Silikon apo Të ndihemi mirë me veten tonë?
Ditët e nxehta të verës, përveç trupave të nxirë dhe linjave të bukura, kanë nxjerrë në pah edhe disa ndryshime tepër të dukshme në format e femrave shqiptare, e jo vetëm të të ashtuquajturave VIP, por edhe të femrave të zakonshme të cilat, të tërhequra nga moda e çastit, kanë vendosur të bëjnë hapin e madh “Zmadhimin e gjokseve me silikon”. Një procedurë kozmetike dhe mjekësore që në vendin tonë ka filluar të njihet vitet e fundit, ndërkohë që femrat në mbarë Europën, prej shumë kohësh janë njohur me këto risi të shkencës, e cila fillimisht e nisi zmadhimin e gjoksit vetëm si procedurë për ato femra që kishin bërë ndërhyrje kirurgjikale si pasojë e tumoreve në gji. Por më pas metodat shkencore nisën të përparonin me qëllimin e vetëm - zmadhimin e numrit të “joshjes femërore”. Debatet pro dhe kundër ndërhyrjeve të tilla në botën perëndimore mund të quhen të vjetra, pasi për to është folur shumë, është propaganduar shumë nga mediat, jo duke i favorizuar, apo kundërshtuar, por duke e trajtuar çështjen në të gjitha aspektet, informuese, pozitive apo negative. Por jo vetëm kaq, bota perëndimore ka vendosur gjithashtu edhe një kufi ligjor, i cili përcakton se është e ndaluar ndërhyrja kirurgjikale për qëllime të tilla për femrat nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç.
Për fat të keq, në vendin tonë, nuk ekziston një ligj i tillë, por akoma më pak është ndier të flitet për arsyet pse femrat kërkojnë të bëjnë ndërhyrje të tilla bisturie, e cila ka filluar të prekë pjesë të konsiderueshme të trupit dhe fytyrës së tyre, duke filluar nga hunda, buzët, mollëzat, pasi tanimë në vite përveç materialit silikon, është shtuar edhe një tjetër, ai, “botoxi”. Ndërhyrje që kanë ndikuar ndjeshëm për ndryshimin e portreteve të shumë femrave, ndryshim i cili herë-herë ka qenë i pozitiv, e herë-herë mund të quhet i çuditshëm.
Dëshira femërore për të qenë e bukur, për të qenë e përsosur, për të qenë përherë në vëzhgimin e të gjithëve është shekullore, nuk është e re. Dhe besoj se është një hap i rëndësishëm dhe për t’u vlerësuar që shkenca ka arritur tashmë të realizojë këto dëshira shekullore. Por ajo që realisht mbetet ende për të kuptuar është, nëse vërtet një numër më i madh i gjoksit, një hundë më e bukur, dy buzë më mishtore, bëjnë që vërtet këto femra të ndihen më të lumtura? A mjafton vallë që të marrim disa komplimente nga meshkujt për bukurinë tonë të jashtme dhe të arrijmë në qiellin e shtatë? Padyshim që shumë do të përgjigjeshin se ndërhyrjet që bëjmë, kanë qëllimin e vetëm për t’u ndier mirë me veten tonë, dhe jo për t’u dukur të bukura për të tjerët.
Po pra: “Të ndihemi mirë me veten tonë”. Ky është një qëllim shumë pozitiv dhe tepër i rëndësishëm. Por të arrish të jesh e lumtur brenda vetvetes dhe të gjesh ekuilibrin brenda qenies, nuk mjafton vetëm një pamje e përsosur. Ky proces kërkon të njohësh veten, me të mirat dhe të këqijat e karakterit tënd; Të njohësh dobësitë e tua; Të njohësh forcën; Të njohësh meritat, aftësitë dhe të dish t’i vlerësosh e t’i forcosh ato. Ky është një proces i vështirë e për shumë femra gati i pamundur, sidomos këtu në Shqipëri, ku femra është mësuar të jetë përherë e mbështetur në shpatullat e dikujt tjetër, qoftë familje apo qoftë një figure mashkullore. Kjo sjellje i detyron femrat që në një farë mënyre edhe ndërhyrjet e jashtme që bëjnë në thelb të mos kenë atë qëllimin fisnik “të ndihemi mirë me veten tonë”, por atë qëllimin më sipërfaqësor dhe gati poshtërues “të bëhemi të bukura për sytë e atyre – meshkujve”. Dhe pas gjithë përpjekjeve të mundimshme që bëjmë për t’u dukur të përkryera në sytë e tyre, në fund ankohemi pse meshkujt nuk na vlerësojnë për zgjuarsinë, për ndjeshmërinë dhe për shpirtin e sinqertë. Besoj se për sa kohë qëllimet femërore do të mbeten thjesht sipërfaqësore, e vetëm në zbukurimin e buzëve e në zmadhimin e gjokseve, pa bërë asgjë për zgjerimin e hapësirave tona të mendimit dhe të arsyetimit, atëherë edhe bota mashkullore do të na vlerësojë veç për këto aspekte të pamjes sonë të jashtme. çdo përpjekje dhe ndryshim i jashtëm apo i brendshëm duhet të jetë i yni dhe të ketë një qëllim: “Të bëhemi më të bukura brenda dhe jashtë. Dhe vetëm nëse arrijmë harmoninë e përsosur brenda këtyre elementëve, atëherë me të drejtë mund të themi se “ndihemi mirë me veten tonë”.
#