E Diel, 1 Nëntor 2026

Moldavi, mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Moldavët votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku duhet të zgjedhin ndërmjet komunistëve në pushtet, që favorizojnë marrëdhëniet me Rusinë si partnere strategjike, dhe rivalët e tyre liberalë që kërkojnë vendosjen e lidhjeve më të ngushta me Perëndimin. Zgjedhjet e dyta në Moldavi brenda katër muajve të fundit duket se do të jenë kyçe edhe në lidhje me marrëdhëniet e këtij vendi me Rumaninë, që ka të njëjtën gjuhë dhe histori me ish-shtetin sovjetik. Marëdhëniet me Rumaninë kanë njohur nivelet e tyre më të ulëta nën drejtimin e presidentit komunist në largim, Vladimir Voronin. Dhjetë parti marrin pjesë në këto zgjedhje dhe procesi i votimit ka filluar në mëngjes në 2 000 qendra votimi të shpërndara në të gjithë territorin e vendit më të varfër në Europë. Komunistët fituan thellë në zgjedhjet e 5 prillit, por rezultati zyrtar shkaktoi protesta të dhunshme nga të rinjtë, që bastisën presidencën dhe ndërtesën e parlamentit të vendit. Presidenti Voronin akuzoi Rumaninë për ndërhyrje dhe nxitje të protestave. Ndërkaq sipas sondazheve, komunistët pritet të fitojnë 30 për qind të votave ose pak më shumë, krahasuar me rreth 50 për qind që fituan në prill. Opozita Liberale dhe Liberal Demokratët pritet të marrin së bashku 20 për qind të votave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›