitet

Pushteti në Serbi duhet të ketë kurajën që t’i thotë popullit të vet se Kosova po ikën, në vend që të shpenzojë kohë dhe para, të cilat në fakt nuk i ka, për fushatën lidhur me mendimin e shpallur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) së Hagës në favor të pavarësisë së Kosovës dhe të përqendrohet tek anëtarësimi i saj në BE, gjë që do të mund ta realizojë nëse i luan mirë kartat e veta, thekson, midis të tjerave, specialisti i njohur për Ballkanin i Institutit “Udro Uillson” të Uashingtonit, Martin Slezinxher, që zakonisht shpreh qëndrime proserbe, në një intervistë që i dha ditët e fundit agjencisë serbe të lajmeve “FoNet”. Sipas Slezinxherit, atë e ka frustruar (zhgënjyer) politika dhe fushata e qeverisë së Serbisë për mendimin e GJND-së, sepse disa individë kanë kaluar shumë kohë duke udhëtuar nëpër botë, “madje një në pesë ditë kanë shkuar në OKB”, duke thënë në mënyrë të vazhdueshme se nuk do ta njohin kurrë Kosovën. “Megjithëse nuk e di se çfarë kanë bërë në fshehtësi, në opinionin publik është promovuar kjo linjë e ashpër”, theksoi ky politolog i njohur amerikan, që konsideron se, në vend të ndjekjes së një politike të tillë, qytetarëve të Serbisë u duhet t’u thuhet e vërteta. “Ata (zyrtarët serbë) duhet të thonë të vërtetën se Serbia nuk do të mund ta mbajë Kosovën, edhe në atë rast nëse SHBA-ja, pavarësisht nga gjithçka të keqe që ka bërë, do ta ndryshonte mendimin, sepse realiteti në terren është tani ndryshe”, vuri në dukje Slezinxheri. Serbët kanë një lidhje të fortë me Kosovën, por politikanët duhet ta thonë qartë se Kosova edhe “fizikisht po ikën”, por se ajo gjithnjë do të jetë pjesë e Serbisë, kuptohet, në Kushtetutë, nënvizoi Slezinxheri, duke vazhduar më tej se SHBA është “mbrojtësi i shqiptarëve”, por se, sidoqoftë, ajo (SHBA), për shkak të krizës ekonomike dhe luftërave në Irak dhe Afganistan, kanë tani çështje të tjera në mendje dhe rolin kryesor në Kosovë duhet ta marrë përsipër BE-ja. Në një situatë të tillë, vuri në dukje Slezinxheri, shqiptarët e Kosovës “duhet të fillojnë të sillen me përgjegjësi dhe jo nacionalisht”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›