Narko-Tirana, Viti Zero i mediave të anarkisë
Kokainë dhe orgji në qendër të kryeqytetit Tiranë. Ka disa momente në jetë kur njeriu rikthehet në gjendjen e tij zanafillore, atje ku epshi shtazarak dhe instinkti i mbijetesës ishin dy polet që i karakterizonin njerëzit e kësaj toke. Por më pas, duke hyrë në lugun e historisë pak nga pak njeriu filloi të mësonte se çfarë ishte dinjiteti, krenaria, vetëmbrojtja e vetëdija, ndjenjën e moralit dhe turpin. Ky kultivim dhe sofistikim parimesh morale e etike që kemi sot në sjelljen njerëzore jo gjithmonë transmetohet në të gjithë banorët e kësaj toke, veçanërisht atyre të kryeqytetit të Tiranës. Ku pas një operacioni të Narko-trafikut të komisariatit N.1, mësuam se në orët e vona të natës, disa banorë të kryeqytetit në fjalë nuk flenë, por “punojnë” duke tredhur testikujt e duke nuhatur “niseshte” në një godinë të sapofasaduar nga Bashkia e Tiranës, afër sheshin tAvni Rustemi. Kësaj here vetmia e tij është ndaluar e shpëtuar nga uniformat blu. Kohët e fundit “jeta e natës” e Tiranës është populluar më shumë nga lakuriqët e natës sesa nga bufat e metropolit, që janë të vetmit që shikojnë në errësirën e humnerës. Interesante, për nga ana e antropologjisë sociale të kryeqytetit është të vëzhgojmë sesi i klasifikon policia gjyqësore këta individë në procesverbalin e ndalimit: “Së pari, klientët vijnë nga Blloku. Organizatori i këtij rave-party ishte qytetari Ivi B, i cili mësohet se ka lënë Spanjën, ku madje edhe është i martuar me një vajzë spanjolle dhe ka mbërritur në Tiranë disa muaj më parë. Në kryeqytet ai kishte krijuar një rrjet miqsh, shumë prej të cilëve djem intelektualësh dhe njerëzish me para, për të cilët shpenzimi nuk qe problem. Fillimisht grupe-grupe, ata, sipas burimeve të policisë, qëndronin në disa prej lokaleve të natës në ish-Bllok, ndërsa më pas i braktisnin ato, për t'u drejtuar tek "Vila", tek "Avni Rustemi". Dikush do të thoshte se kjo është vetëm një mikro-manifestim i nihilizmit që po përshkon gjithë Oksidentin, përpos se nuk është kështu, për vetë faktin se këta laskarë delirant në sjelljen e tyre s’kanë asnjë synim madhor, asnjë parullë, as edhe sloganin si “sex, drogë e rok-roll” që do të ishte banale, por do të ishte diçka, sepse për këta që po flasim ne kanë më fjalë. Reflektimi i është bërë parapëlqim, një aneks i trurit, një aksesor. *** Mirëpo dy speciet që karakterizojnë simbolikisht laskarizimin e rinisë shqiptare vijnë nga shtresa e “djem intelektualësh dhe njerëzish me para”, ku normalisht tashmë është mëse e qartë se në edukatën familjare nuk u mësohen më vlerat e shëndetshme të qytetarisë si nderi, puna, korrektësia dhe dashuria, por e vetmja vlerë sot për sot në këto dy shtresa injektojnë në fëmijët e tyre, që janë rinia, është orgazma e lekut. Fare shkurt dëftehet se janë nga ana emotive analfabetë. Mund të ishin fare mirë personazhet e romanit apo filmit anglez “Trainspotting” të I. Welsh, ku droga anestetizonte dhimbjen e të jetuarit, e ku diferenca e vetme me orgjinë është se kjo e fundit është më intensive, aktive dhe produktive. Mirëpo duhet thënë se këto laskarët nuk bëjnë asgjë me kokën e tyre, por mundohen të imitojnë figurat e që kanë marrë pjesë e janë tashmë në panteonin e orgjive, afërmendsh imitimi i kësaj sjellje shtazarake në mënyrë indirekte është edhe Mister 15%-shi, madje imitimi i inventarit të tij është bërë si një stigmë, për çdo njeri duhet të ketë në CV-në e tij kur të bëjë ndonjë diskurs publik apo politik. Miksi adrenalik: drogë, alkool e në fund seks dhe orgji janë elementët e një mozaiku faktesh – thotë psikologu dhe filozofi i historisë U. Galimberti – që karakterizojnë një neurozë sociale. Më tej, në fakt neuroza është një konflikt midis dëshirës për të thyer normën dhe norma që ka tendencën të ndrydhi dëshirën. Hajde merre vesh sesi e sepse këta lastarët e shoqërisë shqiptare, i kanë hyrë shtegut nihilist për të thyer tabu-në e turpit, duke mos ditur se ku ndjeja e turpit përfaqëson një rikthim të individi në vetvete, duke e mbrojtur në shpirt nga sfera publike. *** Lart treguam një anë të medaljes, ana tjetër është ajo që specialistët e psikikës quajnë pa ndrojtje: “neutralizimi i diferencës midis publikes dhe privates” që është një shenjë e keqe për shëndetin mendor, sidomos të shqiptarëve. Një pyetje: përse turma të rinjsh qëndrojnë përpara kutisë së televizorit duke parë gjithfarëlloj reality-show: si Big Brother-i, Kafazi i Artë apo Zonë e Lirë etj., ku shfaqen pa turp ndjenjat më të shtrenjta dhe sekretet më të errëta të intimitetit personal? Ky spektakolarizim i anës private të njeriut – që ndiqet në orët e pasdites deri në mbrëmje me një uri perverse – do të thotë se gjeja më e panjohur që kemi kuriozitet nuk është më, si dikur, jeta e perëndive në Olimp apo e Mbretërve, por jeta e përditshme e interpretuar nga njerëz të zakontë, jeta e përditshme e të gjithëve ne. Kjo është një shenjë e keqe. Sepse do të thotë se kemi thyer pasqyrën që ndante privaten intime dhe publiken, pjesën më të “shtrenjtë”, “të vetme e “intime” që lidhen me botën e brendshme, që i takon vetëm një njeriu ose vetëm një rrethi të caktuar njerëzish; që nuk e dinë të tjerët a që nuk u tregohet të tjerëve, që mbahet i fshehtë. Neve na mungon aq shumë e vërteta sa e kërkojmë duke gërmuar në historitë e të tjerëve, por jo duke lexuar një roman, që të paktën të kultivon intelektualisht, por duke qëndruar pasiv e sehirxhi përpara edhe atyre që i himnizojnë në shkrimet e tyre si “Adela revolucionare”. Cektësia e ideologëve të sistemit majtë-medie nuk kanë më Ernesto Che Guevara si idhull, por new-entry proletaret e Big Brother-it, që me një puthje theu copë e çikë tabunë e puthjes në publik. Progresist hesapi. Nejse. Turpi nuk është një punë veshjesh, tangash, cangash apo ku di unë, por është pothuajse një gjendje gatishmërie ku gradohet hapja apo mbyllja ndaj tjetrit. Ideja që po kacafyt rininë shqiptare këto kohët e fundit është se, “për të qenë” në këtë botë duhet domosdoshmërisht të “dukesh”. Të reklamohesh. Të hysh drejtpërdrejt në star-sistem, do të thoshte Noam Chomsky. Dhe kush nuk ka asgjë për të vënë në vitrinë, asnjë mall, asnjë trup, as edhe një punë, as edhe një aktivitet, as edhe një mesazh, atëherë për t’u dukur tej anonimitetit të tij duhet të sakrifikojë “intimitetin” e tij. Ne jemi kundër kësaj silogjizme të dhënë si bukë thatë nga disa medie anti-qytetërim. Ose mediet e anarkizmit kapitalist. Më duket se profecia e artistit amerikan Andy Warhol, që tha se të gjithë kanë të drejtë për 15-minuta reklamë televizive. Fund. Për fund.
...