E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorimi i fundit, ja cilat plazhe kanë ujë të ndotur



Monitorimi më i fundit i ujërave në plazhet shqiptare ka nxjerrë se zonat bregdetare në Durrës, Golem dhe Vlorë janë të ndotura dhe përbëjnë rrezik për epidemi. Të dhënat kanë dalë nga analizat më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, i cili ka nxjerrë rezultatet në fund të muajit korrik dhe në dy javët e para të muajit gusht. Gazeta ka marrë të dhënat më të fundit, ku rezulton se Dhërmiu dhe Himara kanë ujërat më të pastra. Sipas ISHP-së, që bën analizat e vazhdueshme kimike, mikrobiologjike dhe kryesisht bakteorologjike të ujërave bregdetare në plazhet e të gjithë vendit, faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare të larjes, janë shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare direkt ose indirekt. Një faktor tjetër i ndotjes janë edhe vetë pushuesit, sidomos në zonat ku numri i tyre është i lartë (plazhi i Durrësit dhe ai i Kavajës). Me përjashtim të ujërave urbane të qytetit të Kavajës, ku është ndërtuar impianti i trajtimit të ujërave urbane, (në fshatin Qerret), të gjitha ujërat urbane të zonave bregdetare të vendit tonë derdhen në det pa asnjë lloj trajtimi.
Plazhet më të ndotura të vendit
Rezultatet e monitorimit dhe analizat e vazhdueshme (me tri seri kampionesh) tregojnë se zonat me ngarkesë mikrobike shumë të lartë janë ato në plazhin e Durrësit, në zonën e Bërrylit (plazhi Zhiron), në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pas kanalit te plepat, ku rezultatet e analizave janë alarmante. Gjithashtu, në gjendje tejet të rëndë janë zonat në plazhin e Golemit (plazhi i Kavajës, stacionet 1-4), ku jo vetëm ujërat detare janë jashtë standardit për t’u larë, por edhe mjedisi i plazhit dhe rëra janë në gjendje alarmante. Aty vihen re kanale ujërash të zeza dhe pellgje me ujëra urbane të ndenjura që kundërmojnë erë të rëndë dhe bëhen shkak infeksionesh dhe epidemish. Sipas raportit të ISHP-së, e njëjta situatë është edhe në disa plazhe të Vlorës. Si rezultat i shkarkimeve të shumta të ujërave urbane, gjendja ngarkesa bakteriale atje është shumë e lartë. Specialistët që kanë monitoruar zonën e Skelës deri në Plazhin e Ri në Vlorë, thonë se në këto zona duhet të ndalohet larja sepse uji përbën një rrezik të lartë për situatën.

Tabela e plazheve të monitoruara nga ISHP

1 Plazhi i Velipojës Ndotja është e lartë vetëm në pak zona
2 Plazhi i Shëngjinit Ndotja është brenda normave
3 Plazhi i Durrësit Ndotja është e lartë, në disa zona alarmuese
4 Plazhi i Kavajës Situata është tejet e rëndë
5 Plazhi i Vlorës Ndotja e lartë në stac. 3-6 ndërsa normale në stac. 6-11
6 Plazhi i Dhërmiut Plazhi me cilësinë më të lartë të pastërtisë
7 Plazhi i Himarës Uji tejet i pastër
8 Plazhi i Borshit Ndotja nuk llogaritet
9 Plazhi i Sarandës Ndotja, brenda normave të lejuara

Leno: “Shkak i ndotjes, shkarkimi i ujërave ilegale”

Luljeta Leno, specialiste në Laboratorin e Mikrobiologjisë së Ujërave në ISHP, tregon se shkaku kryesor i ndotjes së ujit në zonat bregdetare është shkarkimi i ujërave urbane në mënyrë ilegale. Leno thotë se ISHP-ja ndjek normat e Bashkimit Europian dhe të OBSH-së në lidhje me ndotjen. Për të monitoruar zonat bregdetare, ISHP-ja, tashmë dhe anëtare e Konventës së Barcelonës, financohet nga Ministria e Mjedisit dhe nga Qendra e Mbrojtjes së Detit Mesdhe. Detyra kryesore e ISHP-së është të kryejë analiza të vazhdueshme (çdo 12 ditë) në zonat bregdetare dhe t’i raportojë rezultatet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mjedisit. “Aktualisht, norma të larta të ndotjes janë evidentuar në disa zona të Durrësit, veçanërisht zona e Golemit dhe zona e Malit të Robit, ku ambientet rreth plazhit janë të mbushura nga mbetjet e ngurta urbane dhe nga grumbullimi i mbeturinave, të cilat ndotin mjedisin dhe ujin e detit. Situatë problematike është evidentuar gjithashtu në zonën e Shkëmbit të Kavajës për shkak se aty shkarkohen ujërat urbane në mënyrë ilegale. Në jug të vendit probleme me ndotjen e ujit bregdetar ka në plazhin e Ri të Vlorës, para tunelit. Janë marrë masa që të kanalizohen ujërat e zeza në zonat përgjatë plazhit të Durrësit deri te plepat, por për shkak të mbingarkesës shpesh edhe aty ka derdhje në det”, - tha Leno. Ajo shtoi se kohët e fundit janë evidentuar shumë probleme mjedisore për shkak të ndotjes në Shkëmbin e Kavajës, ku disa pallate shkarkojnë ujërat e zeza në det dhe disa të tjera që janë ndërtuar tani funksionojnë me gropa septike. Pikërisht tejmbushja e këtyre gropave shkakton probleme si për banorët e zonës, ashtu dhe për ndotjen e rërës dhe ujit. Leno shton se nëse inspektorët e ISHP-së, në bashkëpunim me qendrat shëndetësore rajonale të këtyre zonave bien në kontakt me këto shkelje abuzive, menjëherë njoftojnë Ministrinë e Mjedisit, e cila ka kompetencën e vendosjes së gjobave.

Plazhet, me cilësinë më të lartë të ujërave bregdetare

Raporti i ISHP-së me rezultatet e monitorimit të cilësisë mikrobiologjike të ujërave bregdetare të larjes në vendin tonë nxjerr plazhet e Dhërmiut, të Borshit, Himarës, Sarandës, Velipojës, Shëngjinit si dhe plazhet e Vlorës pas tunelit (Jonufër, Radhim, Orikum) si plazhet me cilësinë më të lartë të ujërave bregdetare. Ujërat e këtyre plazheve janë brenda normave të rekomanduara nga OBSH-ja dhe UNEP, si dhe nga Komuniteti Europian. Ngarkesa mikrobike në këto plazhe është pothuajse e pallogaritshme. Në plazhin e Sarandës rezultatet e vazhdueshme të analizave të kryera nga specialistët e ISHP-së, deri në fund të korrikut të këtij viti, në të gjitha stacionet e saj rezultojnë brenda normave të rekomanduara. Këtu përjashtohen pjesërisht stacionet 3 dhe 4, ku në një seri të tyre ndotja del mbi normën e lejuar. Si rezultat i shkarkimit të ujërave urbane të qytetit të Sarandës në stacionin e monitorimit 6 (kanali i Çukës), rezultatet e analizave të përftuara rezultojnë mbi normat e rekomanduara të ndotjes. Cilësia mikrobiologjike është e lartë edhe ne ujërat e plazhit të Vlorës nga stacioni 5 deri te 11. Në zonat e ish-vilave deri në Orikum ndotja është brenda normave të rekomanduara për larje.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›