Monografia “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” u prezantua për besimtarët, në Kishën e Zojës së Shkodrës në Nju-Jork
Kleriku, Dom Pjetër Popaj u ka kërkuar besimtarëve që librin e Fahri Balliut ta shndërrojnë në doracakun e tyre të përditshëm, pasi kështu do të kishin gjithmonë me vete kujtesën që do t’i mbronte nga maskimet moderne që merrte ideologjia komuniste, në përpjekje për të kthyer kohën e persekutimeve, jo vetëm për klerin, por për të gjithë shqiptarët
Publicisti Fahri Balliu, themelues dhe drejtori i gazetës “55” ka qenë dje mysafir në Kishën e Zojës së Shkodrës në Nju-Jork, një institucion kulti i ngritur 10 vjet më parë, me kontributin e besimtarëve shqiptarë të të gjitha besimeve, që jetojnë e punojnë në SHBA, e që dje ka kremtuar njëkohësisht jo vetëm përvjetorin e ngritjes së kishës, por ka pasur edhe festën e Zojës së Shkodrës, në emër të së cilës edhe është ngritur kisha e shqiptarëve. I ftuar i veçantë nga Dom Pjetër Popaj, famullitar i kishës së Zojës së Shkodrës në Nju-Jork, publicistit Balliu i është bërë një prezantim solemn edhe gjatë meshës së rastit, ku kleriku Popaj ka shfrytëzuar rastin për t’u thënë besimtarëve edhe disa fjalë lidhur me kumtin e monografisë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Dom Pjetër Popaj tha se ishte një rast fatlum për shqiptarët që jetojnë e punojnë në SHBa që kishin mes tyre një përfaqësues të denjë të betejës kundër komunizmit, që shqiptarët po çojnë sot e gjithë ditën. “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” është një vepër ndriçuese, theksoi dom Popaj, e cila është një kujtesë e vazhdueshme, e paprashme, që na emërton përgjegjësit e vërtetë me emrin që kanë, theksoi kleriku i njohur. Të gjithë duhet ta lexojnë veprën e zotit Balliu, ta shndërrojnë atë në një doracak të mirëfilltë, pasi vetëm kështu edhe do të mund të dallojmë më mirë çfarëdolloj përpjekjeje që do të bëjnë ish-komunistët shqiptarë, për të na mbërritur e për të helmuar mendjet tona, kudo që të ndodhemi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Evropë apo SHBA. Ta lexojmë librin e Fahri Balliut, sepse aty do të shohim emrat e fajtorëve, të cilët iu turrën fesë e meshtarëve të saj, për t’i shkatërruar, pasi vetëm kështu mund të mbillnin farën e keqe të komunizmit. Ta lexojmë veprën e Fahri Balliut, tha kleriku Dom Pjetër Popaj, në meshën solemne me rastin e dhjetëvjetorit të ngritjes së kishës, por edhe të Ditës së Zojës së Shkodrës, sepse kështu do të jemi më të mbrojtur ndaj së keqes, por edhe do t’i bëjmë shërbimin e duhur së mirës, komunitetit dhe kombit shqiptar”. Në vizitën e tij në Kishën e Zojës së Shkodrës, publicisti Fahri Balliu u shoqërua nga z.Gjon Buçaj, nënkryetar i Federatës “Vatra” dhe aktivisti i shquar i komunitetit shqiptar në SHBA, z.Zef Balaj.
Në Nju Jork, “Vatra” dhe Bota Sot pritën publicistin Fahri Balliu, botuesin e gazetës “55”
Gjatë vizitës në Nju-Jork, publicisti i njohur Fahri Balliu, botuesi i gazetës “55”, u prit në shtëpinë e Vatrës, nga kryetari i saj z. Agim Karagjozi dhe n/kryetari i saj dr.Gjon Buçaj. Në pritje morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të kryesisë së Vatrës, veprimtarët Zef Balaj, Idriz Lamaj, Zef Përndocaj dhe Musli Mulosmani. Takimi qe i ngrohtë dhe rivilatizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes vatranëve dhe publicistit Fahri Balliu, botuesi i gazetës “55”, një figurë e respektuar në gjirin e vatranëve. Në shtëpinë e Vatrës, kryetari i saj Agim Karagjozi, i përcolli zotit Balliu mirënjohjen e thellë dhe vlerësuese që "Vatra"- siç u shpreh ai, kishte për punën e madhe që ka bërë Balliu në favor të së djathtës shqiptare, patriotizmit, demokracisë dhe në dobi të Atdheut e popullit shqiptar, sidomos me librat e tij, por edhe me gazetën “55”. Në falenderimin e Vatranëve, përmendi zoti Karagjozi, bën pjesë edhe nderimi që kanë "Vatra"-nët për librin “The Ghoulish Lady - Nexhmije Hoxha” - “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Vetë Balliu, tha se vizita tek shtëpia e Vatrës, ishte një dëshirë e hershme tij për një takim me "Vatra"-nët. Me këtë rast, për nder të publicistit të njohur Fahri Balliu, Vatra shtroi një darkë nderi në Nju-Jork. Në "kryeqytetin" e shqiptarëve të Amerikës, Nju-Jork, zoti Balliu bëri edhe një vizitë në redaksinë e gazetës “Bota Sot”, ku u prit nga redaktori përgjegjës për SHBA-në, z Gervish Jajhaga. Publicisti Balliu vizitoi gjithashtu bibliotekën dhe koleksionin historik të gazetës "Dielli", organ i "Vatra"-s, gazetë, e cila sapo ka festuar 100-vjetorin e daljes së numrit të parë të saj. Pritja që iu rezervua Balliut nga Vatra dhe redaksia e gazetës kombëtare “Bota Sot”, ishte mjaft e ngrohtë. Midis krerëve të "Vatra"-s dhe publicistit të njohur Fahri Balliu, u fol për pavarësinë e Kosovës, çështjen shqiptare, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Krerët e Vatrës thanë se në këto zgjedhje ata do t'i japin mbeshtetjen pa rezerva kryeministrit Berisha dhe forcave të djathta në Shqipëri. Ata vlerësuan arritjet e Shqipërisë gjatë këtij mandati, sidomos anëtarësimin në NATO dhe ndërtimin e rrugës - siç u shprehen ata arteries kombëtare - Durrës - Kukës, Morinë. "Kjo Federatë, tha kryetari i Vatrës, z Agim Karagjozi, i dha përkrahje të madhe për 100 vjet me radhë, çështjes kombëtare në mërgim. Vatra, luftoi dhe kontribojë pa rezerva, se për tetëmbëdhjetvjet, për demokracinë në Shqipëri . Vatra ishte e pandryshuar gjatë gjithë historisë së saj në qëndrimet për rrëzimin e komunizimit dhe dhënjen fund të sundimit diktatorial të Enver Hoxhës". Gjatë takimit që zgjati më shumë se dy orë, bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet e tyre edhe lidhur me zgjedhjet e afërta parlamentare në Shqipëri. Në përfundim të takimeve, publicisti Balliu u shfaqi mikpritësve falënderime të përzemërta, duke e vlerësuar Vatrën patriote, që kishte bërë shumë për atdheun dhe kombin shqiptar.
...