E Diel, 1 Nëntor 2026

Molliqaj: Jemi shteti më i varfër në Evropë

Sekretari organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Molliqaj, ka folur për degradimin e shtetit të Kosovës në secilën sferë, e me theks të veçantë në sferën ekonomike. 

“Jemi shteti më i varfër në Evropë. Jemi shteti me papunësinë më të lartë në Evropë. Korrupsioni po ashtu, është në nivelin më të lartë në Evropë. Arsimi dhe shëndetësia janë të shkatërruara. Kjo nuk i bën përshtypje qeverisë mafioze, për shkak se as nuk shërohen nëpër spitalet publike, e as fëmijët nuk i dërgojnë nëpër shkollat publike”, u shpreh Molliqaj.

Ai ndër të tjera tha se përballë këtij sistemi kemi vetëm dy rrugë, një që e mban gjendjen konstante me tendencë degradimi të mëtutjeshëm, dhe tjetra që sjell ndryshimin.

“E para është të nënshtrohemi ndaj pushtetit autokrat e të korruptuar, dhe të jetojmë për mbijetesë, kurse rruga e dytë është organizimi dhe ballafaqimi me të padrejtën. Ne kemi zgjedhur këtë të dytën. Ndryshimet vinë atëherë kur secili e sheh këtë të dytën si rrugë të vetme”, tha Molliqaj.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Gani Krasniqi, i cili foli për gatishmërinë e qytetarëve të kësaj pjesë të Kosovës për t’ju prirë ndryshimeve pozitive për vendin.

“Jemi këtu bashkë, siç ishim bashkë çdo herë, në përpjekjet tona për të qenë më mirë. Kurdo që është kërkuar nga ju, keni qenë të gatshëm të jepni gjithçka nga vetja, për të mirën e të gjithëve. Kosovën si kjo sot, as nuk e kanë imagjinuar dëshmorët dhe martirët e kombit. Ata donin një Kosovë tjetër. Sot kërkohet mobilizim nga ne, jo për të derdhur gjak, por për t’ua çuar amanetin në vend atyre që derdhën gjak”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Në fund të tribunës “Ndalja e negociatave të cilat po na ndalin zhvillimin shtetëror, shoqëror dhe ekonomik”, në Malishevë, shumë qytetarë nga Malisheva shtruan pyetje drejt panelistëve si dhe komentuan situatën aktuale politike në vend, duke kundërshtuar fuqishëm negociatat mes Kosovës dhe Serbisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›