Procedohen 8 të mitur për plagosjen e lehtë të një 20-vjeçari italian

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Tiranës ka identifikuar, shoqëruar dhe proceduar penalisht 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar për përfshirje në konfliktin ku u dëmtua lehtë një 20-vjeçar italian.
Ngjarja ndodhi më 29 korrik, pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë. Sipas Policisë, pas veprimeve të shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 identifikuan dhe shoqëruan 8 të miturit, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konfliktin gjatë të cilit shtetasi italian pësoi lëndime të lehta trupore.
Policia vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
/gj.m/j.p/