E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parkimi në kryeqytet, ja zonat me pagesë të përcaktuara nga bashkia



Parkimi i automjetit në qendër të Tiranës, që këtej e tutje do t’i kushtojë çdo qytetari nga 100 lekë për çdo orë. Ky rregull që do të hyjë në fuqi nga nesër (16 gusht 2010), realizohet në bazë të një projekti pilot të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës, e cila që këtej e tutje do të vjelë një tarifë monetare për çdo vend parkimi në qendër të kryeqytetit. Tarifa e vendosur me vendim të këshillit bashkiak është 100 lekë/ora dhe për të verifikuar që qytetari nuk e ka shkelur rregullin, i duhet të blejë një biletë, ta vendosë atë në xhamin e makinës dhe më pas të rikthehet për të marrë automjetin para skadimit të afatit. Në të kundërt, nëse rezultojnë shkelje, policia bashkiake do të marrë me karroatrec (rimorkiator) automjetin ose do të vendosë penalizime të tjera, si bllokimin e tij në vend. Ky projekt do të përfshije disa akse rrugore në qendër të kryeqytetit, synon të lehtësojë trafikun e rënduar, edhe për shkak edhe të punimeve në sheshin "Skënderbej". Bashkia e Tiranës e justifikon këtë projekt me faktin se, ai u jep përparësi zonave të këmbësorëve, redukton lëvizjet me mjete motorike, si dhe ndihmon në uljen e ndotjes së ajrit.

Projekti pilot
Projekti do të ndihmojë shumë në mirëmenaxhimin e trafikut rrotull qendrës së Tiranës dhe do të reduktojë ndotjet urbane. Projekti synon të promovojë zbatimin e politikave të reduktimit të lëvizjes me mjete private, duke i dhënë prioritet lëvizjes me mjetet e transportit publik, biçikleta dhe këmbësorëve. Pak ditë para fillimit të vënies në zbatim të projektit pilot, për administrimin e ri të sistemit të parkimit me pagesë, Bashkia e Tiranës ka informuar qytetarët, lidhur me detajet e këtij projekti të rëndësishëm, i cili synon të lehtësojë gjithashtu situatën e trafikut në kryeqytet. Drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, sqaroi se si do të zbatohet projekti, duke konkretizuar në një prej zonave pilot, detajet dhe rëndësinë e një nisme të tillë.
“Aplikimi i sistemit të ri të parkimit publik me pagesë, është një sistem i ri administrimi, të cilin ne e kemi lançuar dy javë më parë. Ai konsiston në ndarjen e shitjes së biletës nga kontrolli i parkimit me pagesë”,- sqaroi Punavia.

Bileta e parkimit
Për çdo automjetet që parkohet në qendër të kryeqytetit në zonat e përcaktuara me pagesë, drejtuesit e tyre duhet të blejnë atë që quhet “bileta e parkimit”. Disa kjoska që janë vendosur nga bashkia në pikat kyçe të parkimeve në qendër, do të bëjnë të mundur shitjen e biletave të parkimit me çmimin 100 lekë/ora. Bileta, e cila do të ketë të gjithë elementët e sigurisë është e ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe është lehtësisht e përdorshme nga çdo qytetar. Ajo vendoset në një vend të dukshëm, në pjesën e brendshme të xhamit të makinës, për të qenë lehtësisht e identifikueshme nga kontrollorët. Ajo konsiston në gërvishtjen e disa pjesëve ku shënohet viti, muaji, data dhe ora e saktë e fillimit të kohës së parkimit në vendqëndrimin me pagesë. Bileta është njëorëshe, dyorëshe dhe triorëshe. Pas kalimit të kohës së përcaktuar në biletë nga shoferi, janë punonjësit e policisë bashkiake ata që bëjnë kontrollin dhe marrin masat mbi mjetin. Në asnjë rast shoferi nuk duhet të kalojë kohën maksimale të parkimit prej 3 orësh, pasi në të kundërt ai duhet ta zhvendosë automjetin diku tjetër. Këto lloj parkimesh nuk parashikojnë qëndrimin e automjeteve për 24 orë. Sipas bashkisë, zonat do të jenë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme rrugore.

Zonat e përcaktuara
Projekti do të fillojë të zbatohet nesër do të përfshijë këto zona kryesore: dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” (aty ku lejohet parimi, d.m.th. jo para institucioneve qeveritare dhe vendqëndrimeve të autobusëve dhe taksive), duke filluar nga kompleksi i ministrive deri te sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi "Gjergj Fishta", nga ura e madhe e "Dajtit", deri tek ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe që nga kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", deri tek ura e re që lidh zonën e ish-Bllokut me zonën e parkut “Rinia”. Gjithashtu, zona tjetër është zona përpara stadiumit "Qemal Stafa", e njohur si sheshi "Italia", me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor. “Qëllimi është ngritja e një sistemi të ri administrimi të parkimit, ku të ndahet sistemi i shitjes së biletës nga sistemi i kontrollit”,- theksoi Punavia. Do të jenë strukturat e Policisë Bashkiake, ato që do të bëjnë kontrollin dhe do të marrin masat përkatëse administrative. Për kundërvajtësit e sistemit do të aplikohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, sanksione të cilat arrijnë deri në heqjen e mjetit me karroatrec.

Qendër e re për kontrollin teknik të makinave

Shume shpejt do të jetë ne funksion qendra e re e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore, për kryeqytetin. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë vizitës së tij në ambientet e kësaj qendre deklaroi se puna do të fillojë me 6 shtator dhe kjo qendër do të ndryshojë rrënjësisht shërbimin ndaj klientëve. Investimi i ri për këtë qendër i përket kompanisë koncesionare “SGS Automotive Albania” me vendndodhje në Prezë. Investimi kap një vlerë prej 3 milionë dollarësh. Sipërfaqja totale e sheshit së bashku me ndërtesën është 7145 m2 dhe në të janë parashikuar të ketë 6 linja kontrolli për mjetet, 4 linja për automjetet e lehta dhe 2 linja për automjetet e rënda. Ndërkohë ministria e linjës njofton se aktualisht investime po kryhen jo vetëm në qendrën e re të kontrollit teknik të mjeteve në Prezë, por për të gjitha qendrat e Shqipërisë. “Janë 31 linja të reja të kontrollit teknik të mjeteve që po bëhen në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që brenda një periudhe të shkurtër do ti ofrojnë qytetarëve shërbim cilësor, transparent dhe tërësisht të kompjuterizua në mënyrë që kontrolli i mjeteve nga një procedurë e bezdisur dhe shpesh herë korruptive, të shndërrohet realisht në një rutinë tërësisht teknologjike ku qytetari shërbehet dhe nuk torturohet”,- tha ministri Olldashi. Përfundimi i investimit do të përmirësojë ndjeshëm sigurinë e mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Ndarjen e mbetjeve urbane në Tiranë, në tetor nis projekti

Mbetjet urbane mbeten një problem për Tiranën. Edhe pse fusha e Sharrës është rehabilituar dhe mbeturinat për gati dy vite janë përpunuar, sërish, mënyra se si ato trajtohen është shumë primitive. Për këtë arsye Bashkia e Tiranës, nëpërmjet drejtorisë së Pastrimit bën të ditur se në fillim të muajit shtator do të nis grumbullimin e diferencuar të mbetjeve urbane. Sipas, specialistëve të kësaj drejtorie pritet që ndarja e mbeturinave me nisjen e muajit shtator, do të nisi të bëhet nga institucioni i Bashkisë së Tiranës dhe të institucioneve në varësi të saj. Ndërsa, në muajin tetor projekti do të shtrihet në një numër të konsiderueshëm shkollash të kryeqytetit, si dhe në dy rrugë kryesore. "Në shtator ndarja e mbeturinave urbane do aplikohet fillimisht nga institucioni i Bashkisë, pastaj në tetor në disa shkolla dhe me pas në dy rrugë tregtare, atë të ‘Kavajës’ dhe të ‘Durrësit’",- kanë bërë të ditur specialistë të drejtorisë së pastrimit në Tiranë. Sipas tyre, ky është një projekt pilot që është aplikuar edhe në disa zona të tjera të Tiranës një vit më parë, por fatkeqësisht nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Qytetarët nuk e bënin ndarjen e mbetjeve urbane. "Për të pasur një ecuri të mirë, një projekt i tillë duhet që të ketë një bashkëpunim me çdo qytetar dhe sidomos subjekt tregtar. Edhe një vit më parë, me një projekt të ngjashëm kemi pasur probleme, pasi një pjesë e qytetarëve bënin ndarjen e mbetjeve që krijoheshin nga konsumi në familje", - bënë të ditur specialistët.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›