Moisiu padit Vangjel Tavon për shpifje
TIRANE - Ish-presidenti Alfred Moisiu padit në gjykatë për "shpifje" deputetin e Partisë Socialiste, Vangjel Tavo. Duket se ish-presidenti Moisiu po kërkon t'ia kthejë "me të njëjtën monedhë" deputetit Tavo, i cili e ka paditur pak kohë më parë për të njëjtën akuzë. Ndërsa është në një proces të hapur gjyqësor, ku palë e paditur është ish-presidenti Moisiu, tashmë ish-kreu i shtetit ndodhet në rolin e paditësit. Kërkesë-padia që ka si palë paditëse Moisiun dhe palë të paditur deputetin Tavo, është depozituar pak ditë më parë në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit. Shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Albert Meça si shqyrtues të kësaj kërkesë-padie. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se në "themel" të padisë së ish-presidentit qëndron konflikti i lindur pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 mes tij dhe disa kandidatëve për deputetë. Pas publikimit të emrave të "padenjë" për në Parlament, një nga "të prekurit", Vangjel Tavo, pohoi publikisht se koalicioni i ish-presidentit Moisiu "kishte piketuar disa persona për të marrë ca para" dhe se "heqja e emrit të tij mund të bëhej kollaj nëse paguante 50 mijë euro". Bëhet e ditur se këtu mbështetet padia e ish-presidentit Moisiu, i cili i konsideron shpifje këto deklarata. Ndërkohë që Moisiu ka tre procese të hapura gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, ku paditës ndaj tij për "shpifje" janë Vangjel Tavo dhe Asllan Dogjani. ar.ba