E Diel, 1 Nëntor 2026

Monitorim nga ajri me dronë, 2 të arrestuar për kultivim kanabisi në Dibër

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Dibrës finalizoi operacionin antidrogë të koduar “Deja”, duke arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Dibër, Mat dhe Kamzë, ndërsa kontrollet u kryen nga toka dhe me monitorim me dronë nga ajri.

Gjatë kontrollit në një parcelë në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, në territorin e bashkisë Dibër, u kapën në flagrancë shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan, Bashkia Mat.

Në parcelë u konstatuan 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Policia e Dibrës apelon veçanërisht për banorët e zonave rurale që të denoncojnë çdo rast apo indicie për kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar se bashkëpunimi me Policinë mbetet thelbësor në parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›